Tahiri me kursantët e policisë: Mallkimi i një institucioni, harresa nga sytë e publikut (VIDEO)

31 Tetor 2014, 14:49Sociale TEMA

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë një takimi me kursantët e shkollës së policisë, u shpreh se kontrolli i qytetarëve mbi policinë, i shërben edhe vetë këtij institucioni. Duke iu referuar debatit të fundit publik, ku zëra opozitarë akuzojnë mazhorancën për vendosjen e shtetit policor, kreu i Ministrisë së Brendshme theksoi se debati i shërben synimit për të garantuar të drejtat e njeriut.

“Nuk ka më mirë sesa publiku të të testojë dhe të monitorojë në vazhdimësi sepse nuk ka shteg më të mirë për të detyruar veten, të respektosh normat e ligjit dhe të drejtat e të tjerëve. Mallkimi më i madh i një institucioni dhe akoma me më shumë arsye, Policisë së Shtetit, do të ishte errësira e harresës nga sytë e publikut. Kjo sepse do të bënte më të vështirë monitorimin dhe mekanizmat institucionalë të monitorimit brenda vetë Policisë, por mbi të gjitha do i linte jashtë vëmendjes së publikut për të ndihmuar njërit tjetrin, publiku dhe institucioni, në betejën e përgjithshme për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe për të luftuar kriminalitetin”, tha Tahiri.

Ministri Tahiri u kërkoi punonjësve të ardhshëm të policisë të dëshmojnë një performancë dinjtoze në përballjen me qytetarët.

“Me të mbaruar këtë kurs, do të gjendeni përballë testeve që janë shumë më të vështira sesa testet që korrigjojnë pedagogët këtu. I pari është testi me publikun, dhe do të jetë një test i vazhdueshëm, është provim, i ditëpërditshëm madje. Eshtë provim që ju vë në provë ju me veten, ju me njohuritë, ju me bagazhin e dijeve që keni marrë ndër vite, jo vetëm në këtë kurs. Ju vë në test ju me ligjin, ju me njeriun që keni përballë dhe ju me publikun. Duket si një gjë shumë e ngatërruar dhe e përbërë. Por në fakt ky test kalohet, në qoftë se ju fitoni një betejë me veten tuaj, ta çoni para këtë detyrë për të respektuar ligjin dhe për t’i bërë njerëzit të respektojnë ligjin, dhe mbi të gjitha për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për t’i edukuar njerëzit që të respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit”, tha ministri Tahiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje