Detajet/ Marrëveshja e pensioneve me Rumaninë, Veliaj: Përfitojnë 5 mijë shqiptarë

27 Shkurt 2015, 17:21Sociale TEMA

Rreth pesë mijë shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Rumani do t’u njihen kontributet e sigurimeve shoqërore për të përfituar pension. Këtë mundësi e krijon marrëveshja “Për mbrojtjen Shoqërore”e nënshkruar sot në Bukuresht nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe Ministrja e Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe të Moshuarve, znj. Rovana Plumb.

Kemi firmosur një marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen sociale që garanton gjithë qytetarët shqiptarë në lidhje me kontributet e tyre në Rumani, po ashtu edhe rumunët në Shqipëri”, deklaroi kryeministri, Edi Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin rumun,  Viktor Ponta. Nga zbatimi i kësaj marrëveshje, për shtetasit e të dy vendeve do të merret në konsideratë bashkimi i periudhave të kontributeve të plotësuara në të dy vendet, në rastet e përfitimeve pensione të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet familjare.

Më konkretisht, marrëveshja parashikon që në rast se një shtetas shqiptar ka punuar dhe është siguruar në Shqipëri për një periudhë 14 vjeçare, por ka punuar edhe në Rumani për rreth 14 vite, ai mund të bëjë bashkimin e të dyja periudhave të sigurimit. Pra, personit i konsiderohen 28 vite pune dhe pavarësisht se ku aplikon për të marrë pension, ai plotëson kushtet për pension. Llogaritja e masës së pensionit llogaritet duke marrë në konsideratë të dy periudhat, por pagesa e pensionit do të përballohet propocionalisht nga secili shtet.

Nëse kjo marrëveshje nuk do të ishte bërë e mundur, ky shtetas nuk do të përfitonte pension në asnjërin nga vendet, sepse legjislacioni kërkon minimalisht 15 vite sigurimi shoqëror për të përfituar pension. Gjithashtu, zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë eksportimin e përfitimeve nga Shqipëria në Rumani, kur personi qëndron apo ka vendqëndrimin në Shqipëri dhe anasjelltas. Pra nëse personi merr pension në Shqipëri dhe shkon të jetojë në Rumani pensioni i tij do të transferohet atje dhe anasjelltas.

Përfitimet e kësaj marrëveshje kanë të bëjnë edhe me rastet sëmundjeve, barrëlindjeve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, dhe pagesat për vdekje nga skema e sigurimeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore si dhe përfitimet në natyrë nga skema e detyrueshme e sigurimit të kujdesit shëndetësor. Rregullat koordinuese të përcaktuara në marrëveshje garantojnë që personat, të cilët lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar./j.h

 

1 komente në “Detajet/ Marrëveshja e pensioneve me Rumaninë, Veliaj: Përfitojnë 5 mijë shqiptarë”

  1. Klemi says:

    Zoteria i artikullit midis te tjerash ka shkruar:
    “Më konkretisht, marrëveshja parashikon që në rast se një shtetas shqiptar ka punuar dhe është siguruar në Shqipëri për një periudhë 14 vjeçare, por ka punuar edhe në Rumani për rreth 14 vite, ai mund të bëjë bashkimin e të dyja periudhave të sigurimit. Pra, personit i konsiderohen 28 vite pune dhe pavarësisht se ku aplikon për të marrë pension, ai plotëson kushtet për pension. Llogaritja e masës së pensionit llogaritet duke marrë në konsideratë të dy periudhat, por pagesa e pensionit do të përballohet propocionalisht nga secili shtet”.

    Kjo e 14 viteve qe thoni eshte vetem nje shembull (qe ju nuk e cilesoni si shembull) apo duhen patjeter nje minimum prej 14 vjetesh ne njerin apo tjetrin shtet qe te mund te perfitosh nga kjo marrveshje?
    Po ne qofte se une ne Shqiperi kam vetem psh 8 vjet pune dhe ne Rumani kam psh 20 vjet, a me bashkohen keto 2 periudha? Po sikur ne Shqiperi te kem 8 vjet dhe ne Rumani po 8 vjet? Parashikon nje minimum vitesh apo kufizim marreveshja?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje