Piramida që na sfidon të gjithëve...

24 Shtator 2014, 18:53Blog TEMA

Nga Arben Meçaj

 

(www.pol.al)

Nuk ka sondazh në popull, nuk ka raport të institucioneve ndërkombëtare, nuk ka studim që nuk e identifikon si pjesën më të korruptuar të shtetit shqiptar. Nuk ka individ, analist, politikan të pozitës dhe opozitës, që aktualisht t’i dalë në mbrojtje këtij pushteti absolutisht të gangrenizuar të shtetit dhe të guxojë të mos artikulojë domosdoshmërinë e reformimit të plotë të tij. Shkurt, nuk ka bir nënë t’i dalë në mbrojtje Drejtësisë aktuale shqiptare.

Personalisht përkrah tezen filozofike të organizimit të shtetit se drejtësia përbën burimin kryesor të korrupsionit në një vend . Pa drejtësi nuk ka barazi, nuk ka konkurrencë, nuk ka shërbim, nuk ka modernizim, nuk ka shtet. Riorganizimi i shtetit demokratik si imperativ i kohës duhet të fillojë me çdo kusht dhe kosto nga Drejtësia.

Eshtë një aksiomë, lëmë apo definim që pranohet aprioritikisht në unanimitet nga të gjithë. Por si? Kam dëgjuar presidentin, kryeministrin, deputetë, politikanë, analistë etj etj . Ka mbi dy vite që tamtamet e reformimit të drejtësisë shurdhojnë, verbërojnë, manipulojnë opinionin e gjerë dhe rezultati … ASGJE.

Kohë më parë trajtova një analizë të hollësishme juridike vendimmarrjen e Prokurorisë mbi çështjen e masës së sigurisë së Fullanit. Në komente dikush shkruante: “Po dhe jurist u bëre..”. Po dhe jurist jam bërë zotëri dhe përsëri do të vazhdoj me të njëjtën logjikë analitike dhe pse nuk jam” jurist”.

Në gjykimin tim, nuk mund të debatosh mbi reformimin e një sistemi, pa identifikuar bazën ligjore mbi të cilën ai është ndërtuar, filozofine e funksionimit, dhe më tej të analizosh instrumentët për reformim. Do të dëshiroja ta komentonin analizën juridike të fenomenit. Ndoshta ka dhe të meta dhe do të ishte normale por gjithsesi le ta debatojmë.

Shteti demokratik ndërtohet mbi parimin e tre pushteteve (në fakt janë katër ), funksionalisht të pavarur nga njëri-tjetri. Organizimi dhe funksioni i tyre është objekt sa i Kushtetutës, aq dhe i dispozitave të posaçme organike.

Neni 7 i Kushtetutes e sanksionon taksativisht këtë parim “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.”

Po pushteti gjyqësor ?

 

Neni 135 sanksionon se: “Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj”.

Neni 147 sanksionon se organi më suprem, që menaxhon plotësisht organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor është Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenti i Republikës është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Me tej, po ky nen sanksionon drejtpërdrejt: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për emerimin, transferimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve”.

Neni 136 Sanksionon qartazi se: “Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Gjithashtu, të gjithë gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.”

Nga vëzhgimi i dispozitave të mësipërme (të cilat janë absolutisht të vetmet që formatojnë pushtetin gjyqësor në Shqipëri ) konstatohet fare qartë si në Kushtetutë, si në ligjet organike se institucionet e vetme përgjegjëse dhe të ngarkuara për menaxhimin e funksionimit të pushtetit gjyqësor janë Presidenti dhe KLD-ja.

Në asnjë dispozitë të vetme nuk sanksionohet pushtet tjetër – Qeveria apo Parlamenti– me atribute apo kompetenca ndërhyrëse mbi sistemin gjyqësor. Shkurt dhe pa diskutim, referuar legjislacionit shqiptar, këto dy pushtete(Qeveria-Parlamenti) nuk posedojnë asnjë pushtet ligjor të drejtpërdrejtë të ndërmarrin iniciativa kontrolli, procedimi, emërimi, shkarkimi apo reformimi organik në pushtetin gjyqësor .

E vetmja hapësire ku pushtetit ekzekutiv i sanksionohet me ligj pjesëmarrja ( por jo vendimmarrje ) në procesin e mbarëvajtjes së Pushtetit Gjyqësor është Neni 31 (Procedimi disiplinor) i ligjit Nr.8811,   “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Referuar kësaj dispozite : “Ministri i Drejtësisë kryen inspektimin e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit për organizimin dhe punën e shërbimeve gjyqësore, administrimin gjyqësor, si dhe realizon e vendos për procedimin disiplinor të gjyqtarëve të tyre” .

Por kjo vendimmarrje nuk është definitive, sepse kjo vendimmarrje është thjesht një e drejtë për ta paraqitur kërkesën për procedim ndaj gjyqtarëve në KLD, sepse :

“Në përfundim të inspektimit dhe në bazë të rezultateve të këtij inspektimi, Ministri i Drejtësisë propozon procedimin disiplinor të gjyqtarëve para Këshillit të Lartë të Drejtësisë . Eshtë KLD-ja ajo që me një procedurë të sanksionuar në po këtë ligj që vendos shkarkimin”.

Në KLD, pra në pushtetin gjyqësor, qeveria përfaqësohet vetëm me Ministrin ?!

U detyrova të citoja Kushetutën dhe të analizoj dispozita të ligjeve organike që rregullojnë mbarëvajtjen dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, për të riformuluar përfundimisht se: ligjërisht, pushtetit gjyqësor në Shqipëri është një piramidë hierarkike absolutisht e pavarur, me kulm Presidentin e Republikës (me atribute të drejtpërdrejta emëruese, si dhe kryetar i KLD-së ) si dhe KLD-ja si i vetmi institucion kolegjal që menaxhon në të gjitha planet e pushtetit gjyqësor.

E thënë shkurt e qartë: Pushteti gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, me të gjitha cilësite dhe atributet e tij (të mira, shumë të mira, të keqija apo shumë të këqija ) është pjellë drejtpërdrejt e KLD-së dhe Presidentit të Republikës .

Janë këto institucione kushtetuese, të cilat duhet të korrin suksesin e sistemit, por dhe të mbajnë absolutisht përgjegjësi për dështimin e tij .

Por si? Këto institucione krahas atributeve dhe të drejtave kushtetuese për administrimin absolut dhe të pavarur të pushtetit gjyqësor kanë po ashtu dhe mbrojtje ligjore dhe kushtetuese .

Referuar këtyre dispozitave, Presidenti dhe KLD-ja ( antarët e saj ), individë të emëruar, nuk mbajnë ligjërisht asnjë përgjegjësi mbi dështimin e sistemit, mbi kalbëzimin e plotë të tij, mbi dëmin e pakontestueshëm të pariparueshëm e katastrofik që i kanë shkaktuar vendit.

Ndërkaq, referuar legjislacionit në fuqi askush nuk ka kompetencë të ndërhyjë . Çdo ndërhyrje realisht është Antikushtetuese- Antiligjore .

Referuar këtyre dispozitave, Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri mbetet në dorë të “oreksit” (interesave, varësive apo kapjes ) të 15 njerëzve të emëruar . Ata mund të shkatërrojnë sistemin, mund të prodhojnë një sistem tërësisht korruptiv, ata mund të dëmtojnë rëndë interesat e vendit, ata nuk duan të sipërmarrin asnjë aksion reformues. Dhe Ne, përfaqësuesit tanë të drejtpërdrejtë, të zgjedhur prej nesh, të mandatuar me votë të lirë për ndryshim para kësaj “monstër të emëruar ligjore” nuk mund të bëjmë asgjë, perveçse t’i përulemi “ Pavarësisë së Pushtetit”

Kjo Piramidë e emëruar, piramidë e cila nuk ka përgjegjësi ndaj askujt ndaj pushteteve dhe mbi të gjitha ndaj nesh qytetarëve shqiptarë dhe që nuk është produkt i vullnetit tonë të drejtpërdrejtë, ka mbrojtje ligjore për të shkatërruar me produktin e vet endrrën tonë, mundin tonë. përpjekjet tona titanike. Kush janë këta ..

Të emëruarit rezultojnë të mbipushtetshëm. Pushteti i Sovranit i nënshtruar .

Por a mund të pranohet kjo situatë. A mund të pranojmë ne të gjithë që një e drejtë, liri, mbrojtje kushtetuese të pasohet, me apo pa ndërgjegjie, për efekt paaftësie apo me qëllim në një faktor destabilizues të rendit shoqëror, ekonomik, kushtetues të vendit ( Këto janë pasoja që ka prodhuar dhe potencialisht mbart korrupsioni në Drejtësi )

Absolutisht Jo!

Ndërkohë që Opinioni ballafaqohet me premtimet politike të mazhorances qeverisëse. Qytetari i lirë nuk percepton piramidën President -KLD. Qytetari (natyrisht dhe në proces intensiv lavazhi mediatik) percepton votën e dhënë për ndryshim. Ai me të drejtën e zotit i drejtohet mazhorancës për ndryshimin e situatës. Ai e ka mandatuar këtë mazhorancë pikërisht për këtë ndryshim. Realitete që dukshëm kundërshtojnë veten.

Një maxhorancë e mandatuar për ndryshim, por e papajisur me instrumentë ligjore për të realizuar aksione sa ekzekutive aq dhe ligjore reformimi. Një nevojë imediate për ndryshim, për reformizëm, por që absolutisht është në dorë të shkaktarëve të situatës aktuale. Një strukturë me 15 persona të emëruar, që kanë futur sistemin gjyqësor në dekadencë, në kolaps të plotë. Por jo. Ndryshimi dhe reformimi duhet të ndodhë me çdo kusht.

Me këtë sistem drejtësie perspektiva jo vetëm është e errët por pasojat afatshkurtra mund të jenë të pallogaritshme. Një mazhorancë që nuk lufton korrupsionin, që nuk ofron shpresën e zhvillimit, (efekte, të cilat t’i harrojë t’i realizojë me këtë pushtet gjyqësor), është e destinuar të ballafaqohet me reagime popullore, të cilave u duhet fillesa po jo fundi.

Dhe mazhoranca e mandatuar si përfaqësuese e Sovranit (kushdo qoftë ajo) nuk ka përse të paguajë haraçin e një Piramide të emëruar me ligj e që ka okupuar pushtetin e Drejtësisë dhe në papërgjegjshmëri olimpike ka vetëm një produkt: Pushtetin Gjyqësor, strukturën më të korruptuar në Shqipëri .

Ndyshimi duhet të ndodhë pa kushte, përndryshe mazhoranca hap rrugën.

Situata ofron vetëm dy opsione operimi:

Ose PIRAMIDA e emëruar të përgjegjësohet mbi rolin e saj në mbarëvajtjen e vendit dhe në bashkëpunim me Maxhorancen e mandatuar nga sovrani të rifillojë pa kushte reformimin e sistemit gjyqësor, gjë që sipas gjasave nuk ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodhë. Përkundrazi, si një alternativë mbijetese, në horizont po shfaqet riorganizimi i skualioneve të mbrojtjes me armën e “shkeljes kushtetuese”.

Ose Maxhoranca të shfrytezojë pa asnjë kufizim pushtetin e saj legjislativ për të realizuar ndërhyrje të forta dhe përballë qëndrimeve mbi antikushtetuetshmërinë e akteve të saj për reformim radikal të sistemit.

Në konkluzion pusheti gjyqësor aktualisht është pengesa kryesore e zhvillimit progresiv të vendit. KLD-President kanë pasur gjithë pushtetin të ndryshojnë situatën. Ata kanë pasur ndërgjegjen e plotë se ata dhe vetëm ata janë përgjegjësit kryesorë dhe të vetëm të kësaj dekadence. Ata nuk kanë pasur dhe nuk kanë iniciativë dhe vullnet të veprojnë.

Reformimi i pushtetit gjyqësor është jo vetëm imperativ i kohës por dhe detyrim dhe përgjegjësi e maxhorancës së mandatuar qeverisëse . A justifikikohet çdo veprim, qoftë dhe i interpretueshëm ”antikushtetues”, për ndryshimin e situatës? Do të votoja PO-në .

A justifikon mbrojtja kushtetuese një veprimtari që cënon rëndë sigurinë, prosperitetin dhe demokracinë në Shqipëri?Do të thoja JO. Eshtë koha për veprim.

4 komente në “Piramida që na sfidon të gjithëve…”

  1. grereza says:

    Arben Mecaj, votoj edhe une nje PO te madhe qe maxhoranca qe i dhame voten ta kape te keqen nga koka, heqjen e Presidentit te parin dhe pastaj nderrimin e anetareve te Keshillit te Larte te Drejtesise, si shkaktaret kryesore te kesaj gjendje skandaloze me gjithe pasojat potenciale per rrenimin e rendit shoqeror ne Shqiperi, keta jo vetem qe duhen hequr nga postet qe mbajne momentalisht, por duhen ndjekur edhe ligjerish per shperdorim detyre ne dem te interesit publik dhe shteteror!

    Te lumte Arben per nje shkrim shume realist, qe shumica parlamentare duhet ta kete si program te saj ne reformimin e sistemit ligjor!

  2. rezart says:

    PS-ja nuk ka juriste te zote ose Rama ben me koken e tij!
    Cfare jane keta juriste,qe nuk bejne asnje vepri, per te shkallmuar ketev DREJTESI TE KRIMINALIZUAR???
    DREJTESIA NE SHQIPERI MERITON TE SHKULET NGA RRENJET DHE TE NDERTOHET NJE “NGREHINE E RE”!!!
    Po kete nuk mund ta beje Nasip Naco!!
    Nuk kemi degjuar per STRATGJI KOMBETARE apo per KOMISION SHTETEROR!!!

  3. Socialisti bythpambuk says:

    Te nderuar komentues!
    Nuk e kuptoni qe Edi Rama nuk do te reformoje sistemin e drejtesise. PSE?
    Sepse eshte frikacak dhe i pa afte.

  4. rita says:

    …ose i ka këmbët dhe duart e lidhura, nga “brënda” dhe nga “jashtë”…do të shtoja unë për @Socialistin bythpambuk…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje