Tashmë që merkatoja është mbyllur zyrtarisht, ekipet e kontinentit bëjnë llogaritë e një fushate që zgjati pothuajse 1 muaj.
Shumë klube kanë ndryshuar fytyrë, ndërsa të tjerë kanë preferuar të modifikojnë pak detaje në organikën e tyre.
Në radhën e parë qëndron Premier League me disa nga transferimet më të shtrenjta, ndërsa Primera Division zgjodhi një politikë të tërhequr duke preferuar goditje me profil të ulët, raporton Sport News.
Në vendin e parë qëndron transferimi i sulmuesit Wilfried Bony nga Swansea te Manchester City për rreth 37 milionë euro. Bomberi nga Bregu i Fildishtë qëndronte në majën e listës së Pellegrinit dhe klubi i presidentit Al Mubarak vendosi të paguante klauzolën e largimit të afrikanit pa u menduar dy herë.
Shkalla e dytë e podiumit shkon për Chelsean që zgjodhi kolumbianin Cuadrado për të forcuar repartin e sulmit. 34 milionë euro dhe Mouhamed Salah në huazim për 18 muaj te Fiorentina mjaftuan që Jose Mourinho të shkëpuste nga Serie A një tjetër talent.
Por për të nënshkruar me Cuadradon, blutë e Londrës u detyruan për të ndezur dritën jeshile të gjermanit Andre Schurrle te Wolfsburg për 29 milionë euro, çka do të thotë se Abramovich nuk u detyrua të bënte një sakrificë të madhe financiare. Rikthimi i Schurrles në Bundesliga është edhe surpriza më e madhe e dritares së merkatos dimërore, sepse si rrallëherë një klub gjerman bën një lëvizje të tillë në aspektin ekonomik.
Në vendin e katërt renditet Valencia që për të marrë Enzo Perez nga Benfica derdhi në arkën e portugezëve rreth 27 milionë euro. Spanjollët parakaluan konkurrencën e Manchester United për mesfushorin pasi gjetën gjuhën e përbashkët me klubin nga Lisbona falë ofertës më të lartë.
Vendi i pestë. Gabriel Paulista nga Villarreal te Arsenal për 19 milionë. Mbrojtësi 24-vjeçar u vëzhgua për një kohë të gjatë nga Arsene Wenger që arriti të finalizonte operacionin delikat për shkak të konkurrencës së madhe nga disa klube evropiane.
Në vendin e gjashtë shfaqet sërish Benfica me një tjetër shitje. Mesa duket, luzitanët kanë vendosur të mbushin sa më shumë arkën sepse një tjetër i larguar është sulmuesi Bernardo Silva që firmosi për skuadrën e Monaco për 16 mln euro.
Vetëm vendi i shtatë për Realin e Madridit. Ancelotti duket i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion por kjo nuk e ndali presidentin Perez të bënte një goditje në perspektivë. Mesfushori 21-vjeçar Lucas Silva u transferua në “Bernabeu” për 15 mln euro.
Seydou Doumbia është një tjetër lojtar i Bregut të Fildishtë që renditet mes 10 të parëve. Roma derdhi në arkën e CSKA-së diçka më pak se 15 mln euro për të plotësuar boshllëkun e lënë nga largimi i Mattia Destros.
Në shkallën e parafundit renditet mbrojtësi Ryan Bertrand që për 13 mln euro u transferua nga Chelsea te Southampton, ndërsa ish- sulmuesi i Sampdorias, Manolo Gabbiadini zgjodhi fanellën e Napolit, që pagoi rreth 12 milionë euro në llogarinë e ekipit të presidentit Ferrero.