Një video duket se do të ndezë edhe më shumë rivalitetin mes Bajernit dhe Dortmundit në këtë prag sezoni.
Bastian Shvainshtaiger është filmuar dy ditë pas kthimit nga Brazili me trofeun e Kupës së Botës, duke kënduar disa rreshta bashkë me korin e tifozëve bavarezë.
I ftuar në një lokal në Mynih, atmosfera u ndez shumë dhe nga korniza e përgjithshme e kombëtares kaloi te brohoritjet në nderim të kampionëve të Bundesligës, me lojtarin që nuk e përmbajti dot veten, por udhëhoqi koret ofenduese.
Pas gati 2 javësh, këto pamje dolën në publik dhe Bastian Shvainshtaiger, i vendosur nën akuzë, u detyrua të reagojë teksa ndodhet ende me pushime:
“Dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve, trajnerëve dhe lojtarëve të Borusia Dortmund. Kjo është një këngë e njohur tifozësh, por që përmban fjalë të papërshtatshme.
Nuk doja të ofendoja askënd. Shkoj mirë me të gjithë lojtarët e Dortmundit, veçanërisht me Kevin Groskrutz”.
Ishte kjo apologjia e Shvainshtaiger në mesazhin e tij në Facebook, por nuk do të ishte aspak i habitshëm një reagim i tifozëve verdhezinj.