Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u takuan me banorë dhe fermerë të fshatit Ferras, në qarkun e Fierit, të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Në një prej fermave ku ishin mbytur qindra krerë bagëti, kishte nisur procesi i groposjes së tyre. Më parë bagëtive të mbytura iu kryhej desinfektimi me solucionet përkatëse. Një fermer i ri, informoi Kryeministrin se kishte humbur mbi 400 krerë bagëti dhe se priste mbështetjen e Qeverisë për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhej.
“Unë humba 400 krerë. Kam qenë me çobanët brenda në stan dhe mezi kemi dalë atë natë. Me gomone dhe me varka ne kemi dalë edhe për vete. Kam që në moshën 20 vjeç që merrem me to, bashkë me dy vëllezërit dhe me babanë, familjarisht. Na humbi gjithçka që patëm. Kjo ishte e fundit, por ne kemi besim te ju zoti Kryeministër”, iu drejtua fermeri, Kryeministrit Rama.
Kryeministri siguroi se menjëherë pas përfundimit të emergjencës së motit do të merren konkretisht me të gjitha dëmet.
“Për çështjen e krerëve të humbur kemi folur me Ministrin dhe do të jetë prioritet, menjëherë sa të mbarojë pjesa e emergjencës së motit. Do merremi konkretisht me të gjitha humbjet, duke filluar nga humbjet e krerëve dhe humbjet e prodhimit, të cilat janë pjesa më e ndjeshme. Pastaj, sigurisht, edhe për të parë dëmet që janë bërë nëpër shtëpi”, u shpreh Kryeministri.
Ndërsa pritet që reshjet të vijojnë, të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet.
Gjatë ditës së sotme në këto zona ka nisur procesi i groposjes së bagëtive, të dala në sipërfaqe si pasojë e tërheqjes së pjesshme të ujit. Shërbimet veterinare në bashkëpunim me strukturat e shëndetësisë janë në shërbim 24 orë në 24 për të garantuar dezinfektimin dhe groposjen e bagëtive të ngordhura sipas të gjithë kritereve teknike. Ministri Panariti garantoi se me masat e marra nuk do të ketë asnjë shans për shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme.
“Janë hapur gropat ku bëhet groposja përfundimtare. Tani nuk kemi më asnjë kokë bagëti nëpër kanale, të gjitha janë të grupuara, të dezinfektuara dhe do të groposen.
Pritet që me tërheqjen e ujërave të kemi edhe trupa të tjerë që janë nën ujë aktualisht, por shërbimi do të jetë këtu 24 orë në 24 dhe me të dalë nga ujërat do të dezinfektohen dhe do të groposen sipas të gjithë kritereve higjeno sanitare. Kjo garanton që nuk do të kemi absolutisht asnjë shans për shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme.
Komunikova edhe me Ministrin e Shëndetësisë dhe organet e shëndetësisë janë përkrahë shërbimit veterinar për të garantuar që e gjithë situata, në kuptimin e dezinfektimit dhe groposjes, të bëhet sipas kritereve teknike”, sqaroi ministri Panariti.
Gjithashtu, është siguruar edhe ushqimi i nevojshëm për bagëtinë. Ministri Panariti njoftoi se një sasi prej 100 tonë me koncentrat dhe hime, vjen nga Kosova për t’iu vënë në dispozicion blegtorëve dhe fermerëve të dëmtuar.
“Aktualisht këtu janë 50 tonë ushqim për bagëtinë në dispozicion. Do të shkoj t’i shpërndaj tek blegtorët, të cilët i kanë nxjerrë bagëtitë tashmë në tokë të thatë, por që janë në gjendje urie.
Ndërkohë më konfirmoi Ambasadori ynë në Kosovë që sapo ka kaluar kufirin një ngarkesë prej 100 tonë me koncentrat dhe hime, nga Kosova, e cila do t’i vihet në dispozicion blegtorëve dhe fermerëve të dëmtuar. Kjo e zgjidh përfundimisht problemin”, theksoi Ministri i Bujqësisë.
Fermeri i ri gjatë bisedës me Kryeministrin edhe njëherë këmbënguli për një vlerësim të dëmeve.
“Ne jemi zero! Jemi në dorën tuaj zoti Kryeministër. Por kemi besim të plotë, me ç’po shikojmë që gjërat po venë mirë”. Kryeministri e siguroi se me përfundimin e emergjencës së madhe të motit, prioritet kryesor është dëmshpërblimi për bagëtitë e humbura dhe për prodhimet e dëmtuara.
“Gjëja e parë që kemi folur edhe me Ministrin ka qenë që sapo të përfundojë emergjenca e madhe e motit, do të fillojmë me këtë pjesë, duke filluar nga krerët e humbur dhe nga prodhimet e dëmtuara që janë për ne “A”-ja. Sigurisht edhe për të gjitha dëmet e tjera, por kjo është A-ja. Absolutisht, çdo bagëti të humbur dhe të regjistruar ne do t’jua zëvendësojmë menjëherë. Ky është prioritet kryesor. Ndaj për besimin që ke, të falenderoj! Edhe është rasti që ta provosh edhe ta shohësh vetë, që nuk gabon që beson,” tha Kryeministri.
Eh more Panariti c’kohe te arta u solli natyra ty dhe shefit tend katunar Like
MINISTRIA NUK KA ME FONDE PER KETA TE MJERET, SE I HENGRI LIKJA PARADHENIE.