Ekstremizmi dhe indiferenca: Kërcënim për shoqëritë demokratike

27 Janar 2015, 19:47Blog TEMA
Ekstremizmi dhe indiferenca: Kërcënim për shoqëritë

Nga Ditmir Bushati*

Nëse tradita nuk është një shoqërim organik i vazhdueshëm i realiteteve të sotshme, ajo nuk mund të jetë pedagoge e së tashmes e, aq më pak, mjeshtre e së ardhmes.

Përkujtimi i çlirimit të kampeve të vdekjes nuk mund të kthehet në një ritual, ndonëse legjitim, ku mbizotëron dekori dhe retorika.

Përballë imazheve të vuajtjes së hebrenjve e, më gjërë, të të gjithë popullit të vuajtjes që u bë për shkak të urrejtjes, banor i kampeve të përqendrimit, asnjë fjalë nuk mund të rrokë, thellësinë e krimit dhe përçudnimit që u ushtrua mbi dinjitetin njerëzor.

Mbi të gjitha, ky përkujtim duhet të mbetet një thirrje, gati si një apel, për të qënë gjithmonë vigjilentë e syhapët që kurrë më, barbaria mos të gjejë të drejtë qytetarie mes nesh.

Vendin prestigjoz të vëzhgueses në Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, Shqipëria do të kishte qënë mëndjelehtë, nëse do ta kishte përjetuar si një shpërblim honorifik për mbrojtjen që bijtë e saj i ofruan me besë të sinqertë, bijve të Izraelit.

Përnjimend, jemi krenarë për përkrahjen diskrete, por të vërtetë deri në dhënien e jetës, që shqiptarë nga më të ndryshmit dhanë në ato kohëra murtaje ideologjike, sepse mbi çdo gjë tjetër, i dhimbsej njeriu pa mbrojtje, atë çka profetët biblikë e kanë quajtur aq poetikisht, “fidanin e gjunjëzuar, flakën që përshuhet në tymnajë” (Isaiah, 42:3).

Si vëzhgues kemi një rol historik që përkon me kuptimin e parë të kësaj fjale. Duhet të mos rreshtim së vrojtuari me sy të kthjellët vijimësinë e vlerave që mishëron kujtesa e atyre që u shuan dhe atyre që mbijetuan në Aushvic, Dakau, Bergen-Belsen, Treblinka, Majdanek.

Duke parë hartën e vendeve të Europës nga ku janë deportuar hebrejtë drejt Aushvicit, të bie në sy mungesa e Shqipërisë. Është një rast i rrallë, kur mungesa e Shqipërisë nga një hartë e Evropës, më bën të ndjehem krenar.

Por kjo krenari ka një çmim. Atë të të qënurit në ballë të përpjekjeve që kurrë më, barbaria, cilado qoftë emri i saj, të mos rigjallërohet. Mjerisht, epoka e tjetërsimit pervers të vlerave dhe nocioneve themeltare të njeriut është larg së qënuri drejt fundit.

Dje, paturpësisht, nën frazën rrënqethëse “Arbeit macht frei” (Puna të bën të lirë), gdhendur në kangjellat e ndryshkura të çdo kampi përqëndrimi, shfarosej nën përdhunën më shtazarake një popull i tërë, inteligjenca e një epoke, lulja e rinisë së një brezi.

Sot, nën përkufizimin e një lufte të shenjtë çlirimtare, me mijëra të rinj kthehen në luftëtarë të një kauze vrastare që nuk kursen askënd dhe asgjë, shtyrë nga injoranca, mjerimi dhe ndjesia e mënjanimit nga një shoqëri e verbuar nga nginja dhe nënvleftësuese e ripërtëritjes së përbindëshit të barbarisë.

Në janar të këtij viti Europa – dhe jo thjeshtë Parisi, apo populli Francez – përjetoi një sulm të pashoq terrorist. Ishte një sulm që u krye gjoja në emër të Zotit, kundër lirive, duke dashur të provokojë një përballje midis feve.

Në të vërtetë kjo është një përballje mes botëkuptimeve dhe ndeshje mes injorancave të konsoliduara ndër vite, nën shenjëstrën e të cilëve herë vihen simbolet e lirisë, besimit, edukimit apo tregut të lirë.

Indiferenca ndaj vuajtjeve, frustracioneve, nëpërkëmbjes dhe ndjenjës së poshtërimit, shoqëruar me një mosnjohje të thellë të realiteteve më të largëta të popujve dhe besimeve, i ka bërë të ndrojtur edhe më të guximshmit promotorë të përparimit.

Terrorizmi mbi mendimin e lirë, ushtruar sistematikisht nga të rinj të lindur e të rritur në Perëndim ngre me të drejtë pikpyetje. Terrorizmi është instrument dhe jo ideologji. Është mjet dhunë dhe frikësimi për arritjen e qëllimeve të caktuara. Për rrjedhojë, përballja me të bëhet e suksesshme vetëm nëse arrijmë të kuptojmë, luftojmë e transformojmë mjedisin që e ushqen atë.

Prapësimi i forcave progresiste, liberalizmit filozofik, dobësia e institucioneve shtetërore, thellimi i hendekut të pabarazisë, njohjes pa komplekse të tjetrit pa hequr dorë nga identiteti vetjak (Papa Francesku, Homeli në Sheshin Nënë Tereza, 21 shtator 2014), është kthyer në një dinamikë ogurzezë, prej së cilës lulëzojnë ekstremizmat politikë dhe fetarë, brunë, të gjelbër, blumarinë, të kuq, objektivi i përbashkët i të cilëve është i njëjtë: kufizimi i lirive dhe cënimi i vazhdueshëm, nëpërmjet frikës, i zgjedhjes së lirë së gjithsecilit.

Por përsa kohë ekstremizmi duket i përgjumur në shtratin e indiferencës, dhe akte si ai që përgjaku Parisin pak javë më parë ndodhin rrallë, ne mbetemi të pavëmendshëm. Vihemi në pritje se gjërat do të marrin drejtimin e duhur vetvetiu. Politika vazhdon të tutet nga marrja e përgjegjësive, mediat shpesh japin sinjale shpërqëndruese, ndërkohë që shoqëritë e kamura deklarohen ende të civilizuara dhe fetë e instaluara prej disa mijëvjeçarësh, të emancipuara.

Dhe kur ndodh vrasja kuptojmë se jemi prodhues të vonesës. Se veprimtaria jonë e përditshme ka qenë përçmimi i realitetit.

Ekstremizmi mund të përfshijë pjesërisht popuj, kombe, bashkësi fetare, por nëse moskokçarja përfshin pjesën tjetër, atë më të ndriçuarën, më të përmbajturën, atëherë paqja mes ekstremizmit dhe injorancës do të jetë tmerri i vërtetë, lufta totale e të gjithëve kundër të gjithëve. Vrasja në emër të fyerjes do të jetë vetëm shfaqja sipërfaqësore e cila nuk do t’i faturohet kujt. Thelbi i tragjedisë do të jetë faji ynë i përbashkët.

Shqiptarët zgjodhën të mos ishin indiferentë gjatë krimit të pashoq të Holokaustit. Ata zgjodhën anën e së drejtës, anën e të gjallëve.

Edhe sot, shqiptarët e të gjitha besimeve me marshimin e tyre simbolik në Paris, dëshmojnë përkatësinë e tyre ndaj vlerave dhe civilizimit perëndimor. Me besë, ne do të jemi gjithmonë në krahë të njeriut, përkrah tjetrit, përkrah jetës.

Liria në jetë nuk mund të barazohet kurrë me lirinë për të hequr jetë. Kjo diferencë duhet të jetë lokomotiva e të vepruarit në çdo kënd të botës.

Intolerancës së ekstremistëve nuk duhet t’u përgjigjemi duke iu kundërvënë me intolerancën tonë apo mbylljen në vetvete. Sepse kjo nuk është përballje mes feve, as mes qytetërimeve. Kjo është – në fjalët e Mbretit Lear të Shakespeare – luftë midis të verbërve të udhëhequr nga të marrë dhe syçelurve që nuk duan të humbasin dritën e urtësisë.

Shumica nuk e sheh këtë situatë si një mundësi për t’iu përgjigjur sfidave, ndërsa pakica e sheh si instrument në mungesë të perspektivës. Ndaj, përballja me ekstremizmin nuk mund të kufizohet vetëm në fushëbetejë. Fitorja ndaj ekstremizmit varet gjithaq nga mirëqënia dhe perspektiva e përbashkët që ndërtojmë.

Mos të harrojmë se Holokausti ishte mishërimi i antisemitizmit që kishte kapluar atëbotë Europën. Tashmë është e qartë se antisemitizmi, ekstremizmi islamik dhe terrorizmi, pa rrjedhur nga i njëjti burim, kanalizohen nga urrejtja dhe frustracioni për të konverguar në bllok si një kërcënim i vetëm dhe homogjen kundrejt të gjitha shoqërive demokratike.

Elie Wiesel, dikush që ende “rrnon për me tregue” siç do të kishte thënë At Zef Pllumbi, është shprehur se: “Ta harrosh holokaustin do të thotë të vrasësh dy herë”.

*Ministër i Jashtëm

3 komente në “Ekstremizmi dhe indiferenca: Kërcënim për shoqëritë demokratike”

  1. Artur says:

    Bushat,
    cufutet e kohes se luftes u mbrojten nga te gjithe shqiptaret, gjithashtu kishte edhe marreveshje me gjermanet qe ato te mos prekeshin, nisur nga zakoni i beses ndaj mikut, prandaj mos e harro ta permendesh. Te pergjithesosh sot 100 apo 200 tru-shplare me gjithe shqiptaret nuk eshte e drejte dhe as rracionale qe te fusim veten ne kombet qe perkrahin terrorizmin. E ky mendim aq me pak duhet te jete tek ti, ne funksion te postit qe mban sot.

  2. it'sme says:

    Fjalë imzot, fjalë. Palovira.

    Brënda një fraze, ke pranëvënë nonsense, ke thënë të vërteta të mbështjella me të pavërteta, ke thënë të pavërteta të maskuara me të vërteta dhe, pastaj, ke thënë të pavërteta te qepura më të pavërteta.

    Dhe të tërë këtë e ke bërë për të tjetësuar të vërtetat, që e vërteta te mos merret vesh kurrë, as nga analfabetët funksionalë, dhe as nga funksionarët analfabetë.

    Brënda një fraze, ke pranëvënë viktimën dhe agresorin, u ke ndërruar vëndin dhe pastaj edhe rolin. Në mënyrë që të dy palët të jenë të justifikuara nëse urrejnë njëra tjetrën, madje, edhe nëse e persekutojnë dhe e vrasin njëra tjetrën.

    Brënda një fraze, ke pranëvënë dy viktima ose dy agresorë, dhe pastaj njëres i ke dhënë fytyrën ose zërin e tjetrës, si një maskë, keshtu që, të mos meeret vesh kurrë, se kur e kush është viktima në njërin rast dhe kush është agresori në një rast tjetër.

    Ky është një shkrim okult zoti Ditmir Bushati dhe unë, seriozisht, pyes veten: Përse ta ketë shkruar ministri ynë i jashtëm këtë palovi?

    E ka të porositur apo, thjesht, nga hobi për publicistikë?

    Dhe, a thua, të gjitha referimet e tij, me gojë apo me shkrim, jane kaq okulte, kaq qesharake dhe kaq të mjera.

    Me gjasë, anonimi popullor shqiptar, i kohës se reformave të Tanzimatit të Perandorisë Osmane, ne messhekullin e 19-të, e lë në bisht kryediplomatin tonë, me qartësinë dhe konçizitetin ultimativ të memorandumit 4 vargjesh që shqiptarët kryengritës i drejtonin Portës së Lartë në kundërshtim të reformave:

    Nizam e xhelepe s’ka.
    Është vendi fukara.
    Mbahemi me lakëra.
    Katër shtëpi me një ka.

  3. Klodi says:

    Shkrim i shkelqyer!! Me pelqyen shume algorizmat e perdorur dhe gjuha fine e artikullit. Ne kemi nevoje per kete gjuhe tolerance, kthjelltesie dhe vendosmerie.

    A KA NAI VEND AMBASADOR PER MU ATY??

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje