Pedro: Nuk do të jemi spektakolarë si me Guardiolan

31 Korrik 2014, 14:53Sport TEMA

Barcelona vazhdon përgatitjet në Angli për sezonin e ri, me futbollistët e rinj Andre Ter Shtegen, Klaudio Bravo, Xheremi Matje dhe Ivan Rakitic, që janë duke punuar intensivisht për të bindur trajnerin Luis Enrike se e meritojë një fanellë titullari për sezonin e ri.

Deri tani gjithçka duket se ka shkuar mirë për trajnerin e ri, dhe spanjolli Pedro Rodriguez shprehet i kënaqur nga puna e bërë, duke pranuar se ekipi është ende i etur për të fituar trofe, pavarësisht se shfaqet skeptik kur pyetët nëse në fushë do të shikojmë të njëjtën Barcelonë spektakolare:

“Do të jetë e vështirë të përsërisim të njëjtin stil loje siç kemi bërë me Guardiolan. Nuk e di nëse do të fitojmë sërish aq shumë si atëherë, por ne kemi ende dëshirë për të marrë të tjerë trofe. Tani ekipi është pothuajse i plotë dhe po kuptohemi mirë me njëri-tjetrin. Ne do të vazhdojmë të ruajmë të njëjtën filozofi por nuk besoj se do të jemi po aq spektakolarë si dikur pasi dhe kundërshtarët tani kanë gjetur kundërpërgjigje për stilin tonë. Gjithsesi le t’ia lëmë fjalën fushës më mirë”.

Luis Suarez është blerja më e bujshme e kësaj vere por ai do të mungojë si pasojë e pezullimit të FIFA-s. Një ndëshkim që për Pedro Rodriguez ishte paksa i ekzagjeruar:

“Sigurisht nuk na vjen mirë, që do të mungojë për një kohë kaq të gjatë. Vendimi mund të kishte qenë më i butë, por ne e dinim këtë gjë që kur e blemë kështu që jemi përgatitur për mungesën e tij. Suarezin e presim krahëhapur sepse është një lojtar i madh dhe besojmë se me të në sulm do të jemi edhe më shumë të fortë”.

Në fund, Pedro bëri një koment dhe për Çesk Fabregas, duke e cilësuar si një koleg të mirë, i cili do ta ndihmojë së tepërmi në këtë sezon Çelsin në planin e fantazisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje