Kombëtarja “emigron” para përballjes me Portugalinë

30 Korrik 2014, 15:03Sport TEMA

Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet jashtë vendit për ndeshjen e parë kualifikuese të Europianit 2016. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në Federatën Shqiptare të Futbollit, sipas të cilëve stafi teknik i skuadrës po merret intensivisht me gjetjen e një vendi të përshtatshëm për këtë grumbullim. Gjasat janë që skuadra jonë të akomodohet në një hotel në Zvicër ose në Spanjë, por opsion mbetet edhe Italia, kjo nisur natyrisht edhe njohjet e stafit tonë teknik në vendin fqinj.

Mësohet se trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, dhe ndihmësi i tij, Paolo Tramexani janë marrë me këtë gjë gjatë ditëve të fundit, por ende nuk është qartësuar vendi se ku do të grumbullohet Kombëtarja jonë, raporton Panorama Sport.

Sipas të gjitha gjasave, De Biazi do të shpallë listën e lojtarëve në fund të gushtit, rreth datës 29-30 dhe më 1 shtator mendohet të nisë zyrtarisht me seancat stërvitore.

Pjesa më e madhe e kampionateve në Europë nisin gjatë këtij muaji dhe me gjasa në 30 dhe 31 gusht do jenë të impenjuar me klubet e tyre, ndaj edhe është vendosur që data e parë e grumbullimit të jetë 1 shtatori. Më pas, në program (ndonëse duhet ende të verifikohet gjithçka), janë vënë rreth 10 seanca stërvitore, nga dy të tilla çdo ditë, teksa më datë 6 shtator ekipi do të udhëtojë drejt Portugalisë.

Ndeshja e parë e kuqezinjve do të zhvillohet në orën 20:45 ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos.

Siç dihet, Shqipëria është në një grup me pesë skuadra (6 bashkë me Francën, ekipi organizator i europianit, por që në këtë rast do të zhvillojë vetëm ndeshje miqësore, pasi e përfiton kualifikimin si vend organizator), nga ku ajo shihet si më e dobëta.

Pas Portugalisë, kuqezinjtë do presin Danimarkën më 11 tetor dhe do udhëtojnë drejt Beogradit ndaj Serbisë, tri ditë më vonë. Një muaj më pas luajmë miqësore me Francën, ndërsa në mars të 2015-s presim Armeninë, skuadër që teorikisht konsiderohet si rivali ynë direkt në grup.

Kalendari vijon me miqësoren me Francën në Shqipëri, ndërsa në shtator udhëtojmë drejt Danimarkës më 4 dhe presim Portugalinë tri ditë më vonë. Ekspedita kuqezi mbyllet në tetor 2015 me përballjen me Serinë në shtëpi dhe Armeninë në transfertë.

2 komente në “Kombëtarja “emigron” para përballjes me Portugalinë”

  1. Shpetimi says:

    Pervec ores nuk do te qe keq qe te shenonit dhe daten e takimit ?

  2. Keta gazetarucet nuk e dijne daten e takimit,mire dijne oren dhe vitin 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje