Italia merr Presidencën e BE/ Rama: Shans i ri për Shqipërinë dhe Europën

1 Korrik 2014, 20:06Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një përkim fatlum për Shqipërinë, faktin që Italia merr presidencën e BE-së menjëherë pasi  i jepet statusi i vendit kandidat. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar me rastin e mbledhjes së Grupit të Miqësisë me Italinë, kryeministri përgëzoi ata që e ndërmorën këtë nismë, pavarësisht se e cilësoi si të vonuar. 

“Më mirë vonë se kurrë i thonë një fjalë. Mua më duket se ky takim mund të mbante këtë titull më mirë vonë se kurrë. Duket pak si çudi që një nismë e tillë padyshim e dobishme, e natyrshme për historinë e gjatë që na bashkon pavarësisht detit që na ndan, të merrte formë vetëm sot. Padyshim përgëzime atyre që e ndërmorën këtë nismë. Një falënderim i kushton mikut tonë të përbashkët Gaiani. Fakti që ndërkohë që luhet futboll për kupën e botës ne jemi besnikërisht këtu jo për të vazhduar ndeshjen tonë pambarim, por për tu bashkuar që të ndërtojmë një urë të re më anën tjetër të detit, është kuptimplotë”, deklaroi Rama. 

Sipas kryeministrit Rama, “Matteo Renzi është një shans i ri dhe i madh për Italinë dhe Italia e Renzit është një shans i ri dhe i madh për Europën dhe padyshim edhe për Shqipërinë. Përkimi fatlum i post statusit me presidencën italiane të BË-së duhen shfrytëzuar në muajt në vijim”

Rama u shpreh i gatshëm të bëhet pjesë e grupit të Miqësisë me Italinë.

“Nëse përfshirja ime në këtë grup do të ndihmonte për ti bërë shumë më të mira marrëdhëniet tona padyshim për mua do të ishte një kënaqësi e posaçme”, u shpreh Rama. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje