Hyn në fuqi paketa fiskale, taksat e reja që do të aplikohen

3 Janar 2015, 14:38Ekonomia TEMA

Paketa fiskale për vitin 2015 ka hyrë në fuqi nga data 1 janar. Sipas qeverisë, me këtë paketë janë ulur 15 taksa që ndikojnë në nxitjen e prodhimit që lehtësojnë sipërmarrës dhe fermerë, taksa nxisin eksportet dhe çlirojnë frymëmarrjen e vendit.

Nga 1 janari, tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) u be 15% nga 10% që ishte deri 31 dhjetor 2014. Përjashtim nga kjo rritje bëjnë të ardhurat bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët. Ndërkaq, fondi i pensionit vullnetar i administruar nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit vullnetar, përjashtohet nga ky tatim. Shtatë mijë anëtarët e fondeve private të pensioneve do të përfitojnë nga kjo masë, pasi kontributi i paguar për pensionin nuk do të tatohet. Pas këtij ndryshimi, dividendët, interesat nga huat, depozitat bankare ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera, tatohen me 15 për qind. Një rritje të ndjeshme pritet të ketë në transaksionet e pronave të patundshme. Sipas ndryshimit , “Kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë ndërtesa, tatohet me 15 për qind të fitimeve të realizuara”.

Nga 1 janari, do të zbatohet përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i primeve të shkruara për produktet e jojetës, (duke sjellë trajtimin e tyre fiskal sipas direktivës europiane), masë kjo me një efekt 500 milionë lekë minus nga të ardhurat prej TVSH-së, ndërsa vendoset një taksë e re kombëtare, prej 3% mbi to. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2015 do të jetë rreth 220 milionë lekë. Efekti neto në të ardhurat nga këto dy taksa do të jetë negativ, me rreth 280 milionë lekë, por vlerësohet që këto ndryshime të jenë faktor nxitës për shtimin e aktivitetit të shërbimit të sigurimeve, që ende vuan nga standarde të ulëta, krahasuar me BE-në dhe fqinjët.

Kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës së rrugëve dhe efektet që shkakton përdorimi i karburanteve në mjedis janë argumentet që dha qeveria për rritjen e taksës së naftës. Rritja e miratuar është 10 lekë/litër i taksës së qarkullimit, ose nga 17 lekë/litër në 27 lekë/litër.

Gjithashtu hynë në fuqi ndryshimet e tarifave doganore, të cilat paraqesin një lehtësim për industrinë, bujqësinë e blegtorinë dhe industrinë e miellit dhe bukës. Ndryshimet kryesore janë: ulja e tarifës doganore për naftën bruto prej 10% në 0%; bërja 0% e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10%; bërja 0% e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë (si p.sh. gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë njëditorë, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg); bërja 0% e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10%; bërja 10% e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15%. /gj.k/

3 komente në “Hyn në fuqi paketa fiskale, taksat e reja që do të aplikohen”

  1. elio says:

    Mire e keni, Rama harxhon para per trendafilat e rrugeve e taksat rriten…(por rilindja thote se ulen…qesharake)..

  2. Titi says:

    Ky problemi i rritjes se takses asht si puna e atij fermerit qe kur shkon me mjel lopen,dhe ajo nuk ka qumesht ajo fillon dhe gjuan ne shkelma. Shpresoj qe edhe populli kur mos te kete qa te paguaje te filloje te gjuaje me shkelma.

  3. era says:

    Ariu nuk ngopet me marauzhga or ti Piktor. Lerini maunet me para te Fullhajnit dhe maunet me para te salit te serbeve apo Like Floririt (i hoqi S.Braho me vrap regjistrat e tatimeve) dhe kujton se do e mbushi thesin e shpuar te shtetit me parate qe do u marre bizneseve te mesme.

    Ne fillim lahet prapanica e dhjere e Shqiperise duke REFORMUAR SISTEMIN E DREJTESISE. Ata qe kane vjedhur perseri do vazhdojne te vjedhin. Dhe pastaj rrit tatimet dhe behu si ne Europe o u befsh lemsh u befsh, me gjithe RILINDJE!

    Po natyrisht i duhet taksat mbi 15% se do mbjelle palma nje milioneshe ne nje rruge qe nuk kalon fryme njeriu me kembe. GJITHMONE SHOW. Aty ku rriten femijet e popullit te shkrete, po mbjell beton-kancer dhe po priten pemet.

    KJO NUK ESHTE RILINDJA PER TE CILEN VOTUAM.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje