Mediu i vetmi që mund të mbështesë qëndrimin e demokratëve/ PD vijon bojkotin edhe në sesionin e ri

31 Gusht 2014, 13:44Politika TEMA

Partia Demokratike mund të vijojë bojkotin ndaj Parlamentit edhe në sesionin e ri parlamentar, deri në një vendim të dytë.

Burime nga partia më e madhe opozitare konfirmojnë për TemA se deputetët e kësaj partie nuk do të jenë prezent në seancat plenare dhe në Komisionet Parlamentare, duke mbajtur të njëjtin qëndrim sikundër në muajt e fundit në raport me Parlamentin.

Megjithëse të hënën është paralajmëruar një mbledhje e Grupit Parlamentar demokrat, ku i është bërë ftesë të jenë të pranishëm edhe deputetë të partive të tjera opozitare, burime nga PD shprehen se vendimi për ligjvënësit e partisë më të madhe opozitare do të jetë i pandryshueshëm. Kjo sipas demokratëve ka të bëjë me qëndrimin dhe sjelljen e mazhorancës parlamentare, e cila konsiderohet si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Partia Demokratike vendosi të bojkotojë punimet e Kuvendit, sikundër shmangu cdo ceremoni të organizuar nga Parlamenti shqiptar apo Kryetari Ilir Meta, me pretendimin e dhunës dhe presionit ndaj deputetëve të saj nga ligjëvënës socialistë që akuzohen për të shkuarën kriminale.

Por këtij pretendimi, demokratët i kanë shtuar edhe mbledhjen e Komisioneve parlamentare të Ligjeve dhe Sigurisë, ku u rrëzuan dekretet e Presidentit të Republikës, dhe përfshirjen e tyre në rendin e ditës të seancën së të hënës, e para për sesionin e ri parlamentar, duke miratuar kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit, jashtë afateve kohore për nisjen e sesionit parlamentar.

“Mazhoranca vijon me të njëjtën sjellje, duke shpërfillur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve dhe më pas e Komisioneve parlamentare, pa nisur sesioni parlamentar, i cili zyrtarisht nis të hënën e parë të muajit shtator. Pra mazhoranca PS-LSI në vend që të reflektojë ndaj rasteve të dhunës, presioneve dhe kërcënimeve ndaj opozitës ka thelluar shkeljet kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, të cilat tensionojnë situatën politike në vend dhe detyrojnë opozitën të mbajë të njëjtin qëndrim në raport me Kuvendin, duke mos u bërë pjesë”, theksojnë burime nga Partia Demokratike.

Mësohet se Partia Demokratike do të vijojë të denoncojë, ashtu sikundër deri më tani, emëromet në administratë të individëve që sipas saj kanë lidhje me krimin apo janë dënuar për vepra penale.

Burime theksojnë se betejat me Qeverinë do të zhvendosen në Gjykatën Kushtetuese për të gjitha ligjet e miratuara nga mazhoranca që për Partinë Demokratike konsiderohen në kundërshtim me Kushtetutën apo ligjet e tjera ekzistuese, apo kur shkelen kompetencat e institucioneve të pavarura.

Duket se ky qëndrim do ti bëhet të ditur edhe partive aleate të PD-së, megjithëse republikanët e Fatmir Mediut në takimin e fundit kanë mbështetur kthimin e opozitës në Kuvend, duke shfaqur një qëndrim të ndryshëm nga ai i mbajtur deri më tani.

“Ne do diskutojmë më deputetët për qëndrimin e opozitës ditën e hënë. Edhe ndërkombëtarët janë në të njëjtën linjë me opozitën. Diskutimi i sotëm në Gjermani tregon shqetësimin e ndërkombëtarëve për funksionimin e demokracisë, që është detyrë si për Edi Ramën edhe për çdo qytetar. Opozita kërkon që çdo gjë të vendoset në rrjedhën normal, institucioni i Kuvendi t’i kthehet debatit dhe jo dhunës”, theksoi Mediu pas takimit të zhvilluar me kreun demokrat Lulzim Basha.

Ndërkohë kreu i PDK-së Nard Ndoka ka deklaruar se do të jetë në seancat parlamentare dhe komisione. Gjithashtu mësohet se edhe deputetët e PDIU-së, forca e dytë politike në opozitë, do të jetë pjesëmarrëse në punimet e Kuvendit. Burime nga kjo parti konfirmojnë se ashtu sikundër në sesionin tjetër, edhe në sesionin e ri, deputetët e PDIU do të mbështesin me votë miratimin e ndarjes së re territoriale. PDIU nuk iu përgjigj ftesës së bërë nga Basha për t’u konsultuar në lidhje me qëndrimin që do të mbajë opozita ndaj Kuvendit, ndërsa mësohet se me shumë gjasa sërisht deputetët e kësaj partie nuk do të jenë prezent edhe në takimin që është thirrur për tu zhvilluar të hënën.

Në një situatë të tillë, duket se Partia Demokratike do të ketë mundësi të bindë vetëm republikanët e Mediut për të vijuar bojkotin parlamentar deri në një vendim të dytë, pasi PDIU dhe PDK me shumë gjasa nuk do të mbështesin bojkotin.

Në anën tjetër Partia Demokratike po shqyrton mundësinë për të çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e marra në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe Sigurisë, në të cilat u rrëzuan 5 dekretet e Presidentit të Republikës në lidhje me 5 ligje të miratuara në seancën parlamentare të 31 Korrikut. Ligjet që nuk u dekretuan nga Presidenti ishin Reforma Territoriale, ai për Gjykatën Administrative, për Policinë e Shtetit, për organizimin dhe funksionimin e KLD dhe ai për shkollën e Magjistraturës.

Dekretet u rrëzuan në mbledhjen e Komisioneve parlamentare, ndërsa argumentet e përdorura nga Presidenti për kthimin e ligjeve në Kuvend u konsideruan qesharake. Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho i drejtoi një apel kolegëve të tij të mazhorancës për ti dhënë fund situatës qesharake, pasi sipas tij, argumentet e Kreut të Shtetit, po përsëriten për çdo ligj. Braho akuzoi Presidentin Nishani se ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkelur Kushtetutën.

Taulant Balla ka konsideruar si qesharak argumentin e Presidentit për të kthyer ligjin për shkak se Policia e Shtetit humbiska pavarësinë meqë ministri qenka politik.

Deputeti Paulin Stërkaj tha se Presidenti Nishani nuk ka moralin të kthejë ligje pasi është votuar me shumicë të thjeshtë.

“Ky President nuk ka moralin të kthejë ligje pasi është votuar me shumice të thjeshtë, ndërkohë që ky ligj është votuar me shumicë të cilësuar. Po të votohet sot ky President as 35 vota si merr se kështu është katandis ky President”, tha Sterkaj.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho ka ironizuar Kreun e Shtetit duke i kërkuar kolegëve të tij deputetë që të mos “copëtojnë” Kreun e Shtetit duke shfrytëzuar këto dekrete, pasi ai është në hallin e tij.

Në anën tjetër Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rrëzimin e dekreteve qysh në seancën e parë, duke theksuar se nuk ka më kohë për të humbur me argumentet e PD që vihen në gojën e Presidentit për të rrëzuar ligjet e miratuara me shumicë të cilësuar.

Partia Demokratike i ka konsideruar mbledhjet e Komisioneve parlamentare dhe Konferencës së Kryetarëve para nisjes së sesionit të ri parlamentar si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat Edi Paloka thotë se mbledhjet e komisioneve janë thirrur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit. Ai citon nenin 74 të ligjit themeltar të shtetit, në të cilin thuhet se “Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit”.

Sipas Palokës “ashtu siç parashikohet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Parlamentit, punimet e Kuvendit, pra edhe të komisioneve, duhet të fillojnë të hënën e parë të shtatorit, më datë 1, dhe nuk mund të nisin të premten e fundit të gushtit”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e maxhorancës kujtojnë se edhe më parë ka pasur precedentë të ngjashëm kur Parlamenti është mbledhur më herët. Rasti më i fundit, sipas tyre, është ai i mbledhjes së Kuvendit një javë para afatit më janar 2013, kur u zgjodh edhe kryeinspektorja e re e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Komisioni i Ligjeve u mblodh më 18 janar, ku shqyrtoi dy dekretet e Presidentit, ndërsa Parlamenti më 21 janar votoi për Zana Xhukën.

 

7 komente në “Mediu i vetmi që mund të mbështesë qëndrimin e demokratëve/ PD vijon bojkotin edhe në sesionin e ri”

  1. askushi says:

    Mediu duhet te ishte ne burg per trafik droge I kapur ne Itali, per krimin e gerdecit per vjedhjet dhe shkaterrimin e mjedisit me nje dem te parparueshem per pasurine tone kombetar. Sa per pr (partia e rrjepesve) ajo eshte mire te mos ekzistoje dhe te vazhdoje te shpenzoje parate tona. 8 vjet ne qeveri nuk Beri asgje per pronat, per kombin dhe me keq per familjen si vlerat qe medi gerdeci I ka bazen e programit te gjoja partise se tij me 200 vete.

  2. taso kume says:

    BEJNE shume mire qe nuk marin pjese se jane te gjithe BASTARDE,ajduta keto fytyra te qelbura na felliqin dhe parlamentin dhe ekranet e televizorit me mire mos ti shikojme.

  3. mira2000 says:

    OK z.Taso po rrogen me duket se e marrin
    kokerr ne kokerr edhe duke munguar!???

  4. B. says:

    Kur nuk shkon ne pune, nuk duhet te marresh as rrogen.

    Per me teper nuk i detyroi kush te bejne kete pune. Po s’u pelqehu, te ikin e te vijne te tjere qe kane deshire te punojne!

  5. Bashkekombas says:

    Mire ben Mediu kur nuk ja con ceshtjen PS atij dhe Shkelzenit ne Gjykaten nderkombetare penale per humbjen e 26 vetave ne Gerdec. Nuk e di pse Mediu i shkon akoma nga mprapa Saliut lere plakun ne ditet e tija tani, lere ne budallekun e vet. Nuk e di pse duhet ta kesh frike vetem neqse ka ndonje problem tjeter qe nuk e dine njerzit qe ai e mban te lidhur kaq shume pas vetes Edhe dosjen per problemet e trafikut te droges me fieraket e tjere ja ka mbyllur Nano ne Itali ne vitet 2000 Me shume duhet tja dije PS per nder se sa PD. Megjithate nqse i ri nga mprapa per mos i prishur qefin nje plaku ne agonine e tij eshte tjeter gje.

  6. alby says:

    t’u pritet rroga bashke me koken.
    Te filloje nga Sali-qeni e palloshka

  7. sali says:

    KY PALO.JA AKOMA PROVIZOR ESHTE.GJYNAH QE SE BEJEN DEFINITIV,AY FLET BUKUR,QART DHE TERE IDE.PO SIDUKET GRUPI DEMOKRATURE E I DEPUTETEVE TE PD DHE EMRIN DO TA NDEROJEN,SE NUK JU VJEN PERSHTATI.DEPUTETI VENDIN E PUNES E KA NE KUVEND.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje