Valmir Sylejmani ka marrë prej ditës së djeshme një ftesë nga kombëtarja U-21. Duket se mosgrumbullimi i lojtarit në ekipin U-19 të Gjermanisë ka bërë që FSHF të hidhet në sulm dhe të kërkojë që lojtari të jetë pjesë e kuqezinjve.
Ftesa ka mbërritur tek ekipi i Hanoverit, pasi ndihmësi i Xhani De Biazit, Altin Lala ka folur paraprakisht me familjarët, raporton Telegraf.
Menjëherë trajneri i Shpresave, Skënder Gega menjëherë i ka bërë gati ftesën dhe ia ka nisur klubit të Hanoverit. Brenda dy ditëve pritet që lojtari të pranojë kërkesën e FSHF-së për t’u grumbulluar me kombëtaren shpresa në takimin me Hanoverin, çka do t’i hapte rrugë atij për të qenë në kombëtaren e madhe në të ardhmen.
Lojtari në fjalë, sulmuesi 18-vjeçar i Hannoverit, Valmir Sulejmani, ka qenë me skuadrën e Kosovës për ndeshjen ndaj Turqisë, Mitrovicë dhe ndaj Senegalit në 25 Maj.
Sulejmani i rritur profesionalisht në Gjermani, debutoi me Hannover 96 gjatë sezonit të shkuar, ndërsa numëron disa prezenca edhe me kombëtaren e Gjermanisë U-19.
Është vetë talenti që ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me kombëtaren. Gjatë një interviste, ai ka pranuar se dëshira e madhe e familjes së tij ka ndikuar në zgjedhjen e bërë, duke vendosur përfundimisht të braktisë ekipet zinxhir të Gjermanisë.
Familja e Sylejmanit ka emigruar disa vite më parë në Gjermani, ku edhe ka lindur.
Sylejmani e nisi karrierën si futbollist që në moshën 9-vjeçare me ekipin e të rinjve të Hannoverit.
E ardhme e ndritur e pret tashmë sulmuesin 18-vjeçar.
Pak kohë më parë edhe Xhani De Biazi e pranonte se Valmir Sylejmani është në planet e Kombëtares shqiptare dhe se ai është interesuar prej kohësh.
Si shprehej se sulmuesin ka kohë që e ndjek, ai dhe pjesa tjetër e grupit të tij.
“Sylejmani? Po, e njoh shumë mirë. E kam ndjekur prej kohësh lojtarin në fjalë.
Nuk diskutohet që ai mund të luajë me ekipin U-21, por edhe më shumë. Mund të jetë një alternative e mirë për Ekipin A. Jemi duke e parë me kujdes këtë djalë dhe ndoshta në muajt në vazhdim do ta kemi në ekip. Nuk ka diskutim është në planet tona dhe po ndiqet me intensitet”, është shprehur De Biazi.
Sulmuesi kosovar ka arritur të jetë ndër lojtarët më të rinj që ka debutuar këtë kampionat në Bundesligë.
Gjilanasit iu dha hapësira fillimisht me skuadrën e parë të tregojë veten në ndeshjet parasezonale, ku shkëlqeu duke shënuar e asistuar, ndërsa në elitën e futbollit gjerman debutoi vetëm në dy ndeshjet e fundit të pjesës së parë të sezonit.
Edhe para se të futej në skuadrën e parë të Hanoverit, Valmiri kishte arritur që të bëjë ndeshje shumë të mira me skuadrën e dytë, duke shënuar e duke u spikatur si “asistman” vazhdimisht.
Pasardhës i Shaqirit
Edhe pse ylli i Bajern Mynih, Xherdan Shaqiri është vetëm 22-vjeçar, ai ka një pasardhës.
Valmir Sylejmani ka deklaruar se i pëlqen loja dhe stili i Xherdanit dhe dëshiron që një ditë t’i arrijë sukseset e tij.
“Prej të gjithë futbollistëve shqiptarë, më së shumti më pëlqen Xherdan Shaqiri. Ai është i jashtëzakonshëm, për pak minuta shpërthen dhe bëhet më i miri në fushë. Shpresoj që një ditë të arrij sukseset e tij, pasi edhe mua më shumë më pëlqen të luaj në krah të sulmit, për të shfrytëzuar shpejtësinë që kam”, thotë Valmiri.
Indiferenca e Shqipërisë
“Nuk ka pasur asnjëherë interesim nga Shqipëria për mua. Pasi më ka bërë ftesë Përfaqësuesja e Gjermanisë, një njeri më ka ftuar në një kamp të Shqipërisë duke më thënë “eja të provojmë, por duhet t’i paguash vetë shpenzimet, si biletën dhe qëndrimin në hotel”, u shpreh Valmiri, i cili shpreson në një pranim sa më të shpejtë të Kosovës në FIFA dhe UEFA.
“Shpresoj që të pranohet sa më parë Kosova në FIFA dhe UEFA. Pasi nuk mund të qëndrojë futbolli kosovar edhe më tej i izoluar”, kishte deklaruar Sylejmani për Arenën.
Lala zbulues
Altin Lala, ish-kapiteni historik i Hanoverit dhe pjesë e Kombëtares kuqezi, e pati dalluar talentin e tij që kur luante me skuadrat e moshave dhe ishte ende shumë i ri, pra vetëm 15-vjeç. Madje, Sylejmani është cilësuar nga Lala si një futbollist i talentuar dhe me një potencial të jashtëzakonshëm.