Tezat që Kunati i përgatiti Palokës për “ngjarjen e jashtëzakonshme”

25 Dhjetor 2014, 19:31Antena TEMA

Rikthimi në Kuvend i PD-së ditën që mbaroi afati i mandateve të tyre u vlerësua nga Paloka si një ditë historike dhe ngjarje e jashtëzakonshme. Kjo la një shije paksa të hidhur tek Luli, por ai u qetësua kur mësoi se Palokës ia kishte formuluar tezat Kunati. Përpara se të shkruante fjalimin, Kunati i kishte ofruar një tekst, ku përshkruhej rëndësia e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme.

Në tekst thuhej:

“Futja në Kuvend ka rëndësi të madhe historike, pasi që sot e tutje në Kuvend nuk do të jetë një palë, por do të jenë dy palë, edhe pozita, edhe opozita. Kjo ka shumë rëndësi, pasi nëse janë dy palë, d.m.th parlamenti është i plotë. Nëse është një palë është i mangët.

Thiç e dimë të gjithë, kur është një palë, ai quhet parlament monist (këtë ia nënvizoi Palokës).

Rëndësia historike e kësaj ngjarjeje ka të bëjë me faktin se deputetët do zënë vendet e tyre, të cilat janë të konfiguruara sipas një skeme që shmang komplotet dhe fraksionet. Paloka do të vazhdojë të rrijë pas Doktorit, Jozefina në krah, ndërsa Dash Shehi duhet të mbahet nën vëzhgim. Doktori sa herë ka nevojë për ndonjë ndihmë, si për shembull pak ujë, ndonjë facoletë apo diçka tjetër, mjafton të lëvizë kokën dhe Paloka i gjendet pranë. Kjo ka shumë rëndësi, pasi shëndeti i Doktorit determinon shëndetin fizik dhe politik të grupit.

Në fjalim duhet theksuar se parlamenti është tempulli i demokracisë dhe se ai formohet pas rezultatit të zgjedhjeve. Një parti merr aq vende në parlament, sa përqind të votave ka marrë. Për këtë arsye është mirë që në zgjedhje të fitosh i pari. Po fitove i pari, ke më shumë vende. Dhe po ke më shumë vende, mund të zgjedhësh edhe kryeministrin, edhe kryetarin e Parlamentit.

Futja jonë në parlament ka rëndësi të jashtëzakonshme, pasi ne morëm garanci, që këta që kanë marrë më shumë vota dhe më shumë vende, nuk do tu quhen më pa lejen e Doktorit. Ai do japë pëlqimin, kur do quhet shumicë dhe kur nuk do quhet.

Një tjetër rëndësi të jashtëzakonshme ka fakti që duhet të kuptojmë përfundimisht se nuk kanë rëndësi të fortët. Unë si deputet i vjetër, kam shumë miq të fortë nga të gjitha krahët, dhe po të dua të tregohem i fortë, nuk e kam problem. Por tani e tutje edhe kjo do të bëhet me leje të Doktorit.

Unë për shembull e kam pasur shok të ngushtë Fufin dhe Nokën para ca vitesh. Pastaj, ashtu ndodhi dhe u ndanë, njëri me PD-në, tjetri me PS-në. Tani, unë i thashë Strazos, flas unë me atë djalin “the e kam thok”.

“Jo”,- më tha Strazja,- këtë e di Doktori. Ai e vlerëson si duhet, a më kanë rrahë, a më ka dhembë. Kjo mu duk një ngjarje e jashtëzakonshme. Dhe unë kam pas thok Nehatin dikur, por kur më vrau komisionerin, nuk isha në gjendje ta kuptoja, ma vrau apo s’ma vrau. Më sqaroi Doktori dhe u binda. Kjo po i ndodh edhe Strazos sot. Pra, ajo që desha të them, është se unë për vete s’i kam problem të fortët, se i kam thok. Por, meqë Doktori thotë që s’duhet t’i kemi më shokë se nuk i kemi në anën tonë, unë them që kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe për mua, dhe duhet ta shikojmë si të tillë, që një njeri që i ka miq të fortët, heq dorë se thotë Doktori.

Këto dhe disa gjëra të tjera të vogla, si nevoja për të marrë rrogën, nevoja për të mos djegur mandatin, nevoja për të marrë noj lekë për Vit të Ri dhe të mos rrimë shumë tek lojrat e fatit të lagjes, por në Kuvend e bëjnë këtë ngjarje edhe më të jashtëzakonshme”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje