Ansi Agolli mendon ta mbyllë karrierën te Tirana, aty ku edhe e ka nisur futbollin. Në një intervistë të dhënë, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare rrëfen gjithçka. Futbollisti 31-vjeçar, shfaqet i lumtur për ecurinë e mirë te Karabaku, flet për përfaqësuesen kuqezi, por edhe për ekipin ku e nisi karrierën, ku nuk nguron t’u premtojë tifozëve se do t’i japë fund futbollit si bardheblu.
Klubi juaj Karaku është me një këmbë në “play-off”-in e Champions Ligës, si është atmosfera në ekip pas fitores së djeshme?
Atmosfera në ekip është shumë pozitive pas fitores në ndeshjen e parë. Ishte një përballje e fortë dhe mjaft e luftuar. Fituam, por mendoj se çdo gjë do të vendoset në Salzburg. Ne do bëjmë të pamundur për t’ia dalë, pasi synojmë kualifikimin, ndonëse e dimë që ndeshemi me një kundërshtar të fortë.
Keni përvojë të gjatë në Champions, që kur luanit me Tiranën. Mendoni se kjo eksperiencë do të jetë ndihmë për skuadrën?
Mundohem që eksperiencën që kam fituar te Tirana, por edhe te Kombëtarja, ta përcjell te skuadra ime, pasi dua që ta ndihmoj gjithnjë.
Në ndeshjen e kthimit kundër Salzburgut nuk luan kapiteni Admir Teli, a do t’jua vështirësojë punën kjo mungesë?
Mungesa e Telit do të ndjehet shumë, ai është një futbollist që i jep stabilitet mbrojtjes së ekipit.
Të kalojmë pak te Kombëtarja. Ndeshja e parë kualifikuese për Europianin 2016 është afër, a mendoni se Shqipëria me ketë grup që ka do ta arrijë kualifikimin historik?
Kualifikimi i Kombëtares në një kompeticion të tillë është një ëndërr e përbashkët që na mundon prej vitesh. Ajo që mund të them është se ne futbollistët do të luftojmë fort në çdo ndeshje, pavarësisht se kemi ekipe të forta në grup. Megjithatë, këto eliminatore i nisim me një ekip më të pjekur dhe më të konsoliduar. Nisur nga kjo, jam shumë optimist për të ardhmen.
Më 9 shtator përballeni me Portugalinë e Kristiano Ronaldos, mendoni se keni shanse për t’i rrëmbyer pikë këtij kundërshtari?
Portugalisë i kemi marrë pikë edhe më herët, madje edhe me 10 lojtarë, kur barazuam 0-0. Uroj që ajo ndeshje të përsëritet.
Këtë vit luani edhe me Serbinë, çfarë impakti krijon tek Ansi kjo ndeshje?
E kaluara nuk duhet harruar kurrë, por këtu kemi të bëjmë me një ndeshje futbolli, ndaj duhet t’i kontrollojmë emocionet, dhe t’i shfrytëzojmë në favorin tonë. Do të jenë dy ndeshje të zjarrta ato kundër Serbisë, për këtë jam shumë i sigurt. Do doja t’i fitonim të dyja.
A është e vërtetë që jeni në bisedime me Tiranën?
Jo, asnjë bisedim. Unë kam edhe një 1 vit kontratë me Karabakun dhe drejtuesit e Tiranës e dinë fare mirë këtë. Por meqenëse m’u dha mundësia, dua që të falënderoj tifozët e Tiranës që interesohen duke më kontaktuar, i premtoj që karrierën time do ta mbyll te Tirana.
Kur mendoni ta mbyllini karrierën?
Vitet kalojnë, por për momentin nuk mund ta parashikoj kur do ta mbyll karrierën. Mund t’ju them vetëm që po i shijoj në maksimum vitet e fundit të këtij sporti magjik. Më 11 tetor bëhem 32 vjeç dhe vendlindja ime është Tirana.
(Intervistë e marrë nga “kftirana.al”)
Agolli , mos fol para kohe .
Duke lene menjane se cfare komentoj une per Ronaldon ,ai nga ana profesionale tani per tani eshte numri 2 ne BOTE .
Edhe ne se NE pesojme disfate nga Portugalia ne te 2 ndeshjet nuk eshte ndonje Qamet .