Historianët mendojnë se fjala “liri” shfaqet për herë të parë në shkrimet e sumerëve. “Amargi”, në kuptim të ngushtë, do të thotë “liri nga borxhi”. Më gjerësisht do të thotë “liri për t’u kthyer tek nëna” dhe i referohet të drejtës së rikthimit në mëmëdhe të borxhlinjve të arratisur nga vendi i tyre për shkak të pamundësisë për t’i shlyer ato. Në Greqinë e Lashtë borxhi të skllavëronte. Për të evituar revolucionin e mundshëm Soloni anuloi borxhet e popullsisë dhe lidhjet skllavëruese për shkak të tyre. Në Romën e Lashtë revoltimi popullor detyroi senatin të aprovojë lex poetelia papiria-n, ligji sipas të cilit për kolateral lejohej të merrej vetëm prona e personit dhe jo personi fizikisht. Lidhjet skllavëruese përmes borxheve kanë ekzistuar gjerësisht përgjatë kohërave e kulturave. Në Indi, ato u abroguan plotësisht vetëm në vitin 1976. Deri në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar, është raportuar se gjykohej si normale për një vajzë të re të ishte e detyruar të shërbente si skllave seksuale e kreditorëve të babait të saj. Përse? Sepse borxhi duhej paguar. Në pjesën më të madhe të historisë shpagimi i borxhit është imponuar si i shenjtë, dhe vetëm revolta popullore ka bërë që ai të ridiskutohet nga qeverisësit të gjendur nën kërcënimin real të humbjes së pushtetit të tyre. Historia e trishtë e borxhit dhe fajdes, e bërjes së parasë nga paraja, është në fakt një histori moralesh që ndërtohen dhe konfliktohen sipas interesave të klasave në pushtet. Për Niçen morali ngrihet mbi ndjenjën e fajit, dhe në gjermanisht fjala Schuld (faj) derivon nga Schulden (borxh). Në këtë sens, relativitetin e normave morale e përcakton eksigjenca për mbledhjen e borxheve, duke përligjur kërcënimin dhe dhunën.
Askush më mirë se grupet mafioze nuk e kupton këtë. Ka dy mënyra se si borxhet i mblidhen atij që nuk ka t‘i kthejë ato: duke e bërë të ndjehet fajtor, i turpëruar, i paaftë, i pazoti, i pabesë, pengesë e rrezik për shoqërinë. Dhe nëse kjo nuk funksionon atëherë ai duhet bërë të ketë frikë. Atëherë nisin e zbresin në terren ato grupe (apo duhet t’u themi sot institucione e kompani) që janë të përgatitur të të thyejnë turinjtë (e kush e vendos kufirin midis të figurshmes dhe realitetit në këtë mes?) për ta detyruar borxhliun të paguajë. Antropologu botërisht i njohur mbi çështjet e borxhit, David Graeber, do të na kujtonte pikërisht këtë. Nëse në letërsinë botërore është e vështirë të gjesh një personazh fajdexhiu simpatik, kjo nuk është fytyra me të cilën na paraqiten sot institucionet hua-dhënëse, që gëzojnë mbrojtjen e mbështetjen e plotë të ligjit, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Nëse huaja është portretizuar në histori gjithmonë si premisë skllavërimi, sot quhet kredi dhe moralizohet e normalizohet si premisë zhvillimi. I vetmi moral që nuk ka ndryshuar në këtë mes është ai i borxhliut, sot debitor, të cilit i duhet të paguajë me çdo kusht paratë e huasë së marrë. Edhe nëse nxjerr të bijën për të shërbyer si skllave seksuale në rrugë, edhe nëse çon të birin të vjedhë e grabisë, edhe nëse shet veshkën e gjysmën e mëlçisë së vet, edhe nëse ia këput një plumb vetes për të ikur fare nga kjo botë. Në fund të fundit çfarë është një copë debitor? Sa pa hyrë në borxh mund të quhet edhe sipërmarrës. Në kredi të keqe, kthehet i pabesë, mosmirënjohës e rrezik shoqëror. A nuk janë prostitutat e kriminelët pjellë e kësaj klase të ulët të shoqërisë? Edhe vetëvrasja e depresioni mund të jenë natyralisht pjesë e saj.
Është pikërisht shitja publike që i bëhet moralit të padrejtë të borxhit dhe keqportretizimi që i bëhet debitorit për të cilat duhet menduar në situatën që gjendemi sot si multi-debitorë në Shqipëri: të mbytur me borxhe nëpër të afërm, të mbytur në borxhe përkundrejt shtetit, të mbytur në borxhe përundrejt bankave. Thuhet se një në tre shqiptarë gjendet në borxh përkundrejt një banke ose dikujt tjetër. Debitorët ndaj shtetit nuk janë llogaritur këtu. Shkruhet edhe se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të borxhit të keq në Europë. Por historia jonë vijon më tej, duke plotësuar atë që Appadurai do ta quante “peisazhet e financave”. Sipas OpenData borxhi ynë publik u rrit me 13.22 % gjatë vitit 2014, nga ku vetëm borxhi i jashtëm në total përbënte 66 % të prodhimit kombëtar. I marrë nga shteti apo nga banka e biznese private, ky i fundit përligj ndërhyrjet “rekomanduese” të institucioneve ndërkombëtare në punët e brendshme të një shteti që e ka reduktuar pa pikën e skrupullit sovranitetin e tij, por shton dozën e sallatave nacionaliste, servirur popullit të vet, kur ky i fundit mbahet fajtor që nuk kthehet dot në bar-ngrënës të devotshëm nën dietën e politikave të kursimeve publike. Edukimi financiar popullor është një gjë që përgjegjësve për ta realizuar atë nuk u intereson ta bëjnë ndryshe përveçse përmes retorikave fantaziose ku hahet me lugë floriri (po edhe qeveriset me shkop hekuri). Falë injorancës së qëllimshme financiare, të paktë janë shqiptarët sot që kur u përmend termat “Fond i Bankës Botërore, i Fondit Monetar”, arrijnë të bëjnë një dallim midis realitetit të borxheve për dekada dhe Çekut të Bardhë Amerikan që tundej pa skrupull në fushatat e hershme elektorale para një populli të rrënuar ekonomikisht e shpirtërisht pas regjimit më të egër diktatorial të Evropës së pasluftës. Disa statistika marrin mundimin të na kthjellojnë vagët se sa debitor është çdo frymë shqiptari sot ndaj botës ku aspiron të integrohet. Gjysma e të keqes. E mira do qe të mësonim edhe sa ka përfituar çdo frymë shqiptari nga borxhet marramendëse të investimeve që premtohen tash e njëzet e pesë vjet, por që këtij populli asgjë nuk ia bëri më konkrete se sa fjalët “korrupsion” e “mashtrim”.
Kritikat e anti-globalistëve mbi institucionet financiare ndërkombëtare kanë shtjelluar se si borxhet e dhëna ndaj vendeve të botës së tretë në vitet `70-të, nuk erdhën si rrjedhojë e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për zhvillim e progres në këto vende. Ato erdhën si rrjedhojë e nevojës së bankave të mëdha për të qarkulluar paranë e kapitalit të hiperakumuluar dhe nevojës për të krijuar tregje ndërkombëtare për ta shitur atë. Ideologjia e zhvillimit ndihmoi në hapjen e këtij tregu. Borxheve me interesa të ulëta të marra në vitet ´70-të nga vendet tashmë të quajtura “në zhvillim”, iu rritën interesat në 20% në vitet `80-të. David Graeber, përmend se si megjithëse shuma bazë e borxheve që këto vende i kanë institucioneve ndërkombëtare është larë deri më sot, interesat e tyre vijojnë t’i mbajnë këto vende të varura nga institucionet financuese. Nga ana tjetër, këto borxhe u morën kryesisht nga diktatorë, ose pushtetarë të papërgjegjshëm, që i mbyllën paratë në llogari personale, duke ia lënë popujve të tyre faturën e shlyerjes. Një gjë duhet të jetë e qartë në këtë mes. Ndryshe nga retorika qe kompozon figurën fajtore të borxhliut të papërgjegjshëm, i cili gjendet vagullt diku aty në popull, realiteti tregon se borxhet tona janë pjesë e një kompleksi padrejtësish, me fajdexhij e pushtetarë që i përkrahin këta në emër të pasurimit të vetvetes.
Forma e vetme konkrete se si borxhet e shtetit shqiptar mbërrijnë qytetarët e tij është përmes masave të kursimit (sot ka hyrë në modë fjala „austerity“, por qe fenomeni nuk është aq i ri sa duket, sidomos për ne shqiptarët). Shteti shqiptar i dy dekadave e gjysëm, ka bërë shumë pak për të ngritur kapacitetet e tij, e ne kemi qënë shumë më tepër konsumatorë se sa prodhues. Konsumatorizmi na ka rritur oreksin për borxh; jo-prodhimtaria na ka ulur kapacitetet për ta shlyer. Si mund t’i paguajë shteti shqiptar borxhet e tij të akumuluara? Njëra formë është të ulë shpenzimet. Duke mos qënë mjaftueshëm prodhues, shtrëngesat nga kursimet do të duhen të jenë më të forta e të ndjehen më thellë në popull. Më pak shkollë për të gjithë, më pak mjekësi, më pak pension, më pak transport publik, më pak asistencë sociale, më pak gjelbërim, më pak… Rruga tjetër është të rrisë bazën e taksueshme (a nuk është kjo arsyeja e vërtetë përse po ndodhin edhe legalizimet në Shqipëri?), e të mbledhë detyrimet e prapambetura nga shtetasit e tij, qoftë edhe me dhunë, e këtu spikat mbledhja e detyrimeve të energjisë elektrike. Duke qënë mjaftueshëm klientelist, mjaftueshëm “i kapur” dhe i padrejtë, dhuna e penalizimi ushtrohet në mënyrë selektive, kurse dieta kursimtare e shtetit shqiptar kthehet në mos-detyrime për disa që “e kanë mirë punën me pushtetin” dhe në lak në fyt për shumë të tjerë që nuk arrijnë dot t‘i kenë edhe aq mirë këto punë. Këtyre të fundit (kategoria fluide e debitorëve fajtorë, sipas moralit të poshtër të borxhit) do u duhet jo vetëm të paguajnë oreksin e bankierëve ndërkombëtarë, babëzinë e pakontrollueshme dhe paaftësinë mahnitëse të pushtetarëve vendas, po edhe koston e bashkë-atdhetarëve të tjerë që ia kanë dalë t‘i arratisen detyrimeve përmes shumë rrugësh, përfshi këtu edhe militantizmin e verbër, një formë alternative borxhlliku e skllavërimi, po ky është një muhabet tjetër.
Historitë e përditshme të pagesave të prapambetura të energjisë elektrike, me metaforat e realitetin që i karakterizon, janë të mbushura me raste të atyre „që sot u erdhi dita të mos paguajnë“ dhe atyre që „u erdhi më në fund dita të paguajnë“. Por kjo logjikë reciprociteti „Pse disa paguajnë e disa nuk e bëjnë?“ nuk duhet marrë e mirëqënë, jo sepse nuk është e drejtë, por sepse në kushtet tona mbetet thjeshtë një retorikë me koston e urretjes sociale. Në vendet e EU-së kjo është logjika që grupe të ekstremit të djathtë prej kohësh prodhojnë kundër emigrantëve duke i bërë përgjegjës për varfërinë e „vendasve“ që portretizohen si korrektë me ligjin dhe dokumentacionin. Si edhe në rastin e ksenofobisë, i gjithë ky diskurs synon të fshehë thelbin e vërtetë të problemit duke e hedhur topin e urrejtjes midis grupeve të ndryshme shoqërore. Prandaj përpara se ta drejtojë gishtin tek kjo lloj pseudo-drejtësie, klasa jonë politike do bënte mirë të na tregonte se cilat kulisa partiake prodhuan milintatizmin e favorizuar, marrje e dhënie informale nderesh e shërbimesh (me apo pa pagesë nën dorë), dhe frymën e përgjithshme të konkurencës së egër për 10 apo 20 përqindsha fitimesh. Por përmbi të gjitha klasa jonë politike duhet të na shpjegojë përse edhe pas pagesash të energjisë, shumë pak ka ndryshuar në shërbimin energjetik për qytetarin shqiptar. Thelbi i problemeve të borxheve duhet rrëmuar pikësëpari në marrëdhënien e qytetarëve me shtetin e tyre. Ka vetëm një rrugë për të shpëtuar nga dilemat e borxhit. Të ngrihet pyetja se kush i ka borxh kujt në këtë mes.
A duhet parë si borxhli qytetari, apo duhet parë shteti si borxhli ndaj qytetarit? Çfarë detyrimesh ka plotësuar ky shtet ndaj debitorëve shqiptarë? Çfarë shërbimesh themelore i ka akorduar ky shtet qytetarit të tij në lidhje me mirëqënien, punën, sigurinë. Ta drejtosh vëmendjen e publikut në ata debitorë të energjisë që i janë arratisur pagesave përmes miliantizmit, dhe përmes kësaj të justifikosh domosdoshmërinë e ligjeve që të sekuestrojnë shtëpinë e të rrasin në burg në rast debiti, do të thotë ta devijosh qëllimisht problemin e borxhit energjetik për një masë të tërë familjesh shqiptare në kufij të mbijetesës. Do të thotë të anashkalosh një histori privatizimesh, abuzimesh e ndër-borxhesh midis qeverisë e kompanive që vendosën të luajnë në bixhozin shqiptar të energjisë elektrike. Do të thotë të anashkalosh problemin e varfërisë, papunësisë, moskokëçarjes së shtetit ndaj mbështetjes sociale, ndaj pensioneve, ndaj shkollimit, ndaj punësimit, ndaj veshkës e mëlçisë që askush nuk duhet të jetë i detyruar t‘i shesë për të shpaguar shtetin e tij të politikave gjysmake e të njëanshme drejtuar prej fodullësh e milicash. Do të thotë të anashkalosh rritjen e vazhdueshme të çmimit të energjisë. Përmbi të gjitha do të thotë të anashkalosh ato politika që shteti ka për detyrë të ndërmarrë domosdoshmërisht në lidhje me ngrohjen qendrore, pothuajse inekzistente në Shqipëri, por kontribuesja kryesore e faturave të larta të energjisë për familjet shqiptare. Në kushtet e një retorike më të drejtë e më pak fodulle, problemi i ngrohjes qendrore do duhej të ngrihej së bashku me atë të shlyerjes së faturave të prapambetura energjitike. Diskursi mbi koncensionet e lidhura me TAP, përtej retorikës nacionaliste që e ka shoqëruar, mund të përqendrohej mbi ngritjen e një sistemi ngrohje qendrore shumë më pak të kushtueshëm për shqiptarët se sa ngrohja me energji elektrike apo bombula gazi të mbushur symbyllur në dyqanet e lagjeve.
E pra, ka një nyje ku lidhen të gjitha këto zinxhire borxhesh, ka një debitor gjigand që shpërndan e merr fatura borxhesh dhe i mbyt me tym retorikash moraliteti. Ky është shteti i pushtetarëve moskokëçarës e të papërgjeshëm që e ndajnë popullin e tyre në militant e në debitor. Sipas Kirsten Fockert morali i borxhit ka tre efekte neutralizuese: ai neutralizon kohën, sepse programon sakrifica të pajustifikuara për popullatën në të tashmen në emër të shlyerjes së pagesave të borxheve në të ardhmen e largët. Ai neutralizon demokracinë, sepse në nivele makro, sovraniteti i qeverive reduktohet nën presione masash dietizuese të imponuara nga institucione ndërkombëtare. Ai neutralizon politikën, sepse nuk lejon që të ngrihen pyetjet themelore se cilat janë palët në borxh, sa është ky borxh, çfarë detyrimesh ka njëra palë ndaj tjetrës, përse duhet bërë sakrifica personale në emër të këtyre shlyerjeve, pse kanë ardhur këto borxhet, si u krijua kjo klasë debitorësh, kush e ka përgjegjësinë për këtë situatë dhe çfarë duhet bërë për ndryshim.
A është dhuna shtetërore për shpagim borxhesh rruga më e mirë për të dalë nga kjo situatë? Fati është ironik, se kur ky popull ishte vetë kreditor në banka piramidale e ato falimentuan, askush nuk u kujtua për moralin e borxhliut që i kthen paratë një më një. Fajtorë nuk ishin as pushtetarët që i ngritën e i përkrahën piramidat në piedestalet e fushatave elektorale, por ishte kreditori naiv e idiot që shiti shtëpinë e tij për të bërë para pa punë, por nga paraja. Ai kreditori i papunësisë në rritje, që sot është kthyer në borxhli e debitor e i kërkohen kacidhet për t’i nxjerrë në mos nga gomari që i pjell flori, nga krimi nëpër rrugët e qyteteve shqiptare.
Natyrisht qeveria jonë ka nevojë për mbledhje faturash sepse i duhet të lajë faturat e tjera të saj, që nga ana tjetër nuk reziston dot t’i shtojë edhe më. Gjasat janë që ajo të vijojë të jetë selektive në këtë proces. Por a duhet ne të pranojmë të luajmë lojën e urrejtjes sociale, duke e parë problemin e pafuqisë sonë tek pamundësia për të kapur fijet klienteliste të saj, dhe duke pasur zili ata që arrijnë ta bëjnë këtë? A duhet ne të vijojmë të pranojmë këtë pozicion moral inferior të borxhliut fajtor, i cili vrapon për të mbledhur kacidhet e fundit nëpër miq e shokë, nëpër punë të keqpaguara e përmes situatash kriminale ku nuk do të ishte gjendur kurrë nëse punët do të ishin ndryshe (studimet në SHBA kanë raportuar një lidhje të fortë midis humbjes së shtëpive në kredi hipotekore dhe rritjes së krimit)? David Graeber librin e tij e hap me një proverb amerikan tepër domethënës: „Nëse i detyrohesh një banke njëqind mijë dollarë, ti je në dorë të bankës. Nëse i detyrohesh një banke njëqind milionë, banka është në dorën tënde“. Borxhi mund të jetë edhe armë e fortë në duart e më të dobëtit. Debitori shqiptar nuk mund të vazhdojë të mbajë vendin e palës inferiore, të borxhliut për të cilin Shqipëria ka reshtur prej kohësh së qëni mëmëdhe. Por vendin e palës kryesore në këtë kompleks marrëdhëniesh e pushtetesh, jo vetëm me detyrimet e tij, por mbi të gjitha me të drejtat dhe pushtetin e tij për të ndikuar e ndryshuar gjendjen aktuale. Të mund të kthehesh në vendin që të takon, ky ishte kuptimi i hershëm i fjalës liri.
Shkrim mjafte analitik,por nuk thot kryesoren:
Nuk eshte e nevojshme ta pushtosh Shqiperine per ti shfrytezuar shqiptaret…
Per kete gje jane me te efekteshme bankat se sa ushtrite
Mungon edhe nje krahasim qe do ta bente me te “tretshem” shkrimin. Autorja flet per diktatoret afrikane qe i futin nje te vjedhur buxhetit dhe e kalojne jeten prane liqeneve zvicerane. Por e njejta gje ndodh edhe me diktatoret tane jo afrikane; shtohet vetem nje hallke ne zinxhir:
Borxh > tender > hajduteri > liqene zvicerane
Ndryshon vetem perqindja e vjedhur ne burim qe ne Afrike mund te jete 20-30% kurse ne Albanistan 5-10%. Megjithate kur llogaritet qe 10% i do “shefi i madh”, por edhe te tjeret marrin 10% ne sinorin e tyre, edhe Albanistani perfundon si Afrike. Prandaj nuk ka ndryshim ne qeverisje, infrastrukture, mjedis, reagim social, etj. Jemi njelloj me byrazeret bythjashte te mbuluar me gjethe palme…
Genjen veten Aqif
tek ne vjedhja eshte ne masen 90% ne burim ose lart ne qeveri,10% humbet rruges dhe tek populli nuk mberrin asgje,perkundrazi po mundohen qe tja zhvasin dhe ate qe me djerse dhe gjak e kane krijuar ne emigracion.
Nuk e ke vene re qe jo borxhet,por keta dhe ndihmat e bamiresise nga fondacionet dhe shtetet e huaja i shesin me cmimet e tregut dhe nuk ua japin atyre te cileve u destinohen falas.
Analize se e vertete po aq edhe brilante mbi realitetin e hidhur.
Nuk e lexova te gjithe se zakonisht nuk e humbas kohen kot por po i them kesaj zonje te dhimbsur se ata `fukarenjte ` qe nuk paguajne energjine,abuzojne me te duke zier fasulet,duke lare bythen me uje te ngrohte ne dimer dhe duke u freskuar me klimatizator ne behar,ndersa `te mjeret` qe paguajne kujdesen te fikin edhe llampat e ndricimit
Analize brilante ! Shpresojme te lexojme me shume nga autorja.
shume e sakte , pergezime autores
A duhet pare si borxhli qytetari apo duhet pare shteti si borxhli ndaj qytetarit
Pyetje e bukur.
Nga buron borxhi ?
Perse qeveria duhet te trokase ne dyert e bankave per te marre borxh ?
A ke degjuar ndonjehere te flase ndonje parti per sovranitetin ekonomik ?
A ke degjuar te flase dikush ne Shqiperi per pronesine e shqiptareve mbi monedhen vendase, per pronesine mbi lek-un ?
Sot ne Shqiperi, mungojne leket ne qarkullim apo mungojne prodhimet ?
Nyja gordiane qe lidh zinxhirin e borxheve, nyja qe duhet prere eshte :
Stop parase ngarkuar me interesa, po LEK-ut prone te mbajtesit, une dhe ti qe pranojme monedhen i japim vlere asaj.
BANKAT PO SKLLAVEROJNE POPUJT “KJO ESHTE E GJITHE CESHTJA E GLOBALIZIMIT DHE I GJITHE GLOBI ESHTE MARRE PENG NGA BANKAT TE CDO LLOJ NGJYRE E RACE E FEJE “!
MOS HARRONI KURRE QE NE PRILLIN 2015 u dogj FRAKFURTI per kete ceshtje dhe kjo revolte ka filliuar qe me rrembimin e ALDO MOROS ne Itali e deri me sot !
Shkrimi ishte i mire derisa sa fliste kunder rrezikut qe i vjen nje vendi dhe nje populli kur merr borxh. Dhe shembujt ishin te qelluar. Por fatkeqesisht me pas autorja nuk iu shmang dot qendrimit te saj militant kur filloi tu qante hallin atyre qe nuk paguajne energjine elektrike dhe kur akuzonte indirekt qeverine se disa i bente te paguajne dhe disa i mbante me hater. Me nje fjale per sa kohe qe shkrimi vinte nga leximet dhe perkthimet e autores, ai ishte interesant dhe i drejte. Por kur autorja kerkoi ta personalizonte kete analize, pra te shtonte diçka nga vetja e saj, shkrimi ra ne nivelin ordiner te nje militanteje partiake. Pra nje shkrim me dy nivele.
Nga ana ime do te theksonja se asnje qeveri nuk eshte e autorizuar te marre borxh ne emer te popullit te vet. Nje qeveri ka te drejte te marre borxh dhe ta shlyeje ate pergjate 4 vjeteve te mandatit te saj. Por sot ne bote dhe ne Shqiperi verejme qe qeverite marrin borxh per 100 vjetet e ardhshem?! Kush i ka autorizuar ato te marrin borxhe ne emer te popujve te tyre. Kush i ka autorizuar ato te vejne ne hipoteke te ardhmen e femijeve te ketij vendi?! Sigurisht ato qe ne i thrrasim me respekt si institucionet nderkombetare!!! Pra fajdexhinjte nderkombetare! Po e njejta gje ngjau edhe me Berishen kur ishte ne pushtet. Sikur te ishte ne mall te babait, ai i shiti apo i dha me koncesion per 99 vjet te gjitha pasurite kombetare te vendit?! Kush e autorizoi ate te sillej si pronari legjitim i ketyre pasurive?! Nje qeveri eshte administratore e nje vendi pergjate 4 vjeteve te mandatit te saj. Dhe te gjitha veprimet dhe pasojat e ketyre veprimeve duhet te perfundojne brenda ketij mandati. Shume e kemi share komunizmin. Dhe per disa gjera me shume te drejte. Por per disa gjera fare pa te drejte. Kur ai sistem u permbys jo vetem qe Shqiperia nuk kishte asnje lek borxh, por shteti shqiptar ishte ne zoterim te plote te resurseve te vendit?! Perveç kesaj gjithe vendi ishte i pajisuar me gjithçka ka nevoje te funksionoje nje vend modern. Por hajdutet dhe mashtruesit qe erdhen me pas shiten dhe shkaterruan gjithçka. Ndoqen politiken e tokes se djegur dhe kthimit te gjithçkaje ne zero. As italiani dhe as gjermani nuk u sollen keshtu me Shqiperine. Dhe tani gezohemi si idiote kur fajdexhinjte nderkombetare pranojne te na japin para borxh me te cilat jemi te skllaveruar per breza. Kjo tradhti qe i eshte bere dhe po i behet popullit shqiptar shpaguhet vetem me koka te prera. Duke filluar nga ajo e kuçedres se Viçidolit, dhe deri tek koka e ketij kalliut te gjate qe e mban koken perpjete. E di qe po enderroj, por e di po ashtu qe edhe revolucionet ngjasin kur popujt nuk ka me çfare te humbasin, perveç prangave me te cilat i kane lidhur. Siç ka ne bere dhe po bejne gjate ketyre 25 jeteve te fundit keta qelbesirat qe quhen Berishe, Nano, Meta dhe Rama.
Ne lidhje me shkrimin une kisha keto gjera :
– Shkrimi ishte i gjate dhe ishte veshtira te ndaje (seleksjonoje) me lehtesi problemet e borxhit qe ngre shkrimi.
– Historikisht borxhet dhe kredite egzistonin edhe perpara lindjes se lekut. Kredite shenoheshin ne nje pllake argjili qysh para pese mije vjetesh. Pllaka e argjilit thyhej kur borxhmarresi kthente borxhet e marra. Keto pllaka argjili zevendesonin leket dhe qarkullonin dhe perdoreshin si mjet pagese.
– Para revolucjonit francez shteti nuk i paguante gjithmone te gjitha borxhet, sepse ai fuste ne burg borxhdhenesit kryesisht çifute ne se ata nuk donin te jepnin borxhe te reja per mbreterit.
– Borxhi eshte motori i ekonomise dhe rritje e botes ekonomike. Makina aktuale ekonomike prodhon cdo dite borxhe. Ne vet vehte borxhi eshte sherbim dhe pozitiv, sepse neve ne saje te tija prodhojme vlera ekonomike, pra neve e perballojme kete borxh. Ai behet problem kur ai ndjek dinamiken e vet dhe arin vlera te tilla, qe borxhet e reja nuk e kontrollojne me ate.
Mendoni per nje moment se ku do ishte ekonomia boterore sot ne se pasasniket i fusin florinjte ne toke dhe nuk i japin borxh ( nepermjet bankave ) ne forme kredie per e bere investime ne ekonomine reale duke krijuar keshtu vende te reja pune dhe prodhuar te mira materjale per shoqerine.
– Ne momentin kur jepet kredia, ajo jepet me interes qe merr banka, pra ky “interes” eshe leku qe krijohet nga banka dhe vetem nga banka dhe faktikisht nga ASGJEJA. Pra gjate procesit te kreditimit ( dhenje se borxhit ) krijohet LEKU.
– Borxhi publik shqiptar eshte 9miljarde dollare dhe interesi qe duhet te paguaje qeveria aktuale cdo vit eshte 500mije dollare.
– Mendoj se ne artikull duhet ndare roli i qeverise Berisha, i cili rriste rrogat dhe pensionet duke rritur borxhin publik dhe kjo ishte edhe aresyeja se pse ai largoi FMN-ne, sepse kjo kerkoi qe te jepte kredi te buta por ama qe edhe te monitoroje ekonomine dhe financat shqiptare, gje qe Sala nuk e desh sepse i dilnin te palarat ne shesh.
– Mendoj, se qeveria e re i thote gjerat sheshit, ajo monitoron me FMN dhe BB fianancat shqiptare, bejne se bashku studime dhe me te drejte beri Reformen ne energjitike duke detyruar mos paguesit e energjise ta paguajne ate. Mos pagimi i energjise elektrike dhe ndertimet pa leje ne Shqiperi ishte nje loje e ndyre e Sales, i cili ne kete menyre krijoji me vjedhesit e energjise dhe ndertuesit pa leje, rezervuare votash te pista.
– Fakti qe, FMN dhe BB japin kredi tregon se ata kane besim tek reformat e ndermara nga qeveria e re.
– Nuk me pelqeu fare tituli i shkrimit sipas te cilit Shqiperia eshte memedheu i borxhlinjeve. Kujtoj ketu se borxhi publik amerikan eshte 77% te PBB, ai italjan mbi 128%, ai Japonez mbi 260%. Pra borxhi eshte nje e keqe e domosdoshme por ai nuk duhet bere Gogol, sic pretendon artikulli. Ne nuk jemi aq keq ne krahasim me te tjeret. Tani nuk punohet me partizançe dhe ne rruge militante, tani ