Një popull shkrimtar

10 Tetor 2014, 19:41Blog TEMA

Nga Blerina Rugova Gaxha

 

Kur më 1952, Miroslav Kërlezha, shkrimtari që u quajt i epokës, mbajti fjalimin që po ashtu u quajt epokal, kërkonte “epokën” e lirisë në letërsinë jugosllave. Tre vjet më vonë, më 1956, Titoja shpallte përmes mikut të tij, Kërlezhës, pluralizmin letrar. Më pas ndonëse nuk të kapnin me pranga për fiksionin e për letërsinë, shteti jugosllav me elegancën e një zonje të rrallë krijoi mjetet e mënyrat për të mbajtur frerët e kontrollin mbi letërsinë. Dikush foli edhe për disidencë. E dikush foli edhe për “mecenë” të letrarëve.

Po disa nga emrat që në letërsi do të bëheshin të mëdhenj në krah të letërsisë, privilegjet e paprekshmërinë i morën në saje të “besnikërisë”. Rexhep Qosjen e Ali Podrimen thonë se i mbante krahësh Fadil Hoxha, dikë e mbante Sinan Hasani e të tjerë i mbanin të tjerët. Për hir të pozitave, për hir të hierarkisë e për hir të veprave. I ashtuquajturi “Baba i kombit”, nga disidenti i dikurshëm u shndërrua në “akademikun disident” por fatin e tij jo të gjithë e patën. Ndryshe nga kjo gjeneratë, që sipas çdo ligji biologjik e ka tepër të vështirë të përpihet e të pranojë horizontin letrar, për të cilin jo rrallë shpallin se u mbyll me mbylljen e punës së tyre krijuese, ekziston dhe bash për inat të të vjetërve fenomeni i shkrimtarëve, që si Krishti dikur, sot janë gozhduar në “Facebook”, të cilët çdo ligj i botës moderne i përligj. Nuk ka tallje me pesë milionë shqiptarët e “Facebook”-ut, dhe me  “ciceronët” e përzgjedhur të këtij populli që si merimangë rri gjithë kohën në “rrjetën” e vet sociale.

Një pjesë e madhe e aktivitetit partiak e shtetëror, politik e kulturor, shkencor e publicistik, madje edhe fetar e pornografik… kanë zbritur këmbëkryq në rrjetet sociale e posaçërisht në “Facebook”. Një duzinë deputetësh të Kuvendit të Kosovës, më shumë se gjysma e qeverisë, 400 opozitarë me fis e me farë dhe një “kallaballëk” imamësh e priftërinjsh janë shndërruar në tutorët e “fjalës në pazar” dhe aty i thonë të gjitha. Aty shahen e përlahen për krishterimin e islamin, për dijen e politikën, për spiunët e UDB-së, për atdheun e flamurin, për horrat që punojnë me pare e kundër kombit, për të tjerë që janë “intelektualë” e me fjalën shqipe vrasin. Në pazarin e fjalëve, të ideve, të projekteve, të fotografisë, të dijes, të sharlatanizmit, të kulturës, nuk mund si të mos bëhet pazar edhe me letërsinë. Në këtë pazar fjala e letrave shitet si çdo fjalë tjetër, e me të nuk mund të tallesh. Nuk mund të tallesh as me qindra shkrimtarët e “Facebook”-ut, që dalëngadalë krijojnë rrjetën e vet nga gjithë miqtë e mëhallës që ua “like-ratin” letërsinë.

Çfarë po zihet në këtë kazan? Shqiptarët tashmë, të dëshmuar si një komb këngëtarësh, çdo ditë e më shumë po dëshmohen të jenë një popull shkrimtarësh. Të gjithë shkruajnë. Kritikët babaxhanë më kot ankohen se u fundosëm në bollëkun e shkrimtarisë. Kohët e tranzicioneve kaotike në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni, i kanë dhënë mundësinë secilit që së paku njëherë ta provojë penën në ujërat e marrëzive të letrave. Iluzionet e tilla të bukura e të marra kanë bërë që të ushqejnë shpirtin me krijim e këtë shpirt artistik ta servojnë në rrjet. Kot ulërijnë kritikët se e meritojnë talljen!

Dhe derisa akademikë, shkrimtarë, studiues e kritikë, përgatisin herë turshitë e vjeshtës e herë të zënë me gjumin e drekës, gjenerata e re ka nënshkruar pamfletin “Vox clamantis in Facebook!”, jo kundër ideologjisë, jo kundër shtetit as pushtetit, por thjesht për pikë të qejfit të vetes. Shkrimtarët e disa poezive e të disa tregimeve të postuara në FB po shndërrohen në emrat që prezantojnë letërsinë e Kosovës në shtetet fqinje e në shtetet e Evropës.

Mekanizmat tash janë bërë më inteligjente dhe vetë autorët më inteligjentë, përderisa shteti ka hequr dorë plotësisht jo nga kontrolli, po nga krejt letërsia. Pos Qosjes e Demaçit, që u mor vesh me kohë se nëse nuk i përkëdhel, PDK ua rreh krahët e xhepat ua mbush me pare, elitat intelektuale janë plot mllef. Diskutimet, polemikat e konfliktet janë të gjitha në vijën e mospërkrahjes. “Vox”-i i tyre është edhe më larg se ai në shkretëtirë. Nëse pushteti komunist dikur e lodhte kokën gjithë kohën për të parë se nga po ndodhnin çarjet e idealeve komuniste e nga depërtonin ndikimet, strukturat e pushtetet e sotme e lënë letërsinë në ujërat për të cilët gjithnjë luftoi. Por me këtë edhe kanë hequr dorë plotësisht nga bota e letrave, dhe shtytje e cilësia që institucionet mund të krijojnë.

