Hamleti i ç’mitizuar vjen në skenën e teatrit eksperimental

3 Tetor 2014, 12:32Kulturë TEMA

Regjisori  Stefan Çapaliku, në bashkëpunim me Qendrën e Gjermanishtes, sjell për herë të parë në Shqipëri “Hamletmakinën.

Teksti i kësaj pjese është shkruar në vitin 1977 nga dramaturgu gjerman Heiner Müller.

Disa kritikë kanë thënë se drama  ka në qendër të saj dramën e individit intelektual në shoqërinë komuniste, ndërsa disa të tjerë thonë se koncepti i saj duhet parë  në marrëdhëniet post-moderne.

Çapaliku tenton të krijojë referenca me historinë e vonë të Shqipërisë, të tematizojë faza të caktuara historike si dhe të thyejë klishe të mentalitetit.

Çapaliku i referohet të kaluarës komuniste të Shqipërisë dhe trajton më hollësisht faza të caktuara të saj.

“Kam zgjedhur “HamletMakinën”, sepse në të gjej historinë tonë të zgjatur në të tashmen “HamletMakina” na ka hije.” , ka thënë ai.

Koncepti regjisorial për këtë vepër bazohet jo vetëm në lojën e aktorëve, por edhe në përfshirjen e elementëve koreografikë dhe efekteve multimediale. Aktori Alfred Bualati do të luajë rolin e Hamletit të çmitizuar, i cili tashmë  nuk do të  ndreqë dot botën e padrejtësitë.

“Unë luaj rolin e Hamletit, rolin kryesor, që nuk ka të bëjë me Hamletin e Shekspirit, por është Hamlet i Muller, ndaj quhet dhe “Hamlet-Makina”, i cili tashmë është bërë një mit që është kthyer në makinë. Ka ardhur miti pas kaq vitesh dhe është kthyer në një makinë, sepse asnjëherë nuk u realizua miti Hamletian, që donte botën pa intriga, pa dhunën, etj”, ka rrëfyer mbi rolin, Bualoti.

“Hamletmakina” është një lloj mohimi i formës tradicionale të dramës, duke qenë se nuk ka as karaktere dhe as veprim. Bëhet fjalë më shumë për fragmente të ndryshme proze të renditura njëra pas tjetrës.

Kjo pjesë teatrale e mbështetur çlirët në veprën e Shekspirit reflekton tragjedinë e intelektualit në shoqërinë socialiste. Pjesa është vënë në shumë skena të ndryshme të botës dhe jo pak kritika e kanë shoqëruar atë gjatë viteve.  Kjo pjesë e veçantë vihet në skenë në kuadër të aktiviteteve të edicionit të tetë të Tetorit Gjerman, oganizuar nga Ambasada Gjermane dhe Instituti “Gete”.

Aktorët që do të jenë protagonist të kësaj shfaqjeje janë Alfred Bualoti dhe Eva Alikaj.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje