Leksioni i Realit me blerjen e Hames Rodriguez

24 Korrik 2014, 14:56Sport TEMA

Investimet sjellin para dhe nga paratë vjen suksesi.

Eshtë kjo një formulë e ditur e botës së madhe të biznesit, ku pa dyshim që bën pjesë edhe futbolli, sepse për të arritur tek titujt nuk mjafton vetëm shpirti sportiv, por edhe fuqia e parasë.

Pa iu dridhur dora, Reali i Madridit shpenzoi plot 80 milionë euro për ta bërë të vetin Hames Rodriguez dhe deri tani të dhënat flasin për një investim të mençur nga ana e gjigantëve të Spanjës.

Gjatë prezantimit të kolumbianit në Bernabeu, në harkun kohor të 60 minutave u shitën 900 fanella me emrin e tij, për një shumë totale prej 90 mijë eurosh.

Në një ditë, të dhënat jozyrtare tregojnë shifra edhe më stratosferike, 40 mijë fanella, nga të cilat në arkën e Realit shkuan plot 4 milionë euro, raporton Sport News.

Kjo do të thotë se vetëm nga bluzat e stampuara me emrin e Hames Rodriguez, “Los Blankos” siguruan 5% të shumës që u investua për transferimin e tij nga Monako.

Eshtë një sukses i jashtëzakonshëm falë epidemisë “Hames-mania”, që infektoi sa hap e mbyll sytë një botë të tërë madrilene.

Pa dyshim që çmimet e fanellave gjatë kësaj kohe kanë qënë pak më të kripura se zakonisht, sepse është marketing në fund të fundit dhe Reali është munduar të përfitojë sa më shumë nga kjo çmenduri kolektive, ndërkohë që Perez edhe njëherë u ka treguar të gjithëve se shikon shumë larg.

Për ta rikuperuar çdo qindarkë të investimit te Hames Rodriguez, mbetet ende shumë, por duhet të kemi parasysh se sezoni nuk ka nisur ende dhe përpara janë abonimet, turnetë, si dhe evente të tjera që gjithashtu sjellin fitime.

Ky është leksioni që jep Florentino Perez në profilin e biznesmenit dhe ndoshta futbolli italian duhet të mësojë prej tij.

3 komente në “Leksioni i Realit me blerjen e Hames Rodriguez”

  1. enter says:

    Shkruhet JAMES

    1. tom jones says:

      dhe lexohet Hames ne spanjisht.

  2. Raul says:

    dhe duhet azhornuar se ky lajmi eshte i djeshem, sot Reali e ka cuar ne 34 milione euro fitimin nga shitja e fanellave te Rodriguez

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje