Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të mbërrijë të hënën në Tiranë, për të vijuar bisedimet me qeverinë, që u lanë përgjysmë në muajin shtator.
Dy janë temat kryesore ku do të përqëndrohen negociatat dypalëshe, së pari, buxheti i shtetit, një draft që të hënën pritet të miratohet në parim nga parlamenti në seancë plenare dhe më pas të rikthehet në komisionet parlamentare për diskutimin nen për nen, gjatë të cilave mund të bëhen edhe ndryshimet e mundshme.
Por bisedimet e qeverisë me FMN-në do të përqëndrohen edhe në realizimin e kritereve të performancës, që do të mundësojnë lëvrimin e këstit të prapambetur të kredisë së FMN-së dhe këstit të radhës, disbursimi i të cilave pritet të bëhet brenda dhjetorit të këtij viti.
Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe situata në sektorin energjetik, ku brenda dhjetorit, Enti Rregullator i Energjisë do të marrë vendimin për tarifat e reja që do të hyjnë në fuqi nga 1 janari.
Zv.ministri i Financave Ervin Mete ka pranuar se me FMN-në do të vijë për një sërë çështjesh por ka anashkaluar lëvrimin e këstit të radhës.
“Po vjen një mision i radhës i FMN, ne kemi pasur misione të shpeshta, qoftë asistence, qoftë konsultimesh me ta. Do të thosha që marrëdhëniet janë shumë të mira. Sigurisht ka debate për një sërë çështjesh, por ne dakortësojmë për vendimet kryesore”, u shpreh Mete.
Zv.ministri ka premtuar se brenda këtij muaji do të filloj shlyerja e detyrimeve të prapambetura për bizneset.
“Ajo që është e rëndësishme të thuhet, dhe mund të përbëjë lajm është që pagesa e detyrimeve të prapambetura të pjesës tjetër që ishte parashikuar të paguhej brenda këtij viti, do të fillojë brenda këtij muaji.
Pra deri tani janë paguar 260 milionë dollarë. Nga fundi i këtij muaji deri në në fund të vitit parashikohet të paguajnë edhe 90 milionë dollarë, 9 mld lekë, pjesë e 350 milionë dollarëve detyrime të prapambetura që ishte parashikuar të paguanim për këtë vit”, tha Mete.
Afati për të marrë këstin e trete të kredisë referuar marrëveshjes ishte 22 tetori, por FMN-ja sqaroi se shtyrja e afatit nuk përbën problem ndërkohë që lëvrimi i këstit të radhës do të bëhet pas publikimit të raportit të vlerësimit të ekonomisë prej këtij institucioni. /gj.k/