Kryetari i AMA, seanca dëgjimore me kandidatët/Peza: Pas këtij procesi, do të zgjedhim bordin e RTSH

28 Tetor 2014, 12:44Politika TEMA

Komisioni i Medias zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatët për kryetarë të AMA-s, ndërsa të enjten Kuvendin do të votojë për zgjedhjen e njërit prej tyre. Deputetët e opozitës sërisht nuk kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje, duke vijuar bojkotin disa mujor, edhe pse nga mazhoranca i është drejtuar një apel për të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Alfred Peza, Nënkryetari i Komisionit të Medias, tha se pas këtij procesi do të vijohet me zgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTSH dhe më pas të drejtorit të TVSH-së.

Kandidati Gentian Salaj ka raportuar i pari në mbledhjen e komisionit, ndërsa ka theksuar se  puna e tij do të mbështetet në 4 kolona: ligji për autoritetin e mediave, qartësia në zbatimin e strategjisë, zbatimi i ligjit në këtë fushë, si dhe niveli i kualifikimit të stafit të AMA-s. Ai tha se  ka eksperiencë në fushën e jurisprudencës dhe të biznesit.

“Do verifikojmë dhe kërkojmë zbatimin e plotë të kontratave të gazetarëve. Liria e medias nuk është çështje abstrakte. Një nga problemet kryesore është radio televizioni publik, ku ka shumë ankesa nga qytetarët”, tha Sala.

Ndërsa deputeti Peza ngriti problemin e piraterisë dhe mosrespektimit të së drejtës së pronës intelektuale, kandidati Gentian Sala tha se problemi në këtë çështje mbetet tek institucioni monitorues, dhe jo te operatorët.

Gentian Skënderaj, një tjetër kandidat i përzgjedhur për Kryetar i AMA-s, theksoi se mosfunksionimi i këtij institucioni ka ndikuar në tregun mediatik.  Skënderaj tha se “kalimi nga analog në numerik duhet të kryhet sa më shpejt sipas afateve. Nuk do të tolerojmë fenomenin e piraterisë. Do ndalojmë transmetimet pirate veçanërisht për kabllorë”.

Anila Basha gjatë raportimit të saj ka vënë theksin në luftën ndaj piraterisë, ndërsa u shpreh se nëse ajo do të zgjidhet në krye të AMA-s do të ngrihet Këshilli i Ankesave pranë këtij institucioni. Basha tha se do të zhvillohen edhe projekte konkrete për investime në teknologji.

Duke vënë theksin tek transparenca, Basha tha se mbledhjet e këshillit të AMA do të jenë të hapura, ndërsa do të ndërtohet një sistem transparent në përdorimin e të ardhurave financiare të institucionit.

Pak ditë më parë, anëtarët e komisionit, gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura, me shumicë votash përzgjodhën katër anëtarët Gentian Sala, Gentian Skënderaj, Anila Basha dhe Bers Hado, ndërsa tre kandidatët e skualifikuar nga gara ishin Zylyftar Bregu (gazetar), Raif Gorana (ekonomist) dhe En Muçi (ekonomist), të cilët morën më pak vota. /n.d/

 

1 komente në “Kryetari i AMA, seanca dëgjimore me kandidatët/Peza: Pas këtij procesi, do të zgjedhim bordin e RTSH”

  1. sot says:

    E sigurte nga K/Ministria:
    Gentin Sala nga Top Channel e ka te premtuar e te marre Kryetarin e AMA-s me kohe. Veni bast se e keni te fituar. Rilindja e ka ndare mendjen, do beje qokat e Topit, njelloj si te meparshmit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje