Valdet Rama: Do qendroj në Spanjë, kam shumë oferta

22 Korrik 2014, 14:55Sport TEMA

Mesfushori ofensiv i Kombëtares së Shqipërisë, Valdet Rama, me të përfunduar edicioni 2013-2014 u largua nga Real Vajadolidi, pasi paraprakisht skuadra spanjolle zbriti nga kategoria.

Por, Rama mund të mos largohet tërësisht nga Spanja. Ai mund të vazhdojë të luajë për ndonjë skuadër tjetër spanjolle, që garon në La Liga.

Kështu ka thënë vetë futbollisti  për “Kohën Ditore”.

Ai shprehet se është në bisedime me disa skuadra që garojnë në elitën e Spanjës dhe disa të tjera europiane.

Mesfushori nga Mitrovica thotë se është dashuruar në kampionatin spanjoll.

“Jam në bisedime me disa klube, por nuk ka asgjë konkrete. Nuk dua të zbuloj asgjë, përderisa nuk ka asgjë konkrete. Është e mundshme që do të qëndroj në La Liga, por nuk përjashtohen edhe ligat e tjera. Dua që të jem i kënaqur në të gjitha anët. Ka mbetur të shohim se çfarë vendimi do të marrë ditët në vijim”, ka thënë Rama.

Rama me Vajadolidin kishte kontratë edhe një vit, por për shkak se kjo skuadër nuk arriti të mbijetojë, kontrata u prish me marrëveshje të dyanshme.

26-vjeçari Rama te Vajadolidi u transferua në janar të vitit 2013. Në 31 paraqitje shënoi një gol dhe kontribuoi me një asistim.

“Unë do të firmos kontratë me klubin, ku unë do të vlerësohem dhe ku do të ndihem mirë”, ka theksuar Rama.

Rama vlerësohet një ndër futbollistët shqiptarë më teknikë. P

ër nga stili i lojës, sipas ekspertëve të futbollit, atij më së shumti i përshtatet kampionati spanjoll

. Edhe vetë Rama thotë se i është përshtatur shumë stili i lojës. Pëlqen lojën me top dhe të driblojë. Ai kujton edhe golin e bukur që e shënoi “Alla Mesi” kundër Atletik Bilbaos.

“Kujtime të bukura kam nga Spanja, që nga momenti i firmosjes së kontratës. Debutimi kundër Malagës, fitorja kundër Barcelonës dhe goli që kam shënuar kundër Athletic Bilbaos”, ka shtuar Rama.

Si momente të mira numëron edhe takimin e rastësishëm në dhomën e testit të dopingut me yllin e Barcelonës, Lionel Mesi. Me Mesin pati rastin të qëndrojë për një kohë, ku bëri disa foto për kujtim.

“La Liga është një ligë e fortë, me lojtarë e ekipe të mëdha. Çdo lojtar ka dëshirë të luajë njëherë kundër atyre lojtarëve që i ka idhuj”, ka shtuar Rama. Ish-mesfushori i përfaqësueses së Kosovës më herët ka luajtur për të rinjtë e Esenit në Gjermani, Volfsburg 2, Ingolshtadt, Hanover 96 dhe Orebro në Suedi. Rama është pjesë e ekipit bazë të Kombëtares së Shqipërisë. Ai ka shënuar tre gola në 12 ndeshje për Shqipërinë. Mitrovicasi për ekipin kuqezi debutoi më 26 mars 2013 kundër Lituanisë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje