Ligjet miratojnë Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta si anëtar të KLD/Braho: Nishani, nëna e të këqijave

28 Tetor 2014, 13:37Politika TEMA

Komisioni i Ligjeve miraton dy kandidaturat e propozuara nga Partia Socialiste për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta.

Një ditë pasi deputetët socialist vendosën në mbledhjen e Grupit Parlamentar mbi emrat që do të zëvendësojnë Lulzim Lelcaj dhe Elvis Cefa, Komisioni parlamentar i Ligjeve zhvilloi seancën dëgjimore me dy kandidatët, ndërsa i vetmi deputet nga opozita i pranishëm në mbledhje ishte Nard Ndoka.

Mbledhja e Komisionit është shoqëruar me replika dhe akuza ndaj Presidentit Bujar Nishani, njëkohësisht Kryetar i KLD-së. Deputeti Spartak Braho e konsideroi Nishanin si nënën e të këqijave në sistemin e drejtësisë, ndërsa kandidimin e Shtyllës dhe Kostës si një risk që ata marrin përsipër, Sipas tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet përmbysur dhe anëtarët duhet të zgjidhen të rinj.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se propozimet e mazhorancës janë zgjedhja e duhur për KLD-në. “Fryma në Këshill është shumë e rëndësishme. Korrupsioni duhet të luftohet nga vetë gjyqësori”, tha ai.

Deputeti Armando Subashi theksoi se të dy kandidatët plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë të KLD-së. Dy kandidaturat do t’i propozohen Kuvendit për miratim.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në komision, dy kandidatët e propozuar nga mazhoranca theksuan se kandidimi për anëtar i KLD-së është nder dhe përgjegjësi e madhe.

Kandidatët janë pyetur nga deputeti Nard Ndoka për mendimin e tyre lidhur me shkarkimin e Çefës dhe Lelçajt nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. “A ndiheni ju të rrezikuar nga një procedurë të tillë? A ishte kjo një procedurë politike apo parlamentare?”, ka pyetur Ndoka.

“Kuvendi ka bërë një vlerësim dhe ka bërë një raport. Nëse më kerkoni mendim për këtë çështje i bie të marr tagrin e Kuvendit. Kam dhënë prova që kur bëhet fjalë për ligjin dhe zbatimin e kam mbrojtur deri në fund”, u përgjigj Albana Shtylla.

Ndërsa kandidati Vangjel Kosta theksoi se “vendimmarrja kishte transparencë. Unë nuk kam pasur detyrimin të thellohem në vlerësimin e kësaj vendimmarrje. Nëse do zgjidhem në KLD nuk do më pëlqente të shkoja atje me një paramendim për një vendim të marrë. Pjesëmarrjen në këtë trupë kolegjiale e konsideroj si përgjegjësi. Nuk kam pse të jem i trembur apo i rrezikuar nga fakti nëse do jem i pëlqyeshëm”.

Kosta ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë në vitet 1993 – 2000 (emëruar kur Sali Berisha ishte president). Ai është propozuar nga Bamir Topi për në Gjykatën Kushtetuese, por dekreti i presidenti është rrëzuar dekreti nga Partia Demokratike, e cila ishte në qeverisje me arsyetimin se kishte dhënë dënime politike gjatë rregjimit komunist

Ndërsa Albana Shtylla tha se është vënë para një përgjegjësie të madhe për ata çka publiku pret mbi sistemin gjyqësor.

“Ju falenderoj për mbështetjen që i keni dhënë kandidaturës sime. Ndihem me peshë të madhe pasi përgjegjësia është e madhe për atë çka publiku pret për sistemin gjyqësor”, tha Shtylla.

Për të rritur shkallën e besueshmërisë sipas Shtyllës duhet të ketë përfshirje të të gjithë anëtarëve në proceset që ndiqen në KLD, ndërsa vëmëndje të posaçme sipas saj, duhet të kenë rastet e shfaqjes së konfliktit të interesit. /gj.k/

3 komente në “Ligjet miratojnë Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta si anëtar të KLD/Braho: Nishani, nëna e të këqijave”

  1. Mos me pyet says:

    Vangjel Kosta…. Jo Vladimir kosta. Nderrojeni titullin

  2. zb says:

    Urime z.Kosta. Shpresojm qe me keto ndryshime te filloje dhe ndryshimi i imazhit te sistemit te drejtesise.

  3. Thanas Lala says:

    Ku e pe Vladimirin ti o tekahyt ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje