Për vitin akademik 2014-2015 në Institutet e Arsimit të Lartë Publik shtetëror mund të hyjnë praktikisht të gjithë ata që kanë mesataren mbi notën 6. Konkretisht 76% e nxënësve që plotësuan formularin A2 ditët e fundit hyjnë në Universitetet publike.
“Në total akorduam 19 196 kuota, pra kemi akorduar praktikisht vend për pothuajse cdo student, i cili e kishte notën më të lartë se 6. Ose kemi akorduar mjaftueshëm vende publike për 76 % e nxënësve që plotësuan formularin A 2 gjatë viteve të fundit”, tha zv/ministri i Arsimit Arbjan Mazniku.
Në konferencë për mediat, ai sqaroi se kuotat u përcaktuan në bazë të kërkesave të bëra nga Senatet e Universiteteve. Gjithashtu ai hodhi poshtë dhe akuzat e PD-së lidhur me mbylljen e filialeve të universiteteve shtetërore.
“Në krahasim me kuotat e kërkuara nga universitetet, pra 22 mijë kuota, janë miratuar 2800 kuota më pak”, tha ai.
“Nuk janë miratuar kuotat për 25 programe studimi që kishim më pak se 10 studentë në vitin akademik 2013-2014. Për 14 programe studimi ku studentët ishin me notë mesatare nën 5.5. Në 23 programe të filialeve publike të pezulluara nga qeveria, dhe për 13 programe në Akademinë e Arteve të Shkodrës”, tha ai.
Sipas Maznikut nëse këta studentë do të ishin orientuar në degët zanantit, sot do të ishin në punë. Duke folur për rritjen e tarifës së studimit Mazniku tha se është respektuar kërkesa e Senateve të universiteteve.