Ruajtësit e liqenit të Shkodrës, pasurohen duke lejuar peshkimimin e paligjshëm

9 Tetor 2014, 11:41Sociale TEMA
Ruajtësit e liqenit të Shkodrës, pasurohen duke lejuar

Një investigimin i bërë nga Birn, zbulon se ata që duhet të ruajnë liqenin e Shkodrës nga peshkimi i paligjshëm, në fakt përfitojnë rryshfete duke e lejuar atë

Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në liqenin e Shkodrës, OMP,  thuhet se po drejton një skemë shantazhi/zhvatjeje për peshkatarët që përdorin mënyra ilegale peshkimi, të tilla si përdorimi i gjeneratorëve.

Intervistat me peshkatarët vendas, të cilët kanë shkelur ligjin për vite me radhë duke peshkuar me gjeneratorë, sugjerojnë se OMP po aplikon një skemë të tjeshtë por shumë efikase shantazhi qëkur qeveria i transferoi asaj kompetencat për ruajtjen e liqenit në shkurt të 2014.

Çdo peshkatar që përdor metoda të paligjshme peshkimi, si përdorimi i gjeneratorëve ose të tjera, duhet t’i paguajë OMP-së një rryshfet, i cili përllogaritet në bazë të sasisë së peshkut të kapur. Në këmbim, organizata nuk e raporton aktivitetin e tyre të paligjshëm në polici.

“OMP-ja e ka kthyer liqenin në pellgun e saj privat,” i tha BIRN-it një ndër peshkatarët që përdorin gjeneratorin për të kapur peshq. “Ata bajnë si të dojnë vetë, lozin si të dojnë vetë,” shtoi ai.
Grupimet mjedisore thonë se peshkimi i paligjshëm, si për shembull mes përdorimit të rrymës elektikë të gjeneratorëve, ka pasur një impakt shkatërrimtarë mbi sasinë e peshkut në liqenin e Shkodrës këto dy dekadat e fundit.

Një nga peshkatarët i tha BIRN-it se përpara se OMP-ja të merrte përsipër ruajtjen e liqenit ata duhet të binin në ujdi me policinë kufitare, ose me ‘Rangersat’ e liqenit, por tashmë, kushdo që paguan organizatën mund të peshkojë pa i hyrë halë në këmbë.

Peshkatarë të ndryshëm në intervistat e tyre individuale thanë se skema e shantazhit drejtohet nga kreu i OMP-së, Arjan Çinari, dhe nga njerëzit e tij të afërt brenda organizatës.

Përpara se të drejtonte OMP-në, Çinari ka qënë oficer policie. Në vitin 2006 ai është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gjykata i rrëzoi më pas akuzat kundër tij.
I pyetur mbi akuzat se organizata e tij po zhvat para nga peshkatarët vendas, Çinari mohoi çdo abuzim.
Ai gjithashtu tha se qëkur OMP ka marrë kontrollin e liqenit, peshkimi i paligjshëm mes përdorimit të gjeneratorëve është ndalur krejtësisht.

“Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë,” i tha ai BIRN-it. “Do të ishte njësoj sikur i zoti i shtëpisë të lejonte një hajdut në shtëpinë e tij. Kjo nuk ka asnjë kuptim,” shtoi Çinari.

Liqeni i Shkodrës numëron 34 specie peshqish autoktonë prej të cilëve shtatë janë endemik, vëçanërisht krapi, gjuca dhe ngjala.

OMP-ja është ngritur në vitin 2003 dhe është regjistruar si anëtare e federatës shqiptare të ujrave të brendshëm dhe ndërkufitare, e cila është themeluar në Tiranë në vitin 2011.
OMP-ja menaxhon ujërat e Liqenit të Shkodrës në bazë të një kontrate të nënshkruar me Ministrinë e Bujqësisë në gusht të vitit 2013 dhe një marrëveshjeje të nënshkruar në shkurt të 2014 “Për Ruajtjen e Ekuilibrave Ekologjik dhe Shfrytëzimit Racional të Burimeve Peshkore ne Liqenin e Shkodrës.”

Një peshkatar i tha BIRN-it se peshkimi me gjeneratorë ishte një fenomen i përhapur në zonën e Shkodrës, duke u shtrirë nga grykëderdhja e Bunës dhe deri në zonën e Malësisë së Madhe, në kufi me Malin e Zi.
Peshkatari raportoi se ata që peshkonin duke përdorur dinamit për të trullosur dhe kapur peshqit i shmangen policisë, ndërsa ata që përdorin gjeneratorët thjesht i japin rryshfet OMP-së.

Sipas peshkatarit, miqtë e Çinarit në organizatë u kërkojnë çdo peshkatari që peshkon me gjenerator nga 3,000 deri në 5,000 lek dita, në varësi të sasisë së peshkut të kapur.

Një oficer policie i cili foli në kushtet e anonimatit i tha BIRN-it se ka pasur fjalë të shpeshta se organizata e Çinarit shvat para nga peshkatarët.

“Peshkatarët që janë ndaluar nga policia kufitare me gjeneratorë kanë implikuar dhe OMP-në, por asnjë akuzë nuk është ngritur në mënyrë zyrtare,” tha polici.

Në përgjigje të këtyre akuzave, Çinari përsëriti pretendimin e tij se ai dhe ekipi i tij kanë ndaluar përdorimin e paligjshëm të gjeneratorëve.

“Të 400 [varkat me] gjeneratorët që peshkonin në mënyrë të paligjshme janë zhdukur pothuajse të gjitha,” tha ai.

“OMP-ja ka qënë organizata e vetme që ka luftuar këtë lloj peshkimi sepse e di shkatërrimin që shkakton,” shtoi Çinari.

Marrë nga BIRN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje