Qeveria miraton vendimin për krijimin e fondit në mbështetje të grave sipërmarrëse. Sipas vendimit, ky fond është me vlerë të përgjithshme 26 500 000 lekë, për një periudhë zbatimi për 4 vjet.
Fondi i krijuar fillon të zbatohet në vitin 2014 me këtë shtrirje kohore dhe sipas vlerave të mëposhtme:
a) Për vitin 2014, vlera e fondit të jetë 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.
b) Për vitin 2015, vlera e fondit të jetë 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
c) Për vitin 2016, vlera e fondit të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
ç) Për 2017, vlera e fondit të jetë 9 000 000 (nëntë milionë) lekë.
Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, përveç buxhetit të shtetit të parashikuar si më sipër, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.
Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse ka për qëllim subvencionimin e normës së interesit të kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat drejtohen nga gratë si pronare apo administratore.
Kjo skemë konsiston në pagesën e interesave për kreditë e marra nga gratë dhe që do të përdoren për investime në biznes. Ndihma financiare do të mbulojë 50 % të normës së interesit, për 4 (katër) vite radhazi, dhe jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për një kredi, për ndërmarrjet që do të ushtrojnë veprimtaritë e tyre në:
a) sektorët prodhues dhe të shërbimit;
b) sektorin e industrisë së lehtë, kryesisht në industrinë e përpunimit aktiv (fason);
c) sektorin e turizmit;
ç) fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
d) procesin e agropërpunimit;
dh) fushën e disenjimit, modelimit, artizanatit.
Përfitimi i këtyre ndërmarrjeve nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucione financiare ndërkombëtare nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond. Gëzojnë të drejtën për të përfituar nga kjo skemë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të drejtuara nga gratë, të cilat janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit e zhvillojnë veprimtari në fushat e përcaktuara sipas pikës 4, të këtij vendimi, dhe që plotësojnë, veçanërisht, kushtet e mëposhtme:
a) Të jenë ndërmarrje, të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar.
b) Të kryejnë aktivitet tregtar për jo më pak se 12 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.
c) Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit.
ç) Në planin e tyre të biznesit të parashikohet krijimi minimalisht i 1 (një) deri në 3 (tre) vendeve të reja të punës brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit.
d) Të prodhojnë produkte ose të ofrojnë shërbime, që tregtohen apo që mund të tregtohen në nivel ndërkombëtar dhe që gjatë procesit i japin një vlerë të shtuar, të konsiderueshme, produktit përfundimtar.
dh) Të argumentojnë se aktivitetet që propozohen për mbështetje nga fondi janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, nëpërmjet:
i. një vlerësimi mbi përfitimet e biznesit nga përmirësimi, në bazë të të cilit do të zhvillohen aktivitetet e propozuara;
ii. një plani biznesi ose një projekti duke argumentuar sa më sipër, i cili do të integrohet dhe do të materializohet më tej nga aktivitetet e propozuara.
e) Të garantojnë për zbatimin e duhur dhe në kohë të aktiviteteve të propozuara.
Në projektet që aplikohen duhet të identifikohen dhe të përshkruhen detyrimisht:
a) qëllimi i projektit;
b) termat e referencës për të gjitha aktivitetet që duhen nënkontraktuar;
c) mënyra e menaxhimit të projektit, sistemit të monitorimit dhe vlerësimit;
ç) në mënyrë të hollësishme veprimtaritë që do të kryejnë;
d) indikatorët e verifikueshëm;
dh) buxheti i detajuar, duke përfshirë burimet financiare dhe/ose të ardhurat;
e) rezultatet e pritshme.
Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, përfitojnë nga kjo skemë vetëm një herë.
Kjo shume eshte nje turp!
Aq para sa jepen per te gjithe grate e Shqipersise per 4 vite, u dhane vetem per shtese shpenzimesh per Papen, qe do rrije ne Shqiepri vetm 1 dite.
Kur te boshatiset fondi çdo ndodh?