“Vox clamantis in Facebook!” nuk është titulli i albumit të fundit të një legjende të muzikës rok, as i një hiti erotik, as ndonjë befasi. Është hiti i një populli shkrimtar, që pos këngës e fjalës armë tjetër nuk ka. Bota është një shaka, dhe ky fakt sjell po aq qeshje sa edhe mërzi. Dikush duhet të jetë komfort me errësirën që sheh përreth vetes. Përreth “lajkave” të merimangave sociale gjithçka duhet të jetë bardhë, zija është tjetër ku. Një popull dajrexhi e një popull letrarxhi.

*Zëri

4 komente në “Një popull shkrimtar”

  1. beso says:

    e ke mire,madje shume mire…por ia ke fut kot,madje edhe kot.Varet se nga e sheh problemin.Psh,po sikur Zeri te mos botonte keto mundimet e tua do perfundoje ne facebook.E ke lexuar zonje”artikullin” e meposhtem te zotit Nexhmedin se çfare duht te beje Rama kur te shkoje ne Belgrad?Kapriçoja e fati e solli kete”artikull” ne gazete,kur mund te ishte nje doppio facebook,por ja qe artikujt keshtu behen.Doni t’ju them nje tjeter?!Ne nje kryeqytet te quajtur Paris kerkohet me qiri nje liber i ish gruas se Hollande,Valérie Trierweiler,qe ka shkruar liber per qyfyret bashkeshortore.Lexova diku qe mjaft librari,edhe pse kenaqin duart kur shesin,kujtojne se ne raftet e tyre shiten edhe Hygoi,Balzaku,Sartre,Zola etj,por ja qe njerezit jane kurioze per qyfyret e familjes Hollande.Do thuash qe edhe francezet jane komb shkrimtaresh dhe e ke mire,shume mire,por edhe kot,shume kot…

    1. Ilir Hoti says:

      B.RUg.Raxha me e ben pershtypje se ka inat prej te semure psiqike ndaj intelektualeve qe bindjet politike te babait ideologjik te saj.. Sipas saj ata jane UDB-ash armiq te partise saj..Intelektualet shqiptare te kosoves Profesore Akademike me veprat e tyre qe mund ti lexoje edhe znj Raxha,shkruan historine,kulturen luften dhe perpjekjet e kombit tyre per liri e perparim..Tash vetem se nuk pajtohen me disa veprime te Babait ideologjik te saj, behesh ‘shkrimtare’ me pasione te gjarperit..te plagosur..

  2. "BALASHI" says:

    O Beso! Mire apo kot se nuk te morem vesh. Jam plotesisht dakort me Blerinen. Tek ne ne Shqiperi jane bere te gjithe shkrimtare. S’ ka njeri qe te kete mbushur 60 vjeç e te mos kete botuar se paku nje liber. Hedh ne leter pervojen jetsore, pa lidhje, pa bosht, pa permbajtje, pa le gjuha e perdorur. Tani botojne edhe ata me fillore e shkolle te mesme. Makuteria per fitim nga shtepite botuese dhe mos kontrolli i shtetit jane ne piken per te qare hallin…

    1. beso says:

      Balashi,kjo eshte kritike qe nis per Qosen dhe Podrimjen dhe mbaron me simpatiket e Fejsbukut.Une nuk e di qe shtepite botuese fitojne kaq shume,biles ata shkrimtaret babaxhane qe bjne ndonje liber me kujtime as nuk shesin fare.E bejne per qejf,shpenzojne ca nga kursimet e tyre,mbajne me pune edhe ndonje shtepi botuese dhe te shumten e kohes e kalojne ne Facebook me shkembime”like”,siç shkembejme pershendetjet ne bulevard; ku e sheh te keqen e kesaj,te lutem? Mos te duken me te dobishem duke lozur ne salla bixhozi? Po ja,une kam mbi 3 vjet qe lexoj ketu tek TemA dhe zonjen e mesiperme nuk e kisha lexuar ndonjehere dhe thashe ti hedh nje sy ketij artikulli.Nuk e di sesa shkrimtare eshte,pse duhet ta paragjykoj nese do ishte shume aktive ne Facebook?z.Balashi,me ka rene rasti ne Tirane tek QTU dhe shoh aty perpara dy kende qe shesin libra,vene ne evidence Kadarene me te gjithe kolanen e librave.Nje njeri profan dhe injorant si une,qe nuk lexon tendencat dhe qokat e shtepive botuese do mendonte keshtu:- more,Shqiperia nuk paska asnje shkrimtar bashkekohor,ne sensin qe te jete aktualisht ne kulmin e krijimtarise.Po qe se jane ne facebook do te thote se nuk kane para rezerve te gjoret,por te pakten ruajeni shpotine.Se ja,edhe ky artikull nuk me duket per çmim Pulitzer,por hajde…Po te ishte ne Facebook nuk do e shihja fare,por meqe e ka perzgjedhur stafi i z.Mero do te thote qe promovimi mund te behet edhe keshtu.Nje popull shkrimtar,5 milione shqiptare ne Fejsbuk; imagjino sesa seriozisht duhet marre ky shkrim!Qofshi mire!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje