Nga Alban Nako
Vota ime e parë u shoqërua me shumë pikëpyetje, të llojit: “Përse duhet të votoj? A vlen vota ime kur po të njëjtit njerëz do të fitojnë pavarësisht faktit nëse unë votoj apo jo? Besoj se të gjitha këto pyetje që na kanë prekur të gjithëve deri diku janë të vërteta, janë të vërteta sepse shanset për të ndryshuar “status quo” politike janë të vështira. Gjatë aktivimit tim politik kam mësuar që ka arsye të tjera pse ne, si qytetarët më të rinj, duhet të votojmë dhe që çuditërisht vota rinore vlen në një mënyre që kurrë nuk e kisha menduar.
Në fazën para-përgatitore të çdo fushate elektorale, partitë politike mbledhin informacione të detajuara për qëllime statistikore për të përcaktuar grupmoshat më aktive në procesin e të votuarit. Ky informacion është i rëndësishëm për të përcaktuar politikat orientuar grupmoshave që votojnë me qëllim që të maksimizojnë votat që do i garantojnë fitoren. Nga të gjitha grupmoshat, të “vjetërit / rriturit” janë votuesit më të besueshëm duke patur përqindjen më të lartë të votuesve. Për shkak të kësaj qëndrueshmërie strukturore politikat e partive politike janë të orientuara aktivisht drejt tyre.
Nga ana tjetër, vota rinore është sporadike dhe jo e qëndrueshme në kohë shkak që pas-sjell zbehjen e fokusit të kandidatëve ndaj votës rinore. Ndaj nëse ne, të rinjtë, nuk votojmë humbasim garën politike.
Nëse ne votojmë dhe nxisim miqtë tanë për të votuar, të gjithë bashkë jemi duke u bërë një shërbim grupit tonë të interesit, edhe në qoftë se votojmë për personin e gabuar. Nëse shumë të rinj shfaqen dhe votojnë, politikanët do të marrin mesazhin se të rinjtë janë një forcë politike e cila duhet menaxhuar aktivisht. Nevojat e të rinjve do të bëhen edhe më të rëndësishme për kandidatin fitues sepse kushdo është i interesuar për një mandat të dytë.
Nëse duam të marrim atë që dëshirojmë duhet që ditën e zgjedhjeve të shkojmë për të votuar. Nëse gjenerata jonë dëshiron që të ndryshoj balancat politike e vetmja mënyrë është politika aktive.
Si të rinj shumë pyesin veten “Çfarë mund të bëjë një i ri vetëm?”. Besoj keni për tu habitur se çfarë ndryshimi mund të bëjë energjia e një të riu që në vendin dhe kohën e duhur vendos të bëjë gjënë e duhur. Ti mund të ndryshosh botën duke e bërë një vend më të mirë. Të gjithë bashke, ne të rinjtë, duhet të mësojmë që të jemi qytetarë politikisht aktiv.
Lexo ca tha Stalini biro ” rendesi ka kush numeron jo kush voton”!