Liverpuli në “pole position” për Shaqirin

26 Korrik 2014, 15:14Sport TEMA

Xherdan Shaqiri është kthyer në një kryefjalë të kësaj merkatoje temperaturash të nxehta.

Për futbollistin me origjinë shqiptare kanë qarkulluar shumë zëra këto ditë, aq sa është dashur në disa momente ndërhyrja e tij me sqarime përmes rrjeteve sociale, teksa vazhdon të shijojë pushimet.

Për talentin e Bajernit të Mynihut, pavarësisht këmbënguljes së tij për kontratën që ka deri në 2016-ën, largimi është thuajse i sigurt dhe tani duket se ka kaluar Liverpuli në pole position, raporton Sport News.

E përditshmja britanike “Metro”, duke iu referuar gazetave në Zvicër, specifikon se Brendan Roxhers është shumë i vendosur për të patur shërbimet e Xherdan Shaqirit në dispozicion dhe në tryezë të bavarezëve ka shkuar zarfi me ofertën prej 14.2 milionë paund.

Mesfushori i lindur në Gjilan në fakt ndiqet prej gati 18 muajsh nga “The Reds”, të cilët tani kërkojnë ta mbyllin njëherë e mirë këtë operacion, duke përfituar edhe nga ngushtimi i hapësirave të Shaqirit te skuadra e Pep Guardiolës.

Bajerni e ka marrë ofertën e Liverpulit dhe po e shqyrton me kujdes.

Shifra mendohet se është shumë afër shumës që kërkojnë kampionët e Bundesligës, ndërkohë që edhe Shaqiri pret në ankth të mësojë se ku do të jetë e ardhmja e tij në sezonin tjetër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje