Interesat e klaneve politike mbajnë të pushtuar tregun e “Uzinës Dinamo”

29 Janar 2015, 18:58Blog TEMA
Interesat e klaneve politike mbajnë të pushtuar tregun e

Nga Xhovani Shyti*

 

Dy javë pas tubimit të dytë, për të tretën herë rradhazi, tregtarët që aktivitetin e tyre të përditshmërisë e kryenin tek tregu i ish-uzinës “Dinamo”, kanë protestuar përpara godinës së Bashkisë së kryeqytetit, duke i kërkuar drejtuesit të saj të tërheq vendimin për mbylljen e këtij tregu. Por edhe duke u shprehur të vendosur të mos respektojnë zhvendosjen e aktivitetit të tyre tek tregu i ri, që ndodhet në një nga segmented dytësore të autostradës Tiranë-Durrës.

Disa nga më shumë se 50 tregëtarët pjesëmarrës në protestën parabashkiake, janë shprehur se spostimi në tregun e ri do të ishte një falimentim për ta. Dhe duke pohuar se është hera e tretë që ata dorëzojnë kërkesën në Bashkinë e Tiranës, sqarojnë se s’kanë marrë asnjë përgjigje, ndaj dhe do të vazhdojnë të tregtojnë produktet e tyre jashtë ambienteve të ish tregut të ish-uzinës “Dinamo”.

Por edhe do të vazhdojnë në vijimësi protestat, nga që u duket krejtësisht i pabazë, i paargumentuar dhe i paligjshëm veprimi arbitrar për ti larguar forcërisht nga ky treg.

Ndërkohë, lidhur për këtë çështje të mbetur pezull dhe pa një përgjigje zyrtare, burime konfidenciale brenda administratës së Bashkisë së Tiranës thanë se protestat e tregtarëve janë të kota dhe ata nuk kanë për të marrë përgjigje pasi nuk është në kompetencë të Bashkisë të tjetërsoj mbylljen e tregut, nga që vendimi për mbylljen e tiij u dha nga Prefekti i Tiranës.

“Vendimi për tregje të reja është kompetencë e njësive bashkiake. Nëse tregtarëve të ish tregut të uzinës “Dinamo” u caktohet ndonjë hapësirë tregtimi, Bashkia jo vetëm nuk kundërshton por është  gati tu ofrojë ndihmën për infrastrukturën e duhur”, u shpreh burimi zyrtar i Bashkisë. Sigurisht duke mos u besuar plotësisht në pohimin e tij, pasi, nëse do ndjekësh në vijimësinë e të shkuarës, deklarimet e marra në rrugë jo zyrtare, do të dalësh në një konkluzion krejtësisht tjetër nga ai që paraqesin zyrtarët e të gjitha krahëve.
Pasi askush prej tyre nuk merr guximin të të përgjigjet rreth faktit përse u desh të mbyllej aktiviteti tregtues i këtij tregu ndërkohë që për modernizimin dhe sjelljen e tij në standarte qytetarie ishin investuar miliona euro? Nga privatët, sigurisht. Pasi një goxha territor i tij ishte dhe vazhdon të jetë pronë private, çka ligjërisht e ndalon çdo lloj pushtimi dhe përdorimi të dhunës shtetërore për ta tjetërsuar e jo më shkatërruar. Sikurse ka ndodhur me ish tregun e uzinës “Dinamo”, ku një ditë të bukur gushti u rrethua nga trupat  “Task Forc” të Bashkisë së Tiranës, nga që Prefektura kishte vendosur mbylljen e 500 dyqaneve që nuk plotësonin kushtet higjeno- sanitare.

Një gënjeshtër e pa kripë kjo! Pasi, nëse nuk do të ishte e tillë,mjafton tu liheshin detyra dhe afate poseduesve të tyre e gjithçka të vazhdonte, duke mos e ndalur ushtrimin e aktivitetit nga pjesa e painfektuar prej mungesa e kushteve higjeno-sanitare. Gjë kjo që nuk ndodhi, por ndodhi e kundërta që edhe protestat e tregtarëve kundër zbatimit të vendimit të shtypeshin me dhunë të paparë policore, në datën 20 gusht 2014 . Kur në mbrëmje, e urdhëruar nga instancat sipërore,sigurisht,trupat e policisë morën me forcë jo pak tregtarë për ti izoluar në komisariate.

“Do vazhdojmë protestat. Do mbrojmë bukën e kalamajve tanë. Do kalojmë deri në grevë urie”, ishin deklarimet e protestuesve, që të indinjuar përsërisnin të njejtën gjë.
“Të gjithë punojmë me licencë dhe në vend që të merren me ata që tregtojnë në rrugë merren me tregtarët që janë tatimpagues të rregullt. I kemi kërkuar të na i japin me shkresë urdhrin për mbyllje. Nuk na thonë asnjë gjë”.

Këto janë frazat përmbyllëse të asaj beteje gushti 2014 të shtypur me dhunë e arbitraritet shtetëror, ndërkohë që një treg i ri, aspak më komod dhe më në standart se ky i ish uzinës “Dinamo” hapi dyert. Dhe vazhdon të jetë në funksion anemic, sikurse vazhdon të mbetet në fuqi edhe deklarimi i dhënë nga tregtarët protestues të parabashkisë për mosndalje të tubimeve.

Mirëpo përse nuk jepen shpjegime dhe argumenta zyrtare të qenësishme për aksionin asgjesues të këtij ish tregu, por si Bashkia, ashtu dhe prefektura e segmentet përgjegjëse të qeverisë ( ca të majtë e ca të djathtë), përpiqen t’ja ngecin topin njeri tjetrit?

Në komentet e deklarimet jashtë zyrtare përflitet se mbyllja e tregut tek ish uzina “Dinamo” dhe hapja e atij në austradë ka në mes interesat financiare të klaneve gjithëpolitike. Të klaneve majtas-djathtas, që pasi e shkatërruan vazhdojnë ta mbajnë peng gjithë territorin e tregut tek ish “Uzinës Dinamo”, që ishte dhe vazhdon të jetë jo vetëm më popullori e më i modernizuari, por edhe në pjesën më të madhe të tij prone private.

*Kryeredaktor i shtypi.net

1 komente në “Interesat e klaneve politike mbajnë të pushtuar tregun e “Uzinës Dinamo””

  1. A says:

    Ne SHQIPERI, shumica problemeve nuk ecen ne rrugen e duhur normale. Ne kete rast ne lidhje me tregjet dhe sherbimet e transportit nderurban duhet te jene ne qender te qyteteve.
    Por politika shqiptare ka 25-se vjet qe ben gjithcka rrumpalle dhe perkrah interesa te klaneve perverse te horrave dhe vagabondeve te veshur me pushtet.
    Tregjet si ai industrial, fruta-perime, ushqimor, mish-peshk-bulmet behen ne qender te qyteteve, gjithashtu edhe STACIONI i AUTOBUZAVE NDERURBAN behen ne qender te qyteteve, po keshtu edhe STACIONI i TRENIT te UDHETAREVE behen ne qender te qyteteve. Ne menyre qe te gjitha keto te jene sa me te lehta per frekuentim nga klientela ose pasagjeret.
    Per te gjitha keto faji i bie politikes shqiptare, dy partive kryesore si e PD-se dhe PS-se, pushtetit qendror dhe atij lokal. Kuptohet politikanet tane nuk jane per asgje vetem per gjurulldi, rrumpalle, ngaterresa, intriga, per te vjedhur, grabitur, per te shperdoruar gjithcka qe i bjen ne dore. Shpresojme qe shoqeria shqiptare te emancipohet dhe te qyteterohet ndaj kerkesave te saj me se te drejta.
    Politikanet dhe pushtetaret i kemi njeri me i qelbet se tjetri. Kur shikon politikanin, ke perpara hajdutin, grabitesin dhe kriminelin e kamufluar. Tung.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje