Qeveria përcakton çmimin favorizues të shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtime paleje me funksion banimi dhe të përzier të subjekteve që përfitojnë falje të pagesës si dhe të mënyrës e afateve të pagesës. Sipas këtij vendimi, çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi (përfshirë dhe shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje) llogaritet si përqindje mbi vlerën e pronës, sipas llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse. Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 400 (katërqind) lekë apo më i madh se 1 500 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi. Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 500 (pesëqind) lekë apo më i madh se 2 000 (dy mijë) lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.
Ndërkohë për shtetat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 1 mijë lekë apo më i madh se 3 mijë lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë në këto vlera kufi. Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier (banim dhe social-ekonomik), çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet e mëposhtme:
a) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social – ekonomik, shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
b) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.
Kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje të pagesës
Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik në kuptim të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse pranë drejtorisë së varësisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për vlerën e parcelës ndërtimore falet.
Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërjen familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur në bazë të kreut I, të këtij vendimi.
Poseduesit e ndërtimeve pa leje, që janë subjekte të ndihmës ekonomike, në kuptim të ligjit nr.9355, datë 9.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës e llogaritur në bazë të kreut I, të këtij vendimi.
Mënyrë dhe afatet e pagesës
Vendimi përcakton që shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore nga poseduesi i ndërtimit pa leje bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), në të cilin janë përcaktuar vlera, mundësia për pagesën në pjesë, si dhe afatet e shlyerjes. Pagesë e menjëhershme do të konsiderohet shlyerja nga poseduesi i ndërtimit pa leje i vlerës së parcelës ndërtimore, brenda 45 ditëve nga data e njoftimit me shkrim.
Pagesa e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore, pavarësisht nga funksioni i objektit pa leje, mund të kryhet:
a) në lekë, në vlerë të plotë monetare;
b) me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës.
Për ndërtimet pa leje me funksion social – ekonomik, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet menjëherë. Nëse pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore kryhet menjëherë, përfitohet zbritje prej 20% nga vlera e mbetur e detyrimit, pavarësisht nga funksioni i ndërtimit pa leje. Kjo zbritje përfitohet edhe për vlerën e parcelës ndërtimore për objektet e dyta pa leje, sipas përcaktimeve të nenit 25, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Në kuptim të kësaj pike, vlerë e mbetur e detyrimit konsiderohet ajo e përftuar pas aplikimit të rregullit të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 7, të këtij vendimi.
Nëse poseduesi i ndërtimit pa leje nuk e shlyen plotësisht detyrimin financiar për parcelën ndërtimore brenda një viti nga data e njoftimit, do të zbatohen përcaktimet e pikës 2/1, të nenit 30, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, deri në pagesën e vlerës totale të detyrimit. Si garanci për shlyerjen e detyrimeve vjetore kontraktore të furnizimit me energji elektrike mbi vlerën e mbetur të parcelës ndërtimore të objektit pa leje aplikohet një zbritje prej 10%.
Nëse subjekti dëshmon se, brenda një viti nga data e njoftimit mbi pagesën e parcelës ndërtimore, ka kryer rregullisht shlyerjen e detyrimeve të furnizimit me energji elektrike, vlera e garancisë falet. Për detyrimet e parcelës ndërtimore, të llogaritura por të pashlyera nga poseduesit deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të aplikohen çmimet, mënyra dhe afatet e përcaktuara në këtë vendim.
Po sikur do beheshin falas dhe legalizimet!?
I premtoi falas tani ua futi ne dysh. . tTe rroj partia ta kemi sa malet