Intervistë imagjinare guvernatorit të Bankës Kombëtare/ Vetëm hetimi të mos dëmtohet!

15 Gusht 2014, 12:36Blog TEMA

Nga Pëllumb Kulla

 

Zoti Fullani Njerëzit kërkojnë që ju të ikni nga ajo detyrë. Përse qëndroni?

Unë qëndroj që të zbardhet çështja e vjedhjes, që ne të bankës e

kapëm vetë.

Ju lumtë! Jeni vërtet i dëshiruar për zbardhje?

Po aq sa jeni ju i dëshiruar për nxirje.

Çfarë do të thotë fjala “guvernator”?

Vjen nga fjala guvernim, që do të thotë qeverisje.

Pra, ju qeverisët në mënyrë të tillë, sa u vodhën shtatë miliardë lekë kollaj- kollaj! Nuk janë ca si shumë?

Kam qejf të thoni shtatëqind milionë, se janë të reja dhe do ta shikoni që duken më pak. U bënë vite që lekun ne e nxjerrim të ri dhe ju e lexoni të vjetër! Doni t’i rëndoni gjërat?

Ku janë gabimet e qeverisjes?

Nuk flas se prishim hetimet. Ne po bashkëpunojmë me prokurorinë në partneritet të plotë. Dhe po nxjerrim gabimet tona të përbashkëta.

Të përbashkëta, dmth, gabimet tuaja dhe gabimet e prokurorisë?

Të kujtdo qofshin ato!

Dhe do t’i shohim më së fundi ato gabime?

Do të shikoni vetëm gabimet e prokurorisë!

Po tuajat?

Nuk lejohet. Destabilizohet sistemi bankar.

Në cilat fusha bashkëpunoni me prokurorinë?

Kemi miratuar një program me disa pika. Programi përfshin:

1. Miratimin nga ne të prokurorëve që na hetojnë.

2. Hartimi i përbashkët i listës së arrestimeve…

Arrestimeve të njerëzve tuaj?

Edhe njerëzve të prokurorisë, po e mbushi ndonjëri kupën! Më lejoni të vazhdoj:

3. Një drekë e shtruar nga ne, në Dajti…

Në Hotel Dajti?

Jo, në mal të Dajtit! Dhe pika e fundit, 4. Një ndeshje volejbolli e ekipit të femrave të prokurorisë me ekipin femëror të bankës tonë.

Oh, pa shiko! U bënë modë tani këto ndeshje të mëkatarëve me drejtësinë. Pas Lazaratit kam dëgjuar se do të bëhen disa ndeshje të llojit. Është një ndeshje që do të bëhet mes policisë dhe të kërkuarve nga Interpoli, një ndeshje tjetër midis ish- të burgosurve me hetuesit e tyre, dhe një ndeshje interesante mes pronarëve dhe atyre që u kanë zënë pronat! Shikoni se këto ndeshje janë ogurzeza. Kam parasysh Lazaratin që fitoi ndeshjen e futbollit me policinë, por humbi davanë.

Është një arsye që ne ta lemë prokurorinë të na mundë… Në volejboll!

Pra, ju e dini rezultatin e hetimeve dhe nuk do të lëvizni nga ai post. Nuk lëvizni ngaqë keni gjetur rehat?

Nuk lëviz ngaqë dua që të ndihmoj deri në fund hetimin.

Sa zgjat ai?

Nuk e di. Ka pasur raste nëpër botë edhe dhjetë vjet. Di një rast në Kuala Lumpur unë, hetimet zgjatën trembëdhjetë vjet!

Si e shfajësoni veten që drejtor të Thesarit emëruat burrin e mbesës?

Nuk flas se prishen hetimet. Dhe hetimi i drejtë është në interes të vendit, të atdheut!

A është e vërtetë që përditë pjesëtarëve të familjes suaj kudo që janë, u vjen gjella e gatshme nga restorante të posaçme dhe paguhet me paratë e bankës?

Nuk flas, se dëmtoj hetimet. Dhe hetimet…

Janë në interes të atdheut, e kuptoj! A nuk është si shumë një drekë për një njeri, që bankës t’i faturohen njëqindetetëdhjetë mijë?

Pse i fryni këto? Thoni tetëmbëdhjetë mijë! Ju pëlqen të akuzoni me të vjetra!

A është e vërtetë që rroga mesatare e punonjësve të Bankës së Shqipërisë është dhjetë milionë në muaj?

E fryni. Është vetëm një milion! Ju pëlqejnë të vjetrat se akuzojnë më fort. Ajo është paga mesatare, por tek unë ka njerëz që marrin shumë më pak.

Nuk e besoj se jeni ju ai që merrni më pak. Sa merrni ju?

Pengoj hetimet.

Po pastrueset? Thuajeni rrogën e tyre, pa penguar hetimet!

Katërqind mijë!

Të vjetra! Tani ju pëlqen juve të flisni me të vjetra!

E po ju ashtu e kuptoni më mirë.

