Hipokrizia e një shoqërie shtazarake

8 Tetor 2014, 18:15Blog TEMA
Hipokrizia e një shoqërie shtazarake

Nga Roel Korkuti


Skandalet seksuale të kohëve të fundit janë tregues të nivelit të përgjithshëm në të cilin ndodhet shoqëria jonë. Janë denoncuar dhe komentuar gjerësisht nëpër media të ndryshme, televizione, gazeta, radio, media sociale etj etj,por gjithmonë është vënë gishti mbi institucionin të cilin funksionari përfaqëson apo mbi individin jo si pjesw e shoqwrisw, por si rast i izoluar.  Kur bëhet fjalë për zyrë pune, apo zyrë partie, shënjestrohet partia e cila ka zyrën e punës. Kur flitet për doktorin, goditet institucioni ku ai ushtron detyrën. E kështu me radhe për cdo zyrë bashkie, komune, ojf-je, ojq-je, spitali, pune, publike, jopublike, buxhetore, jo-buxhetore, tatim-paguese, jo tatim-paguese.  

Të gjithë dinë të venë gishtin te i pandehuri, askush te problemi. Pse ndodh ky fenomen? Pse vazhdon të ndodhë  prej kohësh, e pse i atëhershmi kurvar na u bë manjak sot? `Ai është kurvar`, ka qenë edhe refreni i dikurshëm për këdo që kërkonte favore seksuale në këmbim të favoreve njerëzore. Madje ky lloj refreni, trumbetohej me të madhe, shpesh herë edhe me konotacion pozitiv, jo si për të treguar dikë që nuk njeh asnjë rregull morali.

Ka kohë që kurvari u bë manjak, dhe në këtë pikë nuk duhet ti heqim meritën medias, pasi fenomene të tilla kanë ndodhur gjithmonë në Shqipëri, dhe jo vetëm, por ka qenë media ajo që ka bërë të qartë se elementë të tillë nuk duhet të jenë pjesë e shoqërisë të cilën ne duam. Ishte pikërisht media ajo që termin `kurvëri` e ktheu në `skandal seksual`. Ajo që vjen më tej i takon shoqërisë. Është pikërisht kjo e fundit, ajo e cila ka për detyrë të analizojë fenomenin dhe fenomeni është shumë kompleks, nuk mund të perifrazohet vetëm me fjalët `skandal`, `favore`, `abuzim me detyrën`. Dhe shoqëria jonë deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë, pasi nuk është ende e gatshme të gjykojë vetveten. Shoqëri

a jonë e di shumë mirë që ka një moral të kalbur, të krimbur, të degraduar, të fëlliqur, të poshtër, të shpifur, të pështirë, këllirë, frikacak, hopokrit. Tamam, hipokrit, një moral që guxon vetëm të fajësojë e të mos pranojë asnjëherë përgjegjësitë e veta. Kur ndodhitë kthehen në fenomen, atëherë morali nuk është individual, por kolektiv. Dhe morali ynë kolektiv është hipokrit deri në skaje. Një moral që nuk pranon kritika, por di vetëm të gjykojë. Pse shoqëria sot nuk flet për moralin? Një moral ku favori duhet të kthehet patjetër me favor. Një shoqëri ku të bërit favor kërkon një favor edhe më të madh. Një shoqëri ku madhësinë e favorit e vendos pikërisht ai që bën i pari favorin. Një shoqëri ku ai që bën i pari favorin kërkon paturpësisht nga pala e favorizuar,  c’ti urdhërojë mëndja, apo organi i pa moral, ai seksual.

Askush nuk guxon të thotë se  në shoqërinë tonë, të bërit nder, kërkon që nderi të kthehet mbrapsht. Askurrkush nuk guxon të pranojë se nderi që kthehet me nder nuk është më i tillë, dhe aq më pak  kur nderi  kthehet me nder të një natyre krejt tjetër. Ata që ne u themi që abuzojnë me detyrën, abuzimin me detyrën kanë krimin më të vogël.

Po flas për krime morale, pasi është morali ai që duhet të gjykojë në këto raste e pastaj ligji.  Ata më së pari abuzojnë me atë parashtesën që iu vihet para emrit, dr apo kr, apo plot të tjera që tregojnë atë të madhin. Shumë prej drejtorëve, kryetarëve, kryekomunarëve, apo të plotfuqushmëve të tjerë, e shohin ende karrigen në rang social.

E në fakt nuk kanë as faj, se lufta e klasave këtë ju mësoi. Po me luftë klasash nuk shkuam kurrkund dhe e dënuam furishëm të gjithë së bashku. Supozohet të kenë kaluar plot 24 vjet që kur lufta e klasave u zhduk nga cdo fjalor, vec atij historik. Është i gjithë ky lloj mentaliteti shtazarak i rrënjosur thell ë në shoqërinë tonë që arrin të cënojë cdo gjë, paturpësisht. Ky lloj mentaliteti s`njeh nder, s`njeh humanizëm, s`njeh shoqëri, s`njeh familje, por vetëm paturpësi. Në këtë vend vend gjithsecili kërkon të përfitojë sa të mundet, dhe kur nuk ke mundësi të përfitosh materialisht syno përfitimin shpirtëror. Këtë këshillë të jep morali i sotëm shqiptar.

3 komente në “Hipokrizia e një shoqërie shtazarake”

  1. virgjil says:

    Drejt. Te vertetat duhet thene sic jane se keshtu fillon reflektimi. Ketu nuk ka dhe shtepi publike, dhe as nuk duhet te kete, se burdello eshte gjithandej. Poshte kurvaret e te gjitha formave.

  2. Andius says:

    Shume mire e ke qendisur, dakort 100% me autorin!

  3. Boja says:

    Te lumte pena cuni! Pikes i ke rene, por si me ja bere, kush eshte zgjidhja?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje