Denoncoj natyrën okulte të Draftit për Arsimin e Lartë

26 Mars 2015, 10:27Blog TEMA

Nga Besnik Gjongecaj

 

Nuk është e panjohur, përkundrazi, është një praktikë e ndeshur shpesh kur ekzaktësisht në emër të një interesi më të përgjithshëm, madje të mbuluar krejtësisht nga stofi dimëror dhe i ngrohtë i interesit më të lartë, gati gati sublim, paraqiten projekte që synojnë zezërisht rrënimin e tij përmes plotësimit të interesave të jashtëligjëshme të individëve të caktuar. Më shumë se një praktikë, e gjithë kjo është një betejë, sepse përfitimi vetjak nuk synohet në harmonizim me të tërën, përkundrazi, në një luftë për jetë a vdekje me të. Duke bërë ç’është e mundur margjinalizimin e interesit publik në rastin më të mirë, ose duke e bërë atë copë e çikë, pa pikën e mëshirës njerëzore, në rastin më të keq. Kjo betejë merr përmasa gjithmonë e më dramatike sa më lart të jetë vendosur fusha e saj në hierarkinë social-politike të vendit, sa më shumë pushtet të jetë investuar në të, dhe së fundi, sa më okulte të jetë ajo, përplasja. Beteja okulte janë zhvilluar në Parlamentin e këtij vendi kur ligjeve të caktuara iu është dhënë fshehtësisht fytyra e interesit e grupimeve të vogla, madje edhe të individëve të veçantë në mbrojtje të interesit vetjak dhe familjar. Jo rrallë, për shkak të devijimit dramatik nga interesi i votuesve, qytetarët kanë mundur të ravijëzojnë mafien parlamentare, grupin që ndërton një set prioritetesh dhe privilegjesh për vete, në emër të popullit, por jo për popullin. Gjithsesi, betejat më të errëta janë ato që janë zhvilluar brenda mureve të mbledhjeve qeveritare. Atje ku jo rrallë, dhe vetëm atëhere kur nuk ia kishin arritur të kalonin një ligj të personalizuar në Parlament, qeveritarët e këtij vendi ia thyenin qafën ligjeve ekzistuese për të ndërtuar, nga copat e thyera, VKM-ë të adresuara personalisht, në interes plotësisht privat, dhe në një konflikt të dretpërdrejtë me vetë ligjin që sapo kishte kaluar në Parlament. Aq shpesh ka ndodhur kjo, veçanërisht në vitet e gjata të qeverisjes së shkuar, saqë nuk ka se si të mos besosh që në thelbin e tyre qëndrojnë ”forca të errëta”, ”paranormale”, ”të pakontrollueshme” nga pushteti i qytetarëve. Okulte, prandaj, në thelbin e tyre. Por, në këtë pikpamje, një ngjarje e këtyre kohëve po ia kalon të gjitha ngjarjeve me natyrën okulte të saj, me fuqinë e saj manipulative, të fshehtë, gati pothuajse paranormale. Një projektligj për arsimin e lartë me përmbajtje okulte po bëhet gati të kalojë Parlamentin e vendit. Në ndihmë janë thirrur të gjithë ata që dinë të lexojnë anët e fshehta të një ligji, sekretin në përgjithësi. Të gjithë magjistarët e këtij vendi, horrat, manipulatorët, madje edhe dononciatorët e dikurshëm. Të gjithë ata që shohin në errësirë, ata që dinë të lexojnë kuptimin a brazdave në pëllëmbët e duarve, madje edhe fletët e dala boje të dosjeve të dikurshme. Me misionin për të thënë pikërisht të kundërtën: që projekti i ligjit të universiteteve është i pastër, drejtpërdrejt në mbështetje të interesit publik. Për të fshehur të fshehtën e tij. Anën e tij okulte. Shëmtinë e tij të paanë.

Projektligji për arsimin e lartë u shit dhe vazhdon të shitet në opinionin publik si një formë ligjore që do ta ndryshojë rrënjësisht sistemin. Një dekor i përgatitur me kujdes i shërbeu kësaj shitjeje. U thirr nga Anglia një shqiptar që të ishte ”aq i kualifikuar dhe zhytur në stilin anglez të të menduarit” sa t’i dukej si një letër tualeti projektimi i zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri i prodhuar pak kohë më parë nga një ekip që kryesohej prej vetë ish këshilltarit të znj. Thatcher dhe financuar nga Banka Botërore. ”Londinezi” i thirrur nën armë, madje, pa u kujdesur as të përmendëte punën e kryer në Shqipëri dhe aq më shumë, me një moskokëçarje shembëllore që vetëm vandalët dhe pushtuesit e kanë, pra, pa ia bëri syri tërt që po zhytej në baltën e plagjiaturës, pasi i futi një të fshirë gjithçkaje që ishte bërë më parë, me një krenari katundareske, e cila bëhej gjithmonë e më shumë e tillë sa më shumë lëvdohej nga ata që e sollën dhe sa më shumë vinte në pah rrudhat e sajdisura në lule të ballit, arriti të paraqesë si Dokumentin për Arsimin e Lartë ashtu edhe Draftin e Ligjit. Që të bëhej sa më i besueshëm, dmth sa më pak i frymëzuar politikisht dhe, më kryesorja, sa më i mjegullt në pjesën okulte të tij, krijoi një komision universitarësh, të cilët, jo për fajin e tyre, u quajtën ekspertë, megjithëse kishin një mungesë të theksuar të njohurive në fushën e ndërtimit të institucioneve, dmth, ishin plotësisht të papërgatitur për detyrën e dhënë; si dhe, për t’i dhënë edhe dorën e fundit, përhapi lajmin se ekspertët e Komisionit që do të shkruanin Reformën, pra që do të ndryshonin rrënjësisht faqen e arsimit të lartë të këtij vendi, nuk ishin ashtu thjesht ekspertë, por shumë më tepër se kaq: ata ishin ekspertë me ngarkesë, jo neutralë. Pra, në kundërshtim me të gjithë definicionet e botës, ata ishin projektuar si ekspertë të politizuar, që përfaqësonin dy krahët e politikës dhe si të tillë, prandaj, do të prodhonin dokumente që automatikisht do t’i pranonte si pozita ashtu edhe opozita, veçanërisht opozita. …Do të bëhej një reformë për kokën e reformës dhe mbi të gjitha, një reformë e qëndrueshme, e pacënuar prej askush, e balancuar në fund të fundit!. Atë kryesoren megjithatë, atë pjesën e errët, pjesën okulte të saj, pra, atë për të cilën në fund të fundit po e bëjmë edhe gjithë këtë reformë – dukej sikur thoshte pa zë ”londinezi” në fjalimet e tij pa fillim dhe pa fund – nuk do ta marrë vesh askush, sot dhe në kohën tjetër, në të gjitha kohërat…

Drafti i Arsimit të Lartë po shitet edhe në përmbajtje. Thelbi i marketingut të tij është ky: Drafti i Arsimit të Lartë siguron autonominë më të lartë për universitetet; universitarët kanë përgjegjësinë për detajimin e buxhetit (grantit), për përcaktimin e strukturave universitare, për zgjedhjen e autoriteteve dhe organeve drejtuese, për përcaktimin e numrit të pedagogëve dhe personelin tjetër universitar, për realizimin e një kualifikimi që fillon dhe mbaron brenda universitetit. Në fakt, kështu do të ndodhte vetëm nëse të gjitha përgjegjësitë e sapopërmendura do të nxirreshin jasht kontekstit të Draftit, nuk do të ishin pjesë e së tërës. Por ato janë pjesë e së tërës dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Prandaj, gjithçka që sërviret si përgjegjësi e universitetit, para se të jetë e tij, është e strukturave ndërmjetëse dhe strukturat ndërmjetëse, ashtu si janë projektuar në këtë Draft, jo vetëm që nuk i përkasin universiteteve, por përkundrazi, janë instrumente pastërtisht në duart e qeverisë. Kështu, para se të detajojë shumën e parave që merr (grantin apo çdo shumë tjetër), madhësia e tij përcaktohet nga AKF (Agjensia Kombëtare e Financimit), e cila është pjesë e qeverisë në të gjitha kuptimet dhe në kundërshtim të plotë me statusin natyror të saj si ndërmjetëse. Aq më shumë që përcaktimin e grantit, AKF ose që është e njëjta gjë, kjo strukturë qeveritare, e bën pa asnjë formulë të dhënë në Draft. Para se të përcaktojë strukturat e saj, apo para se të përcaktojë numrin e pedagogëve dhe personelit, universiteti duhet të marrë lejen e ASCAL (Agjensia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë) e cila, si për nga përbërja ashtu edhe për nga statusi është thjesht një zgjatim i qeverisë. Asnjë universitet, prandaj, nuk mund të bëjë asnjë zgjidhje strukturore dhe administrative, në thelbin e vet, pa u komanduar nga qeveria. Kështu do të ndodhë edhe me kërkimin shkencor, i cili do të financohet pa pikë hezitimi sipas preferencave politike të qeverisë, sepse, struktura ndërmjetëse e projektuar për këtë qëllim, pra AKKSh (Agjensia Kombëtare për Kërkim Shkencor), nuk do të jetë gjë tjetër vecse një zgjatim i dorës qeverisëse të partisë apo partive në pushtet. Ky ligj jo vetëm që nuk e zgjeron autonominë universitare, por e nulifikon atë në mënyrëm më dramatike të ndodhur ndonjëherë. Dhe e gjitha kjo bëhet me po atë stil dredharak që katundari i shkretë është i detyruar të aplikojë për të mbijetuar kur zbret në qytetin e zhurrmshëm. Brenda të njëjtit Draft, universitarëve iu jepet (granted) një pushtet që i është dhënë më parë qeverisë nëpërmjet strukturave (jo ndërmjetëse) të sistemit. Si në një shtëpi që blerësi e kupton pas pilafit se pronari mashtrues e ka shitur njëherë dhe atij po ia shet për herë të dytë!

Gjithsesi, akoma nuk kemi arritur te pjesa vërtet okulte e Draftit, megjithëse jo pak herë i jemi afruar asaj. Fuqia e errët e këtij Drafti është vendosur te kapitulli XII, atje ku parashikohet krijimi i IALPP ose “institucionet publike të pavarura të arsimit të lartë”. Më i zellshshmi në krijimin e këtij kapitulli, i vetëdeklaruar, njeriu i UET ose z. Civici, të cilin kam patur rast ta njohë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, atje ku ai ka marrë diplomën e ekonomistit bujqësor megjithëse, me sa kuptoj, i vjen turp ta përmendë dhe prandaj e zëvendëson me diploma të tjera të marra kushedi se ku në hapësirat e kontinentit, deklaron se pa këtë kapitull Drafti do të ishte pa kokën e tij. Sipas tij, sepse të tjerët nuk i kam dëgjuar të prononcohen, të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, përfshi edhe ato publike, edhe UET, do të transformohen, brenda tri kater viteve në institucione edhe publike, edhe të pavarura. Për të kuptuar statusin e IALPP-ve të ardhshme është mirë t’i shohim ato në raport me qeverinë dhe interesin publik. Ajo që i lidh me qeverinë është akreditimi dhe paraja. Të dyja i jep qeveria dhe një universitet si UET e ka të sigurtë që do t’i marrë të dyja: edhe akreditimin edhe paranë. Jo vetëm me këtë qeveri, por edhe me atë që pritet të vijë. Duke realizuar kështu ëndrrën e madhe të përfitimit të parasë publike! Pasi ta marrë këtë para, duhet ta heqë qafe qeverinë, edhe publikun, sigurisht. Që ta shijojë qetësisht prenë e saj, pra paranë publike, neni 127 i Draftit e ndan IALPP e ardhshme (pra edhe UET) nga shteti sepse për buxhetin e marrë nga universiteti nuk do të mund të aplikohen minimalisht as “standardet e programimit buxhetor dhe të menaxhimit financiar publik, madje as ato të prokurimit publik”. Gjithçka perfekte: UET bëhet IALPP dhe merr buxhet nga taksapaguesit e varfër të këtij vendi dhe pasi e merr atë, buxhetin, planifikon ta përdorë pa pyetur për rregullat publike të manaxhimit të tij. Pas kësaj bota le të përmbyset!

Pyetjet e mëdha kanë mbetur për në fund. A mund të jetë IALPP, ashtu si është përcaktuar në këtë Draft, një formë strategjike e një universiteti shqiptar? A mund ta zëvendësojë ajo modelin universialisht të pranuar që “një universitet ekziston nëpërmjet një autonomie institucionale-tradita Humboldtiane (liria akademike e kombinuar me autonominë administrative, strukturore dhe financiare); ku mësohet nëpërmjet kërkimit shkencor-tradita Humboldtiane, (unifikimi i mësimit me kerkimin shkencor); me një kulturë dhe praktikë hibride – orientimi drejt shoqërisë dhe tregut ose tradita amerikane (universiteti është përgjegjës për perspektivën e sektorit publik dhe merr pjesë në zgjidhjen e problemve të tij, sepse paguhet nga qeveria, por nga ana tjetër, ai është gjithashtu subjekt i forcave të tregut); dhe i aftë të zhvillojë personalitetin e studentit duke e përgatitur atë për demokraci – tradita Newman, apo tradita angleze? Sigurisht që jo. Këtu ngatërrohen prioritetet; ngatërrohen vizionet me mjetet. Forma “IALPP” është një nga qindra mjete me anë të të cilave mund të shkohet te modeli i mësipërm. Ndërsa ai, modeli, është një dhe i vetëm. Universal si i tillë.

A mundet, në fund të fundit, që edhe një universitet si UET, akoma i paformuar realisht si i tillë, të kërkojë të investohet njësoj si Universiteti i Tiranës apo Universiteti Bujqësor i Tiranës? A është kjo gjë, në fund të fundit, e drejtë? Pastaj, ç’mëndje njerëzore do të mund ta pranonte që kapitali i një universiteti publik shqiptar të barazohet me kapitalin e një universiteti privat në tregun publik të këtij vendi? Të dalë para shqiptarëve me aksione të njëjta, kur një universiteti publik i është dashur më shumë se një gjysëm shekulli të formojë kapitalin njerëzor dhe material që ka?

Ç’qe, pra, ai hall i madh që thërriti në skenën shqiptare këtë Draft? Që e zbriti “londinezin” në fshatin stërmadh Shqipëri? Që ka vite që lë pa gjumë UET apo të tjerë universitete private, që megjithëse pa u formuar si të tillë, me një të shkuar qesharake, të arrnuar, kërkojnë të masin hijen e trupit të tyre me universitetet publike më shumë se gjysëm shekullore të këtij vendi? Madje që riaktivizoi edhe një hibrid të çuditshëm, të padëgjuar më parë; një “edhe president universiteti edhe sigurims i para 90-tës”, të dilte në ekrane televizive, të analizonte dhe mbështeste Draftin? Në prani edhe të ministres! Sigurimsi i dikurshëm?!

Përsëri duhet të analizojmë në mënyrë krahasuese. Asgjë të re nuk sjell ky Draft nga puna e dikurshme e bërë në projektin “Master Plan i Arsimit të Lartë” të punuar nga ish këshilltari i Thatcher dhe ekipi i tij pak vite më parë me mbështetjen e Bankës Botërore. Asgjë, absolutisht. Madje ky Draft është shumë më i prapambetur dhe shumë më keq i konceptuar. Por duhet pranuar: Drafti ka një shtesë dhe ky është kapitulli XII. Ja pse u shkruajt ky Draft. Për të përfshirë në ligj kapitullin XII. Kapitullin që e çon paranë publike te universitetet private. Patjetër. Padrejtësisht. Atje fshihet edhe fuqia e zezë, sekrete, pjesa okulte e Draftit. Te kapitulli XII.

 

8 komente në “Denoncoj natyrën okulte të Draftit për Arsimin e Lartë”

  1. Po says:

    Mos me thuaj qe sigurimsi i dikurshem eshte Civici qe per hire te se vertetes ashtu ka qene ne kohen e Dulles

  2. Zani Burimi says:

    Arsimi i larte eshte bere si lama e Sules: Kushdo merr kalin e tij dhe shin ne grurin e kooperatives dhe pastaj i ve samarin kalit te lemes, e ngarkon me grure dhe iken,e dergon ne shtepine e vet. Populli merr te rruemet e hamamit(me falni per shprehjen!) Keshtu do te shkojne punet deri sa ne krye te dikasterit te vihet nje mendjefyccke, qe e ka mendjen te duket si relike vitrine e Mapove se kohes se Dulles.
    Produkti i universiteteve tona jane ca kallinj kollomboqi pa kokrra. Vaj medet, moj pike e zeze!

  3. dauti says:

    ne se eshte keshtu ,pra qe universitetet private te perfitojne para publike me ligj ky eshte nje skandal.ketu duhet ngritur zeri pasi eshte vjedhje e paster por me ligj.do te ndodh qe qeveritaret te themelojne universitete dhe te shperndajne para publike.skandal.dhe shenjat jane dhene.pothuaj te punesuar ose ish te punesuar ne administraten e arsimit te lart kane lidhje biznesi apo pune me universitete private…

  4. Zhani says:

    Zoti Besnik,
    Ju keni be nje analize perfekte. Ju ndjek gjithmon ne shkrimet tuaja dhe me pelqen analiza juaj. Problemi i financimit te privatit eshte ajo qe do e demtoje me shume universitetin. Kurre UET nuk mund te vihet ne nje nivel me UT, icili per hir te se vertetes ka tradite te mire. Aty kane punuar dhe formuar me dhjetra shkencetare e qindra kuadro te njhura ne Shqiperi e me gjere. UET ka rreth 10 vjet qe eshte formuar dhe po ben ligjin. Kjo te çudit. Le te shikojme se si do rrjedhin ngjarjet.

  5. LORA says:

    BASHKOHEM ME BESNIK GJONGECAJ’N,NE KETE DENONCIM.

  6. muzapopullore says:

    Eshte e me veshtire te vetegjykohesh sesa te gjykosh te tjere. Por ne kete rast me shume finese z Gjongecaj na ri-kujton
    1. Qe Shqiperia eshte perplot me delinkuente dhe debile te “arsimuar”
    2. Qe eshte gje e zakonshme, ne Shqiperi, plot te talentuar por “cuditerisht” te pasuksesshem.
    3. Qe eshte bere proverbiale ne Shqiperi, mosperfillja, mos shperblimi i njerezve me fuqi te vecante kreative intelektuale

    Arsimi i larte po vuan pa shpetim sindromen Berishiane te Naim Cilit dhe Besnik Aliut.

  7. Luan Kolonja says:

    Pa dashur te mohoj vlerat intelektuale te zotit Besnik Gjongecaj si dhe eksperiencen e tij akademike dhe “pak politike”,pa qene aspak njohes i fushes te menaxhimit te sistemit arsimor ne vend, do te deshiroja te shpreh te permbledhur opinionin tim rreth subjekti qe ai trajton si me poshte:
    1. Nese ky “londinezi” te cilit nuk ja dij as emrin dhe as karrieren, paska hartuar dhe implementuar ne “fshatin shqiptar” nje “doktrine te sistemit arsimor alla Thacheriane” do ta falenderoja ate pa hezitim per kete kontribut te vyer, racional dhe qe me siguri do te jape frutet e veta pozitive ne long-term.
    2. E shpreh kete besim, pasi ky sistem qe zoti Gjongecaj e karakterizin si “Okult”, eshte nje doktrine tashme e mirenjohur dhe e sprovuar ne vendet anglo-saksone e me gjere, duke dhene rezultate shume te medha qofte ne aspektin cilesor akademik, qofte ne menaxhimin eficient te fondeve publike.
    3. Zoti Gjongeci, i cili ka jetuar ne emigracion per disa vite, besoj se ka patur mundesi ta kete hasur kete praktike qofte ne Kanada qofte ne fqinjin Jugor te saj, qe quhet SHBA.
    4. Nese Zoti Gjongeci nuk ka patur mundesi te thellohet ne kete fushe gjate
    kesaj kohe emigrimi apo pas rikthimit ne vend, ai mund te justifikohet, por gjithesesi kjo tregon se dicka nuk funksionon mire ne modelin e implementuar tek formimi i tij, e kam fjalen ketu por modelin monopol te Shtetit ndaj Sistemit Arsimor ne nje vend te caktuar.
    5.Nese zoti Gjongeci, eshte nje ithtar i kesaj doktrine, e cila, per hire te se vertetes ka “dominuar” ne shume vende europiane e me gjere, sidomos ne vendet ish-komuniste,(si edhe tek ne) ku shteti kontrollonte teresisht kete sistem, do ta rekomandoja te lexonte dhe thellohej rreth ketyre doktrinave duke iu referuar dhe tezave Neo-Liberale qe lidhen me kete subjekt.
    6. Problemi me madhor qe kemi ne sot, jo vetem ne kete fushe, eshte mosnjohja, apo dominimi ne opinionin publik dhe sidomos ne qarqet intelektuale brenda vendit, te doktrinave Sociale Keineziane te Shtetit Social, sipas te cilit, ne kete rast, Shteti apo Qeveria duhet te kete monopolin jo vetem te financimit me fonde publike por edhe te menaxhimit te sistemit arsimor.
    Nga nje lexim i thelluar i doktrinave Neo-Liberale, jo vetem ato te aspektit ekonomik, me siguri qe zoti Gjongecaj do te ishte me racional dhe objektiv ne gjykimin e tij rreth kesaj reforme ne sistemin arsimor ne vend.
    7. Per te qene Fair dhe pa paragjykim rreth subjektit qe Zoti Gjongecaj trajton, do te isha plotesisht dakort me verejtjen nese ne emer te kesaj doktrine te re, disa individe me influence qofte Z.Civici apo Z.Cili dhe te tjere, do te mernin avantazhe te pa merituara ne aspektin e financimit qofte edhe te UET, bazuar kjo ne principin e klasifikimit te niveleve akademike te ketyre universiteteve. Por gjithesesi nuk do te isha aspak dakort qe UT te vazhdoje te jete kontrolluese e favoriuar e fondeve publike per arsimimin ne vend. Raported konceptuale, te shprehura ne menyre disi me te perceptueshme, ne kete ndarje te copave te “tortes” ne nje stad te caktuar dhe ne vazhdimesi apo strategjise te planifikur drejt ketij ndryshimi, mbetet nje teme e gjere per tu diskutuar ndermjet grupeve te interesit akademik dhe menaxherial se bashku. Ne kete aspekt une nuk mund te shpreh asnje opinion pasi nuk e njoh kete fushe.

    1. Don Albano says:

      Nje koment per z Kolonja. Nese diktrina e karakterizuar si ”Okult” nga z Gjongecaj ka funksionuar ne disa vende psh ne Angli apo USA kjo nuk ka ndodhur sepse ky lloj sistem financimi arsimit te larte eshte nje sukses i garantuar, perkundrazi eshte vetem nje perjashtim i vogel ku perfshihen nje pakice universitesh. Kur konsideron edhe faktin se shumica e anglezeve dhe amerikaneve jane mbytur ne borxhe kur dalin nga bankat e ketyre universiteteve te ”suksesshem” nuk mund te flitet per nje sistem per tu pasur zili.
      Madje nese do te thellohemi akoma me teper ne rrenjet e suksesit te tyre nuk jane fondet shteterore por ato private ku me i rendesishmi eshte ”tuition”, pastaj donacionet nga studentat e meparshem ”alumni”, firma te ndryshme qe duan te promovojne produktet e tyre etj.
      Per me teper nese do kerkojme ndonje model qe funksionon dhe ngjason ndopak med Shqiperine jane Gjermania dhe vendet nordike ku universitetet jane akoma monopol i shtetit. Besoj qe edhe ti ”si neoliberal” e pranon qe edhe pse ndoshta nuk mund te maten me ”top 10 list” universitetet gjermane, daneze, suedeze, norvegjeze dhe finlandeze jane padyshim te nje kualiteti qe cdokush do ua kishte zili.
      Pra me pak fjale te liberalizosh sistemin e financimit te universiteteve ne Shqiperi sipas mendimit tim do the thote qe brenda nje 5 vjecari te kthesh universitetin e Tiranes ne shkolle ku per tu regjistruar do te duhen te pakten 5-10 mije euro ne vit (sic ka ndodhur ne Angli e USA)dhe kjo vetem nese ky sistem eshte i suksesshem. Nese sistemi nuk funksionon do ndodhte ajo qe UT do shkrihej komplet dhe do kishim vetem universitet private te mbeshtetura financiarisht nga shteti. A nuk do ishte me mire te kishim nje sistem te arsimit te larte sic e ka Danimarka ku te gjithe ata qe studiojne paguhen nga shteti 1000 euro ne muaj, per te mbuluar shpenzimet shtese si ushqim, veshmbathje apo banese, dhe ku universitetet jane falas?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje