Kjo histori që ka ndodhur në Korenë e Veriut ia kalon fantazisë së çdo regjisori filmash.
Është historia kur shteti diktatorial rrëmbeu një regjisor dhe një aktore, të cilët u detyruan të bënin filma për liderin e çmendur pas kinematografisë, Kim Jong- il.
Kjo dukej zgjidhja më e thjeshtë – Koreja e Veriut kishte nevojë për njerëz të aftë. Vendet e tjera i kishin këto talente- kështu që pse ajo, thjesht të mos ua rrëmbente punëtorët e kualifikuar? Dhe në disa raste njerëz shumë të kualifikuar!
Në vitin 1977, një pianist shumë i famshëm i Koresë së Jugut, u pagua nga një person misterioz për të dhënë një performancë private në një vilë të izoluar jashtë Zagrebit.
Por ai pikasi një avion të dyshimtë të Koresë së Veriut në aeroport, dëgjoi theksin koreano-verior dhe duke kuptuar rrezikun se ku do përfundonte performanca e tij, arriti tu arratisej “rrëmbyesve në tentativë”.
Por këtë fat nuk e pati regjisori i njohur i Koresë së Jugut dhe gruaja e tij aktore, yll i kinematografisë.
Shin Sang-ok dhe Choi Eun-hee u rrëmbyen të dy në Hong Kong. Një hile e ngjashme u përdorur si ajo me pianistin- ata u joshën përmes një takimi në një shtëpi të largët. Çifti kaloi tetë vjet në Korenë e Veriut duke bërë filma atje, përpara se të arratiseshin më në fund.
Komploti i rrëmbimeve u udhëhoq nga Kim Jong-il, babai i Kim Jong-un, i cili para se të pasonte të atin në drejtimin e shtetit, ishte i ngarkuar të menaxhonte industrinë e filmit.
Ai ishte shumë i dhënë pas filmave dhe një i apasionuar i madh, sidomos pas filmave të Hollivudit – në veçanti, filmi i parë Rambo, çdo film ku luante Elizabeth Taylor dhe filmat e James Bond, të cilët mund të kenë ushqyer fantazinë e tij për operacionet e fshehta.
Diplomatët e Koresë së Veriut në vendet perëndimore udhëzoheshin të siguronin kopjet e këtyre filmave që diktatori të mund t’i shihte në Phenian.
Por, Kim Jong-il kërkonte diçka më shumë. Ai ishte i dëshpëruar për industrinë e film koreanoveriore dhe dëshironte që ajo të konkurronte në skenën ndërkombëtare. Ai donte të ishte prodhues i filmave, që të merrnin trofe në festivalet e mëdha të kinematografisë botërore.
Një Prodhim nga Kim Jong-il
Përgjigja ishte e qartë – të paktën për të: rrëmbimi i çiftit më të famshëm të filmit nga Koreja e Jugut dhe të detyroheshin që të krijonin filmat më fantastikë në botë, për llogari të Koresë së Veriut.
Aktorja Choi Eun-hee u rrëmbye e para. Në vitin 1977, kur karriera e saj ishte në rënie, Choi Eun- hee-s iu afrua dikush, duke iu paraqitur si një biznesmen nga Hong Kong me propozimin për të formuar një kompani prodhimi filmash, që do ringjallte shkëlqimin e saj dhe sigurisht që edhe do shpërblehej me shumë para.
Propozimi se ajo do rilindte si një aktore-regjisore e joshi aktoren, e cila ra pre e kurthit.
Sipas një libri të ri, “Një prodhim nga Kim Jong-il”, ajo u bind që të shkonte në Hong Kong dhe pastaj në një takim në një nga ishujt. Gjatë rrugës, makina ndaloi në Repulse Bay dhe ajo dhe agjenti shoqërues i shtetit të Koresë së Veriut zbritën. Aty ishte një grup njerëzish pranë një motobarke, me të cilën Choi Eun-hee u rrëmbye.
Në libër rrëmbimi i saj përshkruhet: “Ajo përvidhej në errësirë. E vetmja gjë që kujtonte ishte se dikush e kishte shoqëruar përmes një shtegu dhe se kishte qenë e detyruar të gëlltiste diçka. Kur ajo më në fund u përmend, pa se ndodhej në bordin e një anije mallrash, në kabinën e kapitenit. Një portret i madh ceremonial i Kim Il-sung i buzëqeshte nga lart.
Tetë ditë më vonë ajo ishte në Phenian në një vilë luksoze, e cila ishte e ruajtur vazhdimisht. Pavarësisht se ishin të divorcuar, Shin Sang-ok dhe ish-gruaja e tij kishte mbetur miq të ngushtë dhe ai shkoi në Hong Kong për ta kërkuar. Edhe ai u rrëmbye. “Dikush papritmas më vendosi një thes në kokë dhe unë nuk mund të shihja asgjë apo të merrja frymë lirisht”, tha ai më vonë.
Pas rrëmbimit të dy ish-bashkëshortët u mbajtën veçmas dhe Shin Sang-ok kaloi katër vjet në burg, pasi i rezistoi presionit për të bashkëpunuar. Por të dy, regjisori dhe gruaja e tij aktore u ribashkuan dhe më në fund Shin- Sang-ok u zbut dhe pranoi të bënte filma në Korenë e Veriut.
Më vonë, disa argumentuan se historitë e tyre nuk përputheshin dhe se ata kishin dezertuar kur karriera e tyre artistike në jug kishte rënë. Por Paul Fisher, autor i librit “Një prodhim nga Kim Jong-il” thotë se ai është i bindur se ata fillimisht rezistuan, por në fund u dorëzuan dhe u bënë bashkëpunëtorë me regjimin në Phenian.
“U deshën pesë vjet “punë” nga Koreja e Veriut për ta çuar çiftin drejt rifillimit të punës dhe bërja e filmave ishte si një litar shpëtimi për ta. Ata të dy zbuluan se diktatori Kim Jong-il ishte një prodhues mjaft i ditur filmash. Shin Sang-ok , regjisori i Koresë së Jugut, kur ai u ul dhe pati takime mbi prodhimin e filmave me diktatorin, ai gjeti dikë më të cilin mund të bisedonte mbi një shumëllojshmëri filmash “, -thotë ai.
Ata punuan së bashku dhe prodhuan një sërë filmash për Korenë e Veriut. Filmi më i shquar ishte ai që u bë një kult klasik- filmi përbindëshi socialist, Pulgasari, në të cilin përbindëshi është në anën e fshatarëve kundër një pronari feudal.
Pas tetë vitesh çifti i rrëmbyer mundi të mashtronte Kim Jong-il. Ata fituan besimin e tij dhe u lejuan të udhëtojnë për në Vjenë, ku ata më në fund u arratisën. Ata kërkuan strehim në ambasadën e Shteteve të Bashkuara ku u pyetën nga CIA.
Regjisori Shin Sang-ok vdiq në vitin 2006 ndërsa aktorja Choi Eun-hee jeton ende në Seul. Edhe pse ata mohuan se kishin qenë robër, ata sërish i kërkuan falje Kim Jong-il që e kishin mashtruar atë – ndoshta një formë e Sindromës së Stockholm, ku viktima indetifikohet me xhelatin.
Koreja e Veriut mohoi se ata të dy ishin rrëmbyer. Ata kishin një pjesë të rëndësishme të provave në favor të tyre dhe një regjistrim që ata e kishin bërë fshehurazi Kim Jong-il.
Dhe Koreja e Veriut ka pranuar rrëmbimin e disa qytetarëve japonezë. Tokio dhe Pheniani zhvilluan bisedime mbi këtë çështje vitin e kaluar.
Koreja e Veriut pranoi se ajo ka rrëmbyer 13 persona në vitet 70 dhe 80. Pesë prej tyre u kthye në Japoni në vitin 2002 por Pheniani thotë se tetë të tjerët kanë vdekur edhe pse Japonia nuk e beson këtë. Përgatiti: Jonida Hitoveizi