Projektligji mbi arsimin e lartë dhe Maliqi

30 Janar 2015, 17:01Blog TEMA

Nga Enkeleida Pulaj

 

Këto ditë po qarkullon nëpër universitete Projektligji mbi Arsimin e Lartë, aq i përfolur dhe shumëpritur. I përfolur sepse Qeveria aktuale, sapo erdhi në pushtet, mbylli disa institucione të arsimit të lartë për moszbatueshmëri të kritereve ligjore nga ana e tyre.

I shumëpritur sepse mbas këtij “aksioni” pritej me kërshëri se c’farë zgjidhje do ti gjendej arsimit universatar. Nuk jam ndër ato figura që ka vite në mësimdhënie por jam ndër ata që do të dëshironin të shpërndanin dije edhe në të ardhmen.

Nuk ka nevojë të kesh qenë apo të jesh pjesë e jetës akademike për të kuptuar se c’farë mbrapështish i janë bërë arsimit të lartë në Shqipëri: Universitete në disproporcion me nr. e popullsisë; diploma të dhuruara apo të shitura; fusha studimi pa kurrëfarë lidhje me nevojat e tregut; mësimdhënës që janë vite larg atij që mund të quhet Profesor; inflacion titujsh dhe gradash; kerkim shkencor i standarteve modeste dhe lista do të vazhdonte kështu pa fund për të konturuar atë që me plot fjalën mund të quhet përdhosje e dijes.

Për këto arsye,  e hapa ta lexoja Projektligjin me shpresën se aty brenda do të gjeja konturet e ligjit që do të vinte në shina sistemin e arsimit të lartë, por në thelbin që më përcolli në vend të ligjit gjeta Maliqin!

Pash se ishte hequr dorë nga sa u përfol, se institucionet e arsimit të lartë nuk do të ishin më institucione fitimprurëse por do ti shërbenin tërësisht rritjes së kapaciteteve nëpërmjet reinvestimit të ë ardhurave brenda strukturave arsimore. Universitetet do të vazhdojnë të mbesin biznese, mendova vetmeveti, por të paktën projektligji do të ketë vendosur kritere të qarta që do të ndikojnë në rritjen e cilësisë në arsim.

Neni 62, pika 2 citon: “Personeli akademik mund të jetë me orientim mësimor ose kërkimor-shkencor”. Më fillojnë përshtjellimet e para, po përse ose mësimor ose kërkimor-shkencor,  a nuk po flasim për arsim universitar ku këto dy aktivitete duhet të ecin paralelisht? Një personel akademik që nuk i dedikohet kërkimit-shkencor c’farë do ta ndante nga një mësues i ciklit parauniveristar?!

Jepi forca i thashë vetes, ti mund ti bësh të dyja, madje duhet ti bësh të dyja. Do ti dedikohesh mesimdhënies së një apo dy lëndëve dhe në lidhje me to do të bësh edhe kërkim-shkencor. Po a ma lejon ligji një gjë të tillë?  O Zot as këtë nuk ma lejoka! Projekt ligji nuk përcakton ngarkesën maksimale të mësimdhënies që duhet të mbart një pedagog, që do të thotë se unë nuk jap dot sa lëndë të më dojë “qejfi “ mua, por aq sa është mesatarja në shumicën e universiteteve privatë 4, 5 madje nëpër tavolina miqsh flitet edhe për 6 apo 7 lëndë viti.

Ah more Maliq, por nuk përcaktoje dot sa duhet të jete ngakesa maksimale e një pedagogu dinjitoz, që synon cilësinë, meqënëse po shpërndan dije dhe jo fruta perime?!

1-0 për ty Maliq. Vazhdoj të lexoj më poshtë, se jam e bindur që të paktën sistemit të rritjes së gradave nuk ke ci bën, aty do të vendosi meritokracia.

Neni 62, pika 6, citon: “Ndihmës–lektor është personeli akademik që mban gradën shkencore “Doktor”, i punësuar për herë të parë në institucionin e arsimit të lartë si dhe personeli akademik pa gradë shkencore”. Vazhdoj mos tu besoj syve, nëse mikesha ime vjen nga Harvardi me gradën shkencore Doktor ajo do të jetë po ndihmës lektorë si “Ai” studenti që sapo mbaroi masterin tek “Universiteti” i sapombyllur nga MAS. Ndoshta jam në ëndërr, Maliqi nuk mund të ketë pasur kaq guxim, të fuste “Universitetin” e sapombyllur në 10 universitetet më të mira, madje ta barsvleftësonte me Harvardin.

Ma kishte thënë dikur me të qeshur Maliqi: “Pse mo cu duket vetja atyre që vijnë me doktoraturë nga jashtë, qoftë edhe nga Oksfordi apo Harvardi, një master i yni janë. Mblidhe mendjen një herë e mirë Truri duhet të rrijë JASHTË, për të nuk ka vend”

MALIQ të shtrengoj dorën, e ke bërë për vete ligjin, nenet e tjera nuk po i komentoj! Vafsh njëqind vjec në katedër!

 

 

 

4 komente në “Projektligji mbi arsimin e lartë dhe Maliqi”

  1. Kujtim says:

    Fatkeqësisht është e vërtetë. Asnjë risi, edhe Maliqi ia ka futur kot. Biles vlen më tepër në Shqipërinë e Ramës dhe Lirindjes, një diplomë Phd e Çilit (sepse quhet cikël i tretë i studimeve), sesa një diplomë 3+2 e marrë në një shtet të Be-së.

  2. K. Mehalla says:

    Shqiperia duket se eshte akoma ne doren e Henri Cilit, Kristalit apo UFO universiteteve te trasheguara nga nje idiot me emer Sali B. Cuditem me faktin se si Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ne vend te ofroje pas vetes persona me integritet moral e profesional, qe ne fund te fundit kane ngritur zerin e tyre ne cdo kohe kur cenohej standarti i arsimit ne kete vend, mban pas vetes nje tufe sharlatanesh qe shiten e blihem per 5 leke te cdo Aga qe u del perpara, qofte nga Labinoti, apo Berati, nga Kashari apo… ?!

  3. Treviso says:

    Keto ligje dalin nga shkenctaret qe kane studjuar po ne ato universitete ku dhe ju keni qene petagog. Kjo domethane: Ju petagoge mos prisni me shume se sa keni dhene. Ky eshte produkt i rezultateve qe ju keni dhene. Mua me vjen keq se kjo injorance ne hartimet e ligjeve do zgjaze me dekada ngaqe politika eshte bere monopol. Ligjbersi i ka prere rrugen edhe shkenctareve shqiptare qe ndodhen neper bote. I ka prere rrugen dhe petagogeve shqiptare qe japin leksione neper universitetet e ndryshme te botes.

  4. anonim1234 says:

    Nuk mund te marresh persiper te shkruash per arsimin e larte n.q.s. nuk di te shkruash shqip!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje