Pavarësisht kostos elektorale, një Ramë i vendosur

29 Tetor 2014, 12:22Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Betejat e mëdha që ka nisur qeveria Rama për prishjen e ndërtimeve të paligjshme, ndalimin e vjedhjes së energjisë elektrike, dhe gjobitjen e drejtuesve të automjeteve, pa dyshim bëjnë të pakënaqur edhe shumë votues që e sollën atë në fuqi – shumica derrmuese e votuesve te opozitës kanë qenë të pakënaqur me këtë qeveri qysh kur ajo erdhi në fuqi…

Dy sondazhe që zhvillova kohët e fundit – një në kryeqytet dhe një në zonat urbane te të gjithë vendit – tregonin se më pak se treçereku i votuesve të majtë janë të vendosur të votojnë sot për një nga partitë e koalicionit qeverisës. Dhe vazhdimi me intensitet i betejave të filluara nga Rama mund ta shtojë edhe më numrin e të majtëve të pakënaqur.

Sidoqoftë, Rama duket i vendosur t’i shkojë deri në fund aksioneve të nisura, pavarsisht kostos elektorale.  Por ai nuk po e bën këtë me një dëshirë vetëvrasëse politike për të qendruar në pushtet vetëm 4 vjet. Këshilltarët e tij zhvillojnë rregullisht sondazhe dhe, ashtu siç treguan edhe sondazhet e mia, edhe ato besoj i tregojnë Ramës se pakënaqësi ka edhe për PD-në dhe aleatët e saj tek elektorati i djathtë – pothuaj çereku i votuesve të djathtë në sondazhet e mia nuk janë gati të votojnë sot për një nga partitë e koalicionit opozitar.

Në kushtet kur pakënaqësia e votuesve është pothuaj proporcionale në të dy krahët, kostoja elektorale e betejave të Ramës mund të jetë e përballueshme për koalicionin e tij. Por kjo mund të vlejë për aq kohë sa aleanca PS-LSI nuk kriset…

Testin më të madh të stresit kjo aleancë do ta kalojë në muajt në vijim – jo prej betejave të sipërpërmenduara të qeverisë, po prej përzgjedhjes së kandidatëve të përbashkët për bashkitë kryesore të vendit. Në fakt, qysh sot ka filluar një garë e heshtur brenda llojit për të përzgjedhur kandidatin e së majtës për bashkinë e Tiranës. Në media kanë qarkulluar informacione se PS-ja po zhvillon sondazhe të brendshme për të përcaktuar se kush mund të jetë kandidati më popullor në elektoratin kryeqytetas (emrat e Mimi Kodhelit, Pandeli Majkos dhe Saimr Tahirit kanë qarkulluar), ndërkohë që në faqet e Facebook-ut të miqve të Monika Kryemadhit, ata i referohen asaj si kryebashkiakja e ardhshme e Tiranës.

Beteja për kandidatin e Durrësit nuk e ka nxjerrë ende kokën mbi ujin e mediave, por kafenetë e qytetit bregdetar ziejnë nga zërat për një garë të heshur për kandidim mes socialistit Vangjush Dako dhe LSI-stit Lefter Koka. Ashtu siç kafenetë e Fierit ziejnë nga zërat për një garë të heshtur për kandidim mes socialistit Baftjar Zeqaj dhe LSI-stit Robert Bitri, etj. etj.

LSI-ja, duke qenë një parti në ekspansion (nga 74 mijë vota që mori në 2009-ën, arriti në 180 mijë vota në 2013-ën) dhe duke qenë faktor vendimtar për postin e kryeministrit dhe të kryebashkiakut të Tiranës qysh nga 2005, padyshim do të jetë shumë agresive në negociatat për përzgjedhjen e kandidatëve të përbashkët për zgjedhjet e muajit maj. Nga ana tjetër, trysnia e drejtuesve lokalë të PS-së do të jetë shumë e madhe ndaj Ramës që të mos lëshojë pe në negociatat me Metën.

Vendosmëria aktuale e Ramës për t’i shkuar deri në fund betejave të nisura, të cilat mund të bëjnë të pakënaqur shumë votues të majtë, tregon ose se ai është i bindur që do t’i mbyllë me sukses negociatat e vështira me Metën për përzgjedhjen e kandidatëve të përbashkët lokalë, ose se piketat kryesore të marrëveshjes tashmë janë hedhur në letër…

Sondazhet e cituara:

http://www.respublica.al/opinion/2014/10/27/barometer-67-pro-vizites-se-rames-ne-beograd-ne-10-nentor-19-pro-nje-date-me-te

http://www.respublica.al/opinion/2014/10/20/barometer-13-e-tiranasve-te-gatshem-te-votojne-nje-kandidat-te-pavarur-per

9 komente në “Pavarësisht kostos elektorale, një Ramë i vendosur”

  1. vlonjati says:

    ky dervishi i teqese gjithmon ka dale bllof me sondazhet.

  2. astrit says:

    Kjo kosto eshte e perkohshme, pasi njerezit do te kuptojne se nuk jetojme ne nje vend afrikan por ne nje vend europian. Aleanca e majte ka rastin te bej shtet, ne rast se jo athere do te puthet me Milon! Rama dhe Meta kane treguar se bashkerisht kene vendosmerine dhe zgjuarsine per ti shkuar gjerave deri ne fund dhe nuk duhet te llogarisin ndonje humbje te vogel te castit. Edhe Europa pret nje shtet ligjor dhe te forte shqiptar per ta futur ne gjirin e saj. Analistet, gazetaret, tv dhe mjetet e informimit duhet ta mbeshtetin kete qeveri ne aksionet pozitive qe po ndermerr per te vendosur shtetin ligjor, ashtu sikurse nuk duhet qe ta perkedhelin per gabimet qe ben.

  3. era says:

    Po punoi per te bere SHTET nuk ka fare kosto elektorale.
    Fukarallakeu i krijuar nga keqqeverisja dhe shperdorimi i pushtetit, perfshi edhe vjedhjen e energjise elktrike, e paguajne gjithe shqiptaret e ndershem te majte edhe te djathte. Ata qe vjedhin energjine kryesisht bathorexhinjte dhe nje pjese e mire e perkrahesve te salserbit, edhe sikur Rama te mos ndermerrte keto aksione, njesoj do ishin -nga saliu.

    Por ato bisnese qe pavaresisht se jane pa leje, me leje, dhe kane zene hapesirat publike, mire do ishte te ishin prishur mbasi tu krijohej nje alternative tjeter punesimi. Ato po, I KA KOSTO ELKTORALE.

  4. sherifi says:

    Une nuk besoi z.Zaloshnja qe te jete aq i larte numuri i te pa kenaqurve nese njerezit po shoin dhe do vazhdoin te shohin qe Z.Rama me te vertete po perpiqet per te bere shtete, ne keto 23 vite qe kane kaluar me te ashtuquajturin tranzicion,nuk mendoi se ne kemi ngjashmeri me ndonje shtet tjeter qe e ka kaluar kte faze,ne akoma nuk kemi perfunduar dhe nuk dime ku jemi,ne socializem apo ne kapitalizem.
    Dhe nese Z.Rama kembengul per tu shkeputur njeher e pergjithmon nga keto 23 vjete tranzicion,at’here elektorati do te jete ne favor te partise socialiste.
    dhe tjetra dhe me kryesorja eshte qe Rama gradualisht duhet te shkeputet nga LSI per shum probleme dhe per biografin e saj jo aq te mire per arsyet qe mileti i di me mire.
    Pjesa derrmuse e njerezve,te majte apo te djathte pyesin dhe deri dje kane qene shume pesimist qe : tek ne a do te arrihet te behet nje dite me te vertete shtet.dhe Rama po arriti te realizoi kte enderr te shqiptareve,nuk ka pse te kete kosto elektorale.

  5. durrsak i vjeter says:

    Sa per V.Dakon jam dakord qe te votohet perseri,pasi tani po shihet me te vertet puna qe ben e mund te bej ne vazhdim.

  6. dikushi says:

    ore mos i kujtoni njerezit budallenj. Ju kerkoni te perhapni opinionin qe populli nuk arrin ti kuptoje reformat e qeverise. ore ju kujtoni se rinia nuk i sheh femijet e politikaneve dhe drejtoreve si jetojne, ju mendoni se ata nuk pyesin se cfare aftesirash kane prinderit e tyre qe i bejne ata te jetojne ne lluks. Ju mendoni se rinia nuk pyet pse riten cmimet perdite. ore si nuk ju vjen turp qe thoni te tilla gjera, kush nene do ti uronte vajzes se saj nje jete si keto drejtoreshat qe ka vendosur ky ne krye.

  7. gimi says:

    ky eshte ber si hoxha i katundit ky i mbane ison qeveris .ne vend qe te beje kritika si intelektual ky i shkrun hamalija Rames .ky nuk eshte nuk ka qen dhe nuk doteje asnjeher opinionist .

  8. gimi says:

    ti durresaku i vjeter duhet te jeshkomunist nga fisi i kertusheve

  9. Eraldi says:

    Votat i vendos ekonomia. Sa me shume varferohen Shqiptaret nga politikat prej fajdexhiu te PS-se dhe qeverise aktuale, per te kenaqur interesat e FMN-se dhe Bankes Boterore, aq me pak vota do te marrin. Shqiptareve po ju hyn dora e qeverise shume thelle ne xhepat e shpuar, dhe kjo nuk eshte per gjoja reformat por per te mbledhur para qe jane vjedhe, abuzuar dhe zhdukur nga ata politikane qe sot jane ende ne Parlament dhe kete qeveri. Kriza e tmerrshme ekonomike dhe varferia qe po afrohen me shpejtesi, si dhe rreagimi popullor nuk kane per ta lene shume kohe kete qeveri ne krye. Kam frike se do te perfitoj Ilir Meta si gjithmone nga kjo mesele. Mbajeni mend kete qe po ju them.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje