Igli Tare: Mund t'ia dalim në Beograd

14 Tetor 2014, 19:42Sport TEMA
Igli Tare: Mund t'ia dalim në Beograd

Luajti 68 ndeshje me fanellën e ekipit tonë përfaqësues, por nuk pati asnjëherë rastin që të zbriste në fushë kundër serbëve. Kjo do të mbetet një ëndërr e parealizuar për ishkapitenin e Kombëtares, Igli Tare, i cili si shpagim kërkon një fitore nga skuadra e De Biazit. Drejtori sportiv i Lacios, në një intervistë dhënë “Panorama Sport” ka analizuar jo vetëm këtë ndeshje, por edhe barazimin me Danimarkën në Elbasan, duke e konsideruar si një pikë tejet të vlefshme. Sakaq, ai beson se Shqipëria, ndoshta për herë të parë në historinë e vet, ka shanse reale për t’u kualifikuar në një event të madh sikundër është Europiani “Francë 2016″.

Cili është mendimi juaj në lidhje me barazimin e kuqezinjve ndaj Danimarkës në “Elbasan Arena”?


Mendoj se ishte një ndeshje e përgatitur shumë mirë nga ana taktike e trajnerit Xhani De Biazi. Përballë kishim një skuadër shumë të vështirë për t’u konfrontuar si Danimarka, me një grup lojtarësh sa të rinj dhe me eksperiencë, ndaj e shikoj si një rezultat pozitiv.


E prisnit këtë start të mirë kualifikimesh nga ana e Shqipërisë?


Katër pikë në dy ndeshjet e para, sipas meje, janë shumë të vlefshme. Natyrisht duhet pasur parasysh kalendari dhe rëndësia e dy skuadrave me të cilat kemi luajtur: Portugalia dhe Danimarka. Mos harrojmë që të dyja këto të fundit janë pretendetet kryesore për kualifikimin direkt nga grupi ynë.


Çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo nga Shqipëria e De Biazit?


Më pëlqen shumë shpirti i sakrificës që ka kjo skuadër. Sakaq, më vjen keq për Bekim Balën, sepse është një lojtar me shumë vlera dhe ka nevojë për këtë eksperiencë të vlefshme. Mendoj se sakrifikohet nga ana taktike për skuadrën, por rezultatet e arritura i japin të drejtë trajnerit dhe zgjedhjeve që ai ka bërë. Besoj se është e ardhmja e kësaj skuadre.


Nesër (sonte) luajmë ndaj Serbisë, si e shikoni këtë përballje, nisur natyrisht edhe nga konotacionet historiko-politike qe ka marrë pragndeshja?


Për sa i përket ndeshjes me Serbinë, nuk mund ta fsheh që ka qenë një nga ato takime që kam dashur gjithmonë ta luaja si futbollist. Është një ndeshje me shumë emocione, për vetë historinë që mbart në vetvete përplasja Serbi-Shqipëri, natyrisht jo shumë për futbollin, sesa gjithçka tjetër përtej kësaj. Është diçka më tepër se një ndeshje futbolli dhe djemtë tanë e dinë shumë mirë këtë gjë. Ata e dinë se nesër mbrëma (sonte) në fushë nuk luajnë vetëm, por bashkë me ta është i gjithë kombi ynë dhe unë jam i bindur që i kanë të gjitha mundësitë për të dalë me kokën lart nga stadiumi i Beogradit dhe të na nderojnë të gjithëve. Personalisht do të jem i pranishëm në stadium për t’i parë nga afër.


Si e parashikoni ecurinë e kuqezinjve për këtë edicion kualifikimesh?


Për sa i përket së ardhmes të këtij grupi, besoj se Shqipëria e ka në dorë vetë fatin e saj, sepse është një skuadër shumë e rrezikshme për të gjithë kundërshtarët në grup. Gjithsesi, duhet ta pranojmë se jemi në një grup shumë të vështirë. Unë pata mundësi të shikoj ndeshjen Armeni- Serbi dhe më bëri shumë përshtypje loja e mirë teknike dhe e shpejtë e skuadrës armene. Pra, mund të them që është një grup i vështirë dhe me shumë kualitet.


Sipas jush, kemi mundësi të shkojmë në Europianin e ardhshëm?


Mua më pëlqen më shumë fakti që skuadra jonë ka tashmë një objektiv të qartë kualifikimin, i cili, sipas meje, do të përbënte një rezultat historik nëse do të arrihej. Duke besuar dhe shpresuar në këtë arritje, do dëshiroja ta mbyllja me një shprehje: dëshira për të fituar, është më e fortë se frika për të humbur. Kësisoj, i uroj shumë suksese De Biazit dhe djemve të tij!



 

1 komente në “Igli Tare: Mund t’ia dalim në Beograd”

  1. Pelasgian says:

    Ah cna ka ba ai Roshi me Tare ….si Attila ishte ne krahe te djathte , do i mungoje shume kombtares ne kte ndeshje !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje