Muzeu i Artit në Bernë, Zvicër ka rënë dakord që të pranojë veprat e artit për një miliardë euro të koleksionistit Cornelius Gurlitt, ku përfshihen kryevepra të cilat u janë grabitur Pronarëve hebrenj nga nazistët.
Christoph Schaeublin i Muzeut të Artit të Bernë tha në një konferencë shtypi në Berlin se “ky muze do të pranojë pjesë nga veprat e artit të lëna trashëgim nga Gurlitt, i cili vdiq në maj në moshën 81 vjeçare”.
Muzeu i Artit në Bernë zbuloi në maj se do të pranonte të ekspozonte veprat që kishte ruajtur në fshehtësi Gurlitt në apartamentin e tij në Mynih. Koleksionisti kishte ruajtur rreth 1.280 vepra arti, të cilat përfshijnë kryevepra të periudhës së Rilindjes dhe Moderniste, me vepra të piktorëve të mëdhenj si Chagall dhe Picasso.
Veprat e artit ishin mbledhur nga babai i Cornelius, Hildebrand, një tregtar arti, i akuzuar se shiste atë që Hitleri e quante “art të degjeneruar”.
Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Kongresi Botëror i Çifutëve, i cili ka paralajmëruar Muzeun e Bernës se do të përballet me një ortek padish nëse pranon veprat e artit, të cilat iu janë vjedhur hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për të kufizuar rriskun ligjor, muzeu mund t’i lërë disa vepra në Gjermani, derisa origjina e tyre të përcaktohet.
Ministrja gjermane e Kulturës, Monika Gruetters dhe Christoph Schaeublin, presidenti i bordit të fondacionit të muzeut mbajtën një konferencë shtypi në Berlin të hënën për të shpjeguar vendimin e tyre.
Para vdekjes së tij, Gurlitt ra dakord që të lërë një grup pune, i cili të hulumtojë prejardhjen e veprave dhe të përcaktojë nëse ndonjë vepër arti ishte vjedhur nga pronarët e vërtetë.
Pranimi i veprave të kontestuara të artit është një çështje delikate në Zvicër, reputacioni i së cilës mori një goditje të rëndë në fund të viteve 1990, kur u zbulua se banka e saj qendrore kishte blerë sasi të mëdha të arit nga Gjermania Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që bankat e saj kurrë nuk ua kthyen çifutëve këtë ar në depozitat e tyre.
Pas një seri padish dhe fushate mediatike në Shtetet e Bashkuara që tensionoi keq marrëdhëniet SHBA-Zvicër, banka zvicerane përfundoi duke paguar 1.2 miliardë dollarë për kompensim në vitin 1998. /Përgatiti: J.H