Lids Junaited mposht konkurrencën e Barit për kartonit e Edgar Çanit.
Sulmuesi shqiptar ka vendosur ta vijojë karrierën në Angli në Championship, në klubin që drejtohet nga italiani Masimo Çelino.
Edhe pse fillimisht u fol për një transferim nga Katania në formën e huazimit, klubi anglez ka derdhur 600 mijë euro në arkat e siçilianëve, për blerjen përfundimtare të sulmuesit kuqezi, që prej më shumë se dy sezonesh e ka humbur shkëlqimin si dhe vendin në Kombëtare, raporton Sport News.
Fillimisht Katania i vuri një çmim prej 700 mijë eurosh kartonit të Çanit, shifër kjo që u konsiderua e lartë nga drejtuedit e Lidsit.
Gjithsesi, marrëveshja u arrit për 100 mijë euro më pak, me shtatlartin shqiptar që u nis menjëherë drejt Anglisë.
Aktualisht Lids Junaited renditet në vendin e 19-të në Championship në kuotën e 32 pikëve, vetëm 5 pikë larg zonës së ftohtë.
Objektivi i skuadrës së Çelinos për këtë sezon është mbijetesa, ndërsa një sezon më pas ngjitja në Premier League përkrah klubeve më me emër në Angli.