Kur na ndajnë vetëm pak orë nga mbyllja e merkatos së dimrit, Roberto Mancini i bën një analizë situatës në shtëpinë e Interit.
Zikaltërit gjatë muajit janar janë përforcuar me tre emra të rëndësishëm si Xherdan Shaqiri, Lukas Podolski dhe Marselo Brozovic, por në orët e fundit po flitet edhe për një rikthim të Antonio Kasanos te 18-herë kampionët e Italisë.
Gjithsesi, sipas trajnerit 50-vjecar të Interit, zikaltërit nuk kanë nevojë për një sulmues:
“Dëshirojmë të afrojmë në ekip një mbrojtës dhe nje mesfushor, në sulm jemi të kompletuar.
A do të transferohet Kasano te Interi?
Sinqerisht për Antonion nuk kam folur asnjëherë me drejtuesit, mbi të gjitha ai ka vetëm pak ditë që është një futbollist pa kontratë.
Në këtë moment jemi të përqëndruar për lojtarë që luajnë në mbrojtje dhe në mesfushë”.
Mesditën e kësaj të diele, Interi do të sfidojë Sasuolon në “Mapei Stadium” të Rexhio Emilias.
Bilanci i zikaltërve ndaj formacionit që drejtohet nga Di Francesko është shumë pozitiv, teksa tre takimet e fundit Interi i ka fituar të gjitha, për më tepër duke i shënuar Sasuolos një total prej 15 golash.
Gjithsesi, sipas Mancinit këtë herë cdo gjë është ndryshe:
“Duhet të përpiqemi të përmirësojmë paraqitjet tona, por për ta bërë dicka të tillë shpresojmë të kemi edhe pak fat.
Dëshirojmë të bëjmë mirë ndaj Sasuolos, por nuk do të jetë lehtë, pasi ata aktualisht janë duke zhvilluar një kampionat të madh.
Nga ndeshja në ndeshje lojtarët e mi janë përmirësuar ndjeshëm, edhe pse fitoret për ne kanë qenë të pakta.
Megjithatë, unë kam besim dhe mendoj se në të ardhmen do të përmirësohemi gjithnjë e më shumë dhe do të arrimë rezultatet e shumëdëshiruara”.