Gjakmarrja, 25 vite burg për 2 vëllezërit Llani nga Mamurrasi

21 Janar 2015, 14:35Kronika TEMA

Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga 25 vjet burg vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani, për vrasjen e Arjan Shkretës dhe vrasjen e mbetur në tentativë ndaj vëllait të tij Leli Shkreta.

Ngjarje ka ndodhur më 4 nëntor 2012 në fshatin Fushë-Mamurras të Kurbinit, në shenjë hakmarrje për djalin e vrarë.

Nga hetimi, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se këta dy persona janë autorë të vrasjes së Arjan Shkretës dhe plagosjes së Leli Shkretës,  me armë zjarri automatik nga vëllezëritLlani.

Leli Shkreta, në momentin e ngjarjes, ka arritur të shpëtojë, ndonëse i plagosur rëndë, pasi është shtirur si i vdekur deri në momentin e largimit të agresorëve nga vendi i ngjarjes.

Rezulton se motivi i krimit është gjakmarrja dhe hakmarrja, pasi ndërmjet familjeve Llani dhe Shkreta kishte hasmëri, të nisura rreth gjashtë muaj para se të ndodhte ky krim.

Në ngjarjen e mëparshme, ndodhur në 5 qershor 2012, Altin dhe Alban Shkreta, vëllezër të viktimës Arjan Shkreta dhe të të dëmtuarit Leli Shkreta, kanë qëlluar ndaj disa anëtarëve të familjes Llani, ku mbeti i vdekur djali i mitur i Jetmir Llani.

Gjykata e Tiranës kishte dënuar në mungesë Altin dhe Alban Shkretën për vrasjen e fëmijës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje