Çmimi i naftës si produkt i qeverive

21 Janar 2015, 19:21Ekonomia TEMA
Çmimi i naftës si produkt i qeverive

Nga Gjergj Erebara*

 

Qeveritë kanë zgjedhur të rrisin taksat mbi naftën për të plotësuar ekzigjencat buxhetore në kushtet kur vullneti për të mbledhur taksat siç duhet mungon. Ato ia hedhin fajin njëra-tjetrës ndërkohë që barra e taksave mbi naftën po bllokon zhvillimin normal të ekonomisë.

Një deputet i maxhorancës dhe disa të opozitës kanë ditë që po shajnë njëri-tjetrin si përgjegjës për mosuljen e çmimit të naftës në Shqipëri. Kakofonia dhe zhurma është e madhe e prirur më së shumti nga akuzat si pozicione mbrojtëse në vend të themelimit të fakteve ashtu siç janë.

Opozita e ka për dëshirë të thotë se është “taksa e Ramës” ajo që nuk lejon uljen e çmimit, ndërsa një deputet i maxhorancës thotë se është “monopoli i tre kompanive në treg” shkaku.

Po t’i mbledhësh të dyja qëndrimet duket se del disi te e vërteta: Po, tregu i karburantit nuk është shfaqur ndonjëherë me shkallë të lartë konkurrueshmërie. Tregu i hidrokarbureve përbëhet nga kompani, dominanca e të cilave në treg ndryshon bashkë me qeveritë. Deri në vitin 2005 kishte kompani të tjera që vepronin në këtë treg të cilat ndërkohë janë zhdukur. Dhe në vitin 1999, disa ndryshime ligjore të ndërmarra nga qeveria e kohës zhduku nga tregu një pjesë të kompanive të mëdha që qenë deri në atë moment në treg. Dhe ndryshime ligjore, administrative apo thjeshtë joligjore të kohës së qeverisë së mëparshme, akshe akshe, favorizime dhe penalizime kompanish, ndryshuan tregun në masën më të madhe. Tani kemi kompani që zbythen dhe kompani që dalin nga tregu por kemi edhe disa kompani që arrijnë të gjejnë lidhjet me të gjitha qeveritë. Nafta është një biznes superpolitik në Shqipëri. Të pretendosh se konkurrenca funksionon më së miri në këtë treg është shumë naive.

Por mungesa e konkurrencës duket se është përgjegjëse për një pjesë shumë të vogël të çmimit final që paguajnë konsumatorët dhe kjo është e pamohueshme nga askush. Pjesa më e madhe e çmimit përbëhet nga taksat. Taksat përcaktohen nga qeveria ose më saktë, nga qeveritë. Taksat mbi karburantet kanë një histori që tregon shumë. Klodian Tomorri, gazetar i ekonomisë në Top Channel mori çmimet e daljes së naftës nga dogana dhe i krahasoi me çmimet e shitjes me pakicë të raportuara nga Instituti i Statistikave.

Këto të dhëna tregojnë se diferenca mes çmimit të doganës dhe çmimit të shitjes me pakicë është rritur ndjeshëm nga 15 lekë në qershorin e kaluar në 24 lekë në dhjetor. Kjo diferencë përbën fitimin e grosistëve të naftës dhe të pikave të shitjes me pakicë. Në kushtet e konkurrencës, nuk do të kishte arsye që kjo diferencë të rritej. Natyrisht që ka edhe dy elementë shtesë. Elementi i parë është që nga 1 janari i këtij viti, taksa e qarkullimit u rrit me 12 lekë, gjë që do të thotë se fitimet e grostistëve mund të reduktohen. Elementi i dytë është që dollari, monedha me të cilën blihet nafta, është shtrenjtuar me gati 20 për qind përgjatë gjashtë muajve të fundit. Do të duhen edhe disa javë për ta parë këtë. Por fakti është që shqiptarët duhet të mjaftohen me një rënie minimale të çmimit të naftës, i cili është aktualisht 167 lekë ndërsa qe gjashtë muaj më parë 179 lekë.

Në fillim të viteve 2000 psh, akciza mbi karburantet qe në përqindje mbi vlerën. Nafta psh e kishte akcizën 50 për qind e çmimit të importit ndërsa benzina e kishte akcizën 30 lekë për litër. (Ligji 9598). Vetëm një vit më vonë, më 2003, ligji 9163 e bëri akcizën e naftës 65 për qind.

Për të shmangur fluktuacionet e mëdha në të ardhurat buxhetore, në vitin 2004 u vendos që gazoili ta kishte akcizën në mazën 65 për qind të vlerës por jo më pak se 13 lekë dhe jo më shumë se 27 lekë për litër. (Ligji 9328). Në vitin 2006, qeveria e re e bëri akcizën 75 për qind, por jo më shumë se 33 lekë për litër. Në vitin 2009, kur, nëse ju kujtohet, pati një periudhë të rënies së shpejtë të çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar si pasojë e krizës, qeveria e pa të arsyeshme menjëherë ta rritë akcizën në 37 lekë për litër dhe të heqë kushtin e 75 për qind të çmimit në rast se çmimi në tregun ndërkombëtar bie më poshtë. (Ligji 10 147).

Në vitin 2011, te ligji i taksave kombëtare u shtua diçka që quhet “taksa e karbonit”, një akcizë me emër tjetër, në masën 3 lekë për litër. Pastaj pak më vonë u shtua diçka që u quajt “taksa e qarkullimit,” e cila qe 5 lekë për litër më 2011 dhe u bë 7 lekë për litër më 2012. (Ligji 10 458).

Qeveria aktuale sapo mori pushtetin në vitin 2013, e rriti këtë taksën e qarkullimit nga 7 në 17 lekë për litër, në fuqi që nga janari i vitit 2014. Në tetorin e vitit 2014, e rriti më tej këtë taksë nga 17 në 27 lekë për litër me fuqi nga janari i vitit 2015.

Përgjatë të gjithë 15 viteve të fundit vështirë se ka kaluar ndonjë vit pa shënuar një rritje takse në një formë a në një tjetër mbi karburantet. Sot kur blejnë naftë, qytetarët paguajnë 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi dhe 3 lekë taksë karboni. Mbi të gjitha këto taksa, zbatohet TVSH 20 për qind, duke e bërë barrën fikse të taksave mbi këtë produkt 80 lekë. Mbi këto paguhet 20 për qind TVSH mbi çmimin e naftës së importuar. Nga çmimi prej 170 lekësh që paguajnë aktualisht shqiptarët, më shumë se gjysma shkon për taksa. Dhe më e rëndësishmja, shumica e këtyre taksave janë fikse. Pavarësisht se sa rritet apo bie çmimi në tregun ndërkombëtar, këto taksa njësoj paguhen.

Për ironi të fatit, qeveritë na i prezantojnë këto rritje taksash si “mbrojtje shëndeti”. Në fakt qeveritë shqiptare kanë parapëlqyer të rrisin taksat mbi karburantet dhe cigaret gjithmonë për shkak se vetëm këto dy mallra janë lehtësisht të taksueshme. Mallrat e tjerë thjeshtë nuk taksohen. Shumica dërrmuese e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që duhet të mblidhet për shumicën dërrmuese të mallrave që ne konsumojmë thjeshtë nuk mblidhet. Potenciali i qeverisë për të mbledhur të ardhura përmes “mirëadministrimit” termit delikat që përdoret për të shpjeguar evazionin fiskal, vlerësohet në qindramilionë euro. Arsyeja se pse karburantet dhe cigaret taksohen janë se ato vijnë nga importi dhe taksat e tyre mblidhen në doganë pa shumë firo. Me kalimin e viteve qeveritë kanë ditur të vendosin urdhëresa për mbledhjen në doganë të të gjitha taksave, ndërsa tatimet janë lënë si një institucion rakitik, i paaftë për të mbledhur pothuajse asgjë. Sot, mbi 75 për qind e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mblidhet nga doganat dhe vetëm 25 për qind nga tatimet, gjë që teorikisht duhej të qe e kundërta.

Paaftësia apo mungesa e vullnetit për të mbledhur taksat ka sjellë këtë deformim në sistemin fiskal, me mbingarkesë të pazakontë taksash për karburantet.

Çmimi i naftës ka rënë me mbi 50 për qind në tregun ndërkombëtar në gjashtë muajt e fundit. Shpresat janë që çmimi të mbetet në këto nivele për shumë kohë.  Vendet konsumatore po bëjnë llogaritë e përfitimeve ekonomike që do të kenë nga kjo rënie e papritur e çmimit të naftës. Turizmi psh ka gjasa do të përfitojë ndjeshëm. Teorikisht njerëzit do ta kenë shumë më të lirë për të udhëtuar në vitin 2015 nga sa e kishin në vitin 2014. Këto udhëtime mund të sjellin rritje të konsumit të brendshëm dhe vende pune.