Sa e bletë Hotel Dajtin? Përse ju duhej ai hotel i bukur dhe përse e keni lënë gërmadhë? Apo nuk përgjigjeni, se pengoni…

… Hetimet. Pikërisht. Nuk flas.

Banka e Shqipërisë tuaj, – më falni! – Banka juaj e Shqipërisë bleu vetëm Hotel Dajtin?

Vetëm atë. Nuk na eci po kishim ndërmend të blinim edhe bulevardin e madh megjithë Skënderbeun, i cili, ashtu hipur mbi kalë, na pengon të sodisim Dajtin.

Hotelin?

Jo, malin.

Përse nuk i bletë?

Për bulevardin protestuan taksistët. Për monumentin, na erdhën

ca kërcënime nga krutanët.

Të ndalemi tek Dajti…

Te mali?

Jo, te hoteli. Hoteli para se ta blinit ju ishte i…?

…i shtetit shqiptar.

Po ju çfarë banke jeni? E cilit shtet?

E shtetit shqiptar.

Pra, banka e shtetit shqiptar bleu hotelin e shtetit shqiptar dhe tani ai hotel është përsëri pronë e shtetit shqiptar. Mos keni ndërmend t’ia shisni qeverisë së Ramës?

Nuk flas. Pengoj hetimet. Guvernatori, sipas jush, nuk mund të

Urdhërojë, të shesë dhe blejë?

Shitblerjet i bën, po urdhrat i jep ai që komandon.

Ti mendon se më komandon njeri muaaaa?!

Meqënëse fyheni, atëherë kjo tregon se që nga ky post kyç ju keni shtrirë dorën drejt ca burrave dhe i keni zënë ata në një vend që nuk thuhet, dhe ua shtrëngoni… Pra, komandoni ju? Ju lutem, përgjigjuni!

Ore, nuk flas sikur përpjetë të hidheni! Mos doni që të dështojnë hetimet? Turp t’ju vijë! Nuk ju dhimbsen paratë e shqiptarëve! O, i gjori popull, kundër teje kanë rrëmbyer kazmat e po të hapin gropën!…

19 komente në “Intervistë imagjinare guvernatorit të Bankës Kombëtare/ Vetëm hetimi të mos dëmtohet!”

  1. politikanet e leshit says:

    Bravoooooo!!!!!

    1. vogelush says:

      Xhaxhi Pellumbi, si do te fliste xhaxhi Salushi cdo dite ne Tv ne qoftese xhaxhi Fullhani do te ishte me xhaxhi Ramen?

    2. Vlonjati 12 says:

      Flitet me e drejte per blerjen e hotel Dajtit, qe mendonte t’i bente zyra per Banken Shqiptare, e qe deri tani nuk eshte bere asgje. Me shumat e paguara per qerane mujore ne zyrat ku ndodhte sot Guvernatori ( ne sheshin “Avni Rustemi ” ) do ishte perfunduar rikonstruksioni i hotel Dajtit dhe nuk do te vazhdonin te hidhnin leke te tjera ne hava. Ky lloj pislleku eshte pjese e mendesise te nje ekonomisti idiot, qe per fat te keq shqiptaret e kane ne krye te Bankes. Prandaj ky hajdut duhet te shporret nje ore e me pare e te mos ia shohim me syte.

  2. Artan plaku tapi kucov says:

    Bravo je i madh sic ke qen

  3. NjeQytetarOptimist says:

    Gjeniale..

  4. Metri says:

    Eh.. Pellumb iku koha kur fjalet e tua rendonin e zinin vend.
    E kush te pjerdh ty tani.
    Gjithsesi bravo nga ana ime.

  5. PYETJA says:

    Po kujt ja ke kushtuar,o i nderuar?,Fullani eshte dru,kercu,po ama me vlere te jashtezakonsheme per parine e shqiperise.

  6. reforme e thelle says:

    Te lumte mendja.Kane ngelur shuma pak si puna jote ne Shqiperi , prandaj u katandisem ne kete menyre

  7. Vunoi says:

    Z.Kulla une dua te shtoj se kariera ime s’mbaron ketu,ne evente te tilla te tjeret hyping shkallet hirarqike.
    Trimi I mire me shoke shume apo jo?
    Sa per hetimet,mos me akuzoni kot,ato jane “delicate”jo vetem per mua
    por edhe per pusht-etar te rendsishem te sistemit.Kjo eshte arsyeja qe une nuk flas dot,po ashtu edhe instancat e larta te cilat nuk duan
    “destabilizimin”Te hapet gurgule e madhe? Nuk i intereson popullit.
    Ne per te miren tuaj vegjetojme.

    Autori,pershendetje, me respekt

  8. Goni says:

    Intervista imagjinare thua. A ka mend Fulltrapi te jape pergjigje kaq “fine”. Jo, por ka kellqe te qendroje ne fronin e Bankes. Kesaj cti besh o Pellumb. Nese nuk leviz Fullani te levize Banka.Ta marre ne shpi te vet se ka toke e prona ne Baldushk. A po me gjithe staf e keshill mbikqyres. Se vetem keshtu parate ska si dalin jashte prones se vet.

  9. Luan says:

    Une si besimtar tek Zoti, kam nje respekt te jashtezakoneshem per Rilindasit tane te medhenje.
    Me poshte disa vargje nga Noli :

    Dhe një zë vengon nga lumi,
    Më buçet, më zgjon nga gjumi,
    Se mileti po gatitet,
    Se tirani lebetitet,
    Se pëlcet, kërcet furtuna,
    Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
    Skuqet Semani dhe Drini,
    Dridhet beu dhe zengjini.

    Ah jo , nuk dridhen aspak . Por sic thote populli ishallah e gjene prej Zotit .

  10. Shelegura says:

    z,kulla,
    ju vini nga ai vent qe emrit ,pune, i ka dhene vlere devollit ini nga ajo nahie qe nuk gjen sot ne kete anarshi as nje meter tok pa punuar , ajo nahie ka lezet fjala me humor dhe puna me djerse ini nga nahia e dritero agollit ,ikish lezet shkrimi para disa diteve per keta hajdute pa ane dhe funt

  11. 1* says:

    I nderuar z. Pëllumb Kulla.

    Shumë bukur i ke thënë të gjitha, por ato janë thjesht një trillim i Juaji, se për sa i përket z. Full-hani, ai nuk lidh dot mendime të tilla. Dhe as që mundohet ta bëjë një gjë të tillë. Ai di vetëm të fryhet si gjel, të hajë e të pijë mirë, të bëjë “qoka” e “ndere” kur i a do puna (si në ratsin e hotel Dajtit, punësimet neopotike, financimet e ushqimit të nëpunësave e të familjes së tij, përdorimin e karburantit për Partinë apo njerëz të besuar,etj, etj,që ti i ke përmëndur.). Atij si kudo, në udhëheqje e drejtim materialet i a përgatisin të tjerët, ai vetëm sa i nënëshrkuan e i lexon diku që kërkohet, si në Parlament psh.

    Kot, për muhabet si i thonë fjalës, ne jemi me mijra vetë që kemi punuar nëpr banka të ndryshme, në pozicione të ndryshme dhe per mbi 20 e 30 vjet. Me sa mbaj mend vetëm një person, që quhej Yzedin, apo më pas Ll.B., N.H. apo dhe vetë B.Çollaki ( i jati i Çollakut të sotëm) e ndonje tjetër kontrollonin gjitha bankat e Shqipërisë , duke përfshirë edhe atë qëndroren, pamvarsisht nga emri.Asgjë nuk shpëtonte pa kontrolluar e pa marrë masat përkatëse. Kudo kishte rregullore të qarta e të plota për ruajtjen e administrimin e parasë, përpunimin e saj në Thesar, kontrollin fizik apo teknologjinë ( ku kasetat ose disqet ruheshin per 6-muaj),etj,etj, masa. Nuk e di si mund të shfajësojë vehten Full-hani, nga këto parregullsi që ekzistojnë në një Bankë Qëndrore, që drejton ai prej vitesh.

    E fundit,- më habit fakti që u bënë gati dy javë e nuk po del ndonjë çudi e re në Shqipëri, që njerzit të harrojnë “çudinë Full-hani”.

  12. Vicidoli says:

    Fullanasha lidhi barkun per te ulur shpenzimet

  13. sali says:

    Kopliment, si gjithmon me humor e sarkazem.Po kjio ltervista do ju. Vlente dhe prokuroreve’qe te ndertonin pyerje per ujkun,jo per gjurmet e tij.dhe si per te demaskuar me teje kete maskarade,eshte citimi I shitblerjes brenda shtetit te hotel dajtit.komedit alla berishjane.

  14. Gjonoshati says:

    Ma mbani vallen, ma mbani
    Qeshet zgërdalla Fullani,
    Ta heq vallen gjer në fund,
    Unë në krye shaminë do tund,
    Ju të tjerët që pas më vini
    Veç të mira do të kini,
    Do të hani e do të pini
    Nëpër bankete zengjini,
    Do t’i kini si gjer më sot,
    E di unë se ku kullot,
    Pse kam ditë si të kullos
    Për ne deti u bë kos
    Dhe ne luga nuk na humbi,
    Pritni se s’ka ardhur fundi
    Ndaj shaminë më lart e tundi…

  15. Gjaton Toroveci says:

    Sa me te sheqerosur e paraqesin jeten ne Shqiperi qeveritaret, aq me te hidhura jane shkrimet e Pellumbit. Ky zeher na kalon ne shqiptareve e shperrthen ne formen e te qeshurave. Ne te njejten kohe i ben qytetaret te mendojne shume. Me mire do te ishte qe paskesaj te veprojne. Urimet me te sinqerta per kete njeri e qytetar te vertete.

  16. qytetar says:

    shume e bukur kjo satire, bravo Kulla!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje