Ish-trajneri i Zvicrës, Otmar Hitzfeld, e ka këshilluar mesfushorin shqiptar të Bajern Mynih, Xherdan Shaqirin, që të mos largohet nga “Alianz Arena”.
Sipas teknikut gjerman, Shaqiri duhet të jetë i durueshëm dhe të presë momentin e duhur për të hyrë në formacionin e parë tek bavarezët, raporton Telegraf.
“Xherdani është e ardhmja e Bajern Mynih. Ora është duke shkuar në favor të tij. Mosha e re është avantazhi më i madh i tij”, ka thënë Hitzfeld.
“Shansat e tij për t’u bërë titullar tek Bajerni janë duke u bërë më të mëdha çdo sezon. Ai duhet të qëndrojë tek Bajerni, mirëpo çdo gjë është e mundshme derisa merkato të jetë e hapur”, tha ai.
Kujtojmë se shqiptari me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit iu bashkua gjigantit gjerman në verën e vitit 2012.
Shaqiri kërkohet nga disa klube të mëdha evropiane, përfshirë këtu edhe Liverpulin.