Shqiptarët nuk përfitojnë dot. Taksat fikse dhe varësia e lartë e buxhetit të shtetit nga të ardhurat nga taksat mbi karburantet janë faktori kryesor. Mungesa e konkurrencës në treg është një element tjetër, por shumë më i vogël se sa elementi taksë. Edhe në ato sektorë ku nuk ka taksa, si psh te karburanti i avionëve, përfitimi i Shqipërisë do të jetë i kufizuar për shkak se nuk ka konkurrencë. Nuk ka konkurrencë as te karburanti as te shumë linja të fluturimeve ajrore. Ashtu si edhe taksat, kjo mungesë konkurrence është në pjesën më të madhe faj i qeverive.

5 komente në “Çmimi i naftës si produkt i qeverive”

  1. Kevinjon says:

    Nuk na e shpjegove tematiken ne kontekst te plote por na bere vetem nje statistike si makine llogaritese qe nxjerr shumen “te gjitha qeverite”. Hajde propagande tymnaje hajde! Mjafton te ngresh pyetjen meqe the se ne Evrope perfiton Turizmi: perse behen ato reklamat per Turizmin kur Turizmi ne Shqiperi nuk ka shanc te stimulohet? Po meqe kete artikull e riprodhon edhe Mero Tema dihet se ku eshte qellimi. Ti besh opozite Opozites qe te “mesatarizohet” opozita e vertete …per llogari te qeverise! Turp

    1. raimond vlonjati says:

      Ky qe ka bere kete artikull eshte nje deficent ,me nje nivel intelekti tejet te mjeruar ….

      Ulni nivelin e gazetes kur vendosni shkrime te tilla qesharake

  2. juri says:

    Po normal qe keshtu ndodh se asnje qeveri nuk ka dashur te ndryshoje dicka. Moto ka qene “te punesojme tanet”, “Rrijme kot ne zyre”, nderkohe “Bejme dhe ndonje lek”.

    Gjeja pare qe duhet te beje kuvendi eshte hartimi i nje ligji te ri i cili mos te perjashtoje bizneset ne baze xhiro nga TVSH, por te gjithe te jene te perfshire. Vetem duke bere kete gje, do te mund te kalohet ne nivelin tjeter qe thoni dhe ju, pra, te mblidhen shumica e taksave dhe tatimet nga organet tatimore dhe jo nga administrata doganore.

    Çmenduria me e madhe eshte fakti qe importuesi duhet te paguaje TVSH qe ne dogane si ne asnje vend tjeter te botes, nderkohe qe ende nuk i ka shitur mallrat, duke parapaguar keshtu TVSH-ne per llogari te konsumatorit.

    Te shohim kush nga keta do te marre persiper reformimin e sistemit fiskal ne Shqiperi. Shkelqim Cani, me gjithe respektin qe kam si ish pedagog, tashme duket qe nuk ka as inisiative dhe asgje te re per te ofruar duke qene se dhe mosha ben te veten.

  3. Landi says:

    Mos e lodhni kot trurin për të gjetur “fajtorin”,apo “shkakun” e çmimit të lartë të karburantit në Shqipëri….e thjeshtë…shikoni çmimet në rajon dhe Kosovë,taksat që importuesit atje paguajnë,(pasi çmimi i blerjes në burim është deri diku i njëjtë për të gjithë),dhe…….aritmetikën e thjeshtë mund ta bëjë seicili vetë e të gjejë se kush ndikon për rritjen e çmimit….dhe jo të flasim si e jëma e Zeqos në majë të thanës,ashtu siç’ foli mbrëmë në “Opinion” ai “kapsolla me barut të lagur” Andrea Stefani,(i cili as për A-në e aritmetikës së thjeshtë nuk ja ka haberin),që të jep mend dhe të këshillon të mbushen vrimat e Buxhetit me taksat e karburanteve…!!!! Zgjidhja ?…kemi në dorë vetëm të përgjysmojmë të paktën kohën e daljes me makinë…

  4. Toni says:

    Shifi me dylbi z.Rama 32 votat e rrethit tim familjar. Sivjet ket timin do marresh. mashtro bq

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje