29 marsi, data e fitoreve të mëdha të Shqipërisë

27 Mars 2015, 15:20Sport TEMA

Të dielën Shqipëria do të luajë një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e saj me Armeninë, ku një fitore do të rriste ndjeshëm mundësitë e kuqezinjtë për një vend në Europianin francez dhe data 29 mars duket se është ajo e duhura, në aspektin statistikor, pasi në 3 përballje të mëparshme në këtë datë, Shqipëria ka arritur dy prej fitoreve të saj më të mëdha. Më 29 mars 1995, Shqipëria luante në orën 15:30 në “Qemal Stafa” ndaj Moldavisë nën sytë dhe të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jose Antonio Samaranch. Kombëtarja e drejtuar në atë periudhë nga Neptun Bajko fitonte 3-0 duke regjistruar suksesin më të thellë të përfaqësueses në një eliminatore. Një prej golave më të bukur në historinë e kombëtares me autor Kushtën i jepte Shqipërisë epërsinë në minutën e 32-të ndërsa në të 43-tën, një goditje dënimi e Demollarit ndalej nga Coselev përpara se Kacaj të shtynte në rrjetë golin e 2-0. Në pjesën e dytë Kushta shënonte dhe golin e dytë personal me Shqipërinë që fitonte 3-0.

Më 29 mars 1997, Shqipëria, e drejtuar nga Astrit Hafizi luante larg vendit të saj në Granada, për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar në vend. Kundërshtar ishte Ukraina, që sapo kishte nisur shpërthimin e saj në futbollin ndërkombëtar. Ukrainasit me Shevchenkon e Rebrov në fushë triumfonin 1-0, me një gol të këtij të fundit në minutën e 40-të. Një 29 mars jo dhe aq i mbarë për përfaqësuesen, e cila po në të njëjtën datë 6 vjet më vonë zbriste në Loro Borici, me një gjerman për trajner si Hans Peter Briegel. Kombëtarja regjistronte fitoren më të madhe në historinë e saj në eliminatore, duke mundur 3-1 Rusinë. Një 11-metërsh i humbur në minutat e para, nuk pengoi kuqezinjtë të kalonin në epërsi në të 20-tën me Altin Rrakllin.

Rusët barazuan me Karyakan në të 76-tën por një gol i Lalës në të 79-tën bëri “Loro Boricin” të shkundej i tëri nga entuziasmi. Festa kuqezi u kompensua në të 82-tën kur Ilgi Tare shënoi dhe të tretin.

Më 29 mars, tashmë në 2015-tën, Shqipëria do të zbresë në “Elbasan Arena” për një tjetër ndeshje të rëndësishme, në një datë që ka shënuar suksese të rëndësishme kuqezi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje