Zviceranët i bashkohen Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në fushën e arsimit profesional duke zbatuar një program të ri për punësimin e të rinjve shqiptarë përmes zhvillimit të aftësive profesionale. Ministri MSR-së, Erion Veliaj, së bashku me ambasadorin e Zvicrës, Christoph Graf dhe Koordinatoren e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuesen e UNDP-së, Zineb TouimiBenjelloun mori pjesë në prezantimin e projektit i cili synon të krijojë aftësitë e nevojshme për tregun e punës.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se qeveri e ka kthyer arsimin profesional në prioritet të rëndësisë së veçantë, ndaj projekte të tilla ndihmojnë shumë duke duke garantuar punësim për të rinjtë shqiptarë. Veliaj tha se shumica e 92.521 vendeve të punës të shtuara në regjistrat e ISSH-së, janë punonjës të deklaruar në fushën e bujqësisë dhe kjo, sipas tij, përbën një të dhënë inkurajuese që shteti ta kthejë mbështetjen e arsimit profesional në zonat rurale.
“Pjesa më e madhe janë punonjës që paguajnë sigurimet shoqërore në zonat rurale, dhe bujqësia ka qënë një nga fushat më të neglizhuara në arsimin profesional. Ne duhet të lexojmë shenjat në mur, që të dimë si do sillemi nesër, dhe këto shenja na tregojnë se duhet të kemi një fokus më të madh te bujqësia”, u shpreh ministri Veliaj. Më tej, ai tha se falë vëmendjes së shtuar të qeverisë ndaj arsimit profesional, është rritur me 40 për qind numri i nxënësve në shkollat profesionale.
Për të rritur efiçencën dhe për të përmbushur pritshmëritë e atyre që i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për arsimim profesional, Veliaj vuri në dukje se nëpërmjet programit “Skills for Albania” po synohet afrimi i ekspertëve të huaj që mund të sjellin pranë shkollave tona përvojën e tyre në fushën e arsimit profesional./j.h