Bashkia e Tiranës nis projektin për sistemin e varrezave /Bozdo: Rama të zhbllokojë projektet

7 Shtator 2014, 13:33Sociale TEMA

Më një investim prej 3 milion dollarësh Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për sistemimin e varrezave të Tufinës dhe Sharrës.

Zbatimi i projektit, sipas Bashkisë së Tiranës nisi pas zhbllokimit nga Gjykata të buxhetit, i cili u mbajt i bllokuar nga kryeministri Rama për rreth 7 muaj.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, bllokimi i buxhetit solli përveç bllokimit të investimeve dhe bllokimin e shtimit të hapësirës së varrezave në Sharrë dhe Tufinë. Sipas Bozdos, bllokimi i varrezave nga kryeministri Rama është një akt i paprecedent në botën e qytetëruar.  

“Jemi këtu për të bërë inspektimin mbi punimet për sistemimin dhe rehabilitimin e varrezave një investim 3 milion dollarë i cili ka filluar të japi frytet e veta që tani, pas 7 muaj bllokimi të buxhetit të Bashkisë së Tiranës nga kryeministri Edi Rama”, deklaroi Nënkryetari Bozdo gjatë inspektimit nga afër të punimet në varrezat e Tufinës. 

Projekti parashikon rehabilitimin, sistemimin, ndriçimin, gjelbërimin, shtrimin e rrugëve të brendshme rrethimin e jashtëm, ofrimin e sipërfaqeve për shërbimet e fundit, për familjet gjithashtu. Projektet për të dy varrezat parashikon zgjerimin me një sipërfaqe afër 10 mijë metër katror këtu në Tufinë, dhe 15 mijë metër katror, në Sharrë. Projekti parashikon edhe varrezë murale, dhe mendoj se nëpërmjet kombinimit të këtyre gjetjeve, ne mund të kursejmë edhe vend, dhe të ofrojmë shërbimin e duhur për qytetarët e Tiranës. 

Më tej Bozdo ka theksuar se bllokimi që Edi Rama po i bën projekteve të Bashkisë është në dëm të qytetarëve të Tiranës dhe përmirësimit të cilësisë së tyre të jetës. 

“Për fat të keq bashkë me varrezat janë bllokuar në këto 7 muaj të gjitha investimet në infrastrukturë, shkolla, kopshte, çerdhe, në mbjellje të reja. Zhbllokimi i buxhetit u mundësua vetëm me anë të dy vendimeve të gjykatave.

Ky është një lajm i mirë për Tiranën, për qytetarët e Tiranës, por nga ana tjetër, për fat të keq, projektet thelbësore, themelore të Tiranës, projekte të cilat kanë potencialin për ta shndërruar Tiranën përfundimisht, projekti i bulevardit, projekti i tramit, projekti i terminalit multimodal, projekti për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve në Tiranë, për shkak të kryeministrit Edi Rama vazhdojnë të mbeten ende të bllokuara.

Kjo nuk është kurrsesi në dobi të qytetarëve të Tiranës, në dobi të interesave të tyre. Në emër të qytetarëve të Tiranës i kërkojmë kryeministrit Rama të heqë dorë nga bllokimi për Bashkinë e Tiranës dhe t’i mundësojë Tiranës zhvillimin si një qytet metropol, europian”, tha Bozdo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje