Rreth ëndrrës për t'u “bashkuar në Evropë”

24 Mars 2015, 18:04Blog TEMA
Rreth ëndrrës për t'u “bashkuar në

Nga Alida Beqiraj

 

Aparatët fotografikë kanë fiksuar dje pamje estetikisht të bukura, me finesë dhe stil, të mbledhjes së dytë  të përbashkët të qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. Janë nëshkruar 11 marrëveshje, që në fakt, janë vetëm disa letra të firmosura, ku palët angazhohen se do të bashkëpunojnë e ndërveprojnë në fusha të ndryshme dhe që nëse pas pak kohësh, kërkon t’í gjesh nëpër sirtarët e institucioneve respektive për të kujtuar se cilat ishin fushat e veprimit, vështirë se arrin. Por kjo është vetëm pjesa formale e ngjarjes.

Përtej formalitetit, duhet të lexojmë mesazhet që japin mbledhje të tilla. Duke hequr mesazhet e mundshme foklorike që edhe po të ekzistojnë, nuk i prishin punë askujt; takime të tilla sjellin mesazhe të rëndësishme për Ballkanin, Europën e më tej.

Duket vetëm një shpërqëndrim i qëllimtë i vëmendjes së opinionit, pyetja që hidhet se a duken takime të tilla si shfaqje e qëllimit të hershëm të bashkimit kombëtar Shqipëri – Kosovë. Por më provokuese se kjo pyetje, është një klishe e re që po përhapet mes politikanëve shqiptarë dhe që duket sikur është luajale me Evropën; “Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në Europë”. Kjo përgjigje jo vetëm është e pakuptimtë, por edhe tallëse e fyese për këdo që njeh në minimum Bashkimin Europian dhe përkufizimin e fjalës Union. E tha dhe presidentja e Kosovës para pak ditësh se (citoj) “nuk mund të flitet për bashkim kombëtar Shqipëri-Kosovë, kjo është ide e shekullit të kaluar, tani kemi aspiratë të bashkohemi në Europë”. Kjo fjali, dhe të tjera të ngjashme me të nuk kanë sens të thuhen qoftë edhe simbolikisht. Si të tilla, duhen asgjësuar me urgjencë nga të gjitha fjalimet e politikanëve, aq më tepër, liderve respektive të dy vendeve, sepse Shqipëria dhe Kosova nuk kanë cfarë bashkojnë me njëra-tjetrën në Europë, më shumë nga sa mund të bashkojnë me cdo vend anëtar të Unionit. Bashkëpunimi do të jetë i njëjtë si me cdo vend tjetër, sa i përket shkëmbimeve tregtare, kulturore, unifikimit të legjislacionit, huazimit të vlerave të demokracisë, funskionimit të shtetit të së drejtës, etj..

Kjo përgjigje është aq pa kuptim po ta analizosh, sa nëse bën një krahasim formal në raportet Shqipëri Kosovë Serbi, duket sikur Kosova është e bashkuar me Serbinë sa i përket bashkepunimit ekonomik dhe Shqipëria sikur është e bashkuar me Greqinë, po nga këto parametra. Kosova ka rrett 70 për qind të volumeve të shkëmbimeve tregëtare me Serbinë dhe Shqipëria ka Greqinë partner kryesor tregëtar. Por kjo sdo të thotë asgjë sa i përket raporteve politike dhe etnike mes dy vendeve.

Pa arritur tek bashkimi kombëtar, dy vendet tona, SHqipërinë dhe Kosovën, nuk I ka penguar as anëtarësimi në BE për të unifikuar tekstet shkollore apo për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme që lidhen me zhvillimin ekonomik të një vendi. Nuk ka arsye, as pengesa, përse ky bashkëpunim të mos thellohet më tej.

Problemi është ritmi me të cilën po shlohet drejt Evropës.

Ajo për të cilën duhet të shqetësohet Kosova, është ecuria e ngadaltë në procesin e integrimit europian, ende nuk është ratifikuar nga vendet anëtare Marrëveshja e Stabilizim –Asociimit (është premtuar se ky process do të përfundojë në fund të vitit 2015), ende nuk është rënë dakord për të finalizuar procesin e liberalizimit të vizave, e drejta më legjitime në këtë shekull dhe absurdi më i madh i momentit në gadishullin e Ballkanit. Është për tú shqetësuar fakti që  shtete të Bashkimit Europian, si Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia, duket se nuk kanë ndërmend të njohin shtetin e Kosovës, pa shkuar pastaj tek bllokimi i Rusisë dhe Kinës. Pra ka aq shumë halle për të zgjidhur, dhe artikulimet për një bashkim kombëtar vetëm do t’i thellonin hendeqet.

Mbledhje të tilla të përbashkëta, na prezantojnë si një komb I moderuar që di të bashkëpunojmë me finesë dhe të veprojë në përpjestim të drejtë me kohën e aktualitetin. Nëpërmjet këtyre takimeve, Shqipëria mund të ndihmojë sadopak për të forcuar jehonën e kërkesave emergjente që lidhen me Kosovën, e pse jo për të treguar se ne jemi një komb me valencë të madhe në Ballkan që kemi ndikim të patjetërsueshëm në ruajtjen e balancave të stabilitetit e paqes. Si të tillë, Europa duhet të na dëgjojë dhe të na vijë në ndihmë të plotësojmë aspiratat tona të përbashkëta si komb. Ky është “bashkimi kombëtar” që na nevojitet me emergjencë, për të mos mbetur gjithmonë të fundit në projektet e mëdha europiane.

5 komente në “Rreth ëndrrës për t’u “bashkuar në Evropë””

  1. martin shkurti says:

    Korrekt e pare ndryshe …

  2. durim.krasniqi says:

    Valla pa shkaun hic skishim mujt me mar fryme moj bije pa mos degjoni se cthone politikanet

  3. Kuq e zi says:

    E degjuar shpesh per kete bashkimin me kosoven ne EU …
    Interesting gjihsesi

  4. mrs says:

    vertet qe kjo qe thone sedo bashkohemi ne Evrope, nuk ka kuptim, po e thone perballe tezave filoserbe kundrejt Kosoves. analize e sakt

  5. Hilmi kuqi says:

    Ndonëse mbledhja nuk zgjati shumë, vendimet e mara prej saj ishin domethënëse, jo vetëm për nga numrat 5 marrëveshje, 4 memorandume dhe dy protokolle bashkëpunimi. “Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, të sigurisë, të ndjekjes së menjëhershme ndërkufitare, të shfrytëzimit të përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit do ta tkurrin kufirin administrativ midis dy vendeve dhe do ta kthejnë në një konvencion, Por problemi eshte se kush do ti veri ne zbatim keto mareveshje ????? Drejtorat e LSI ????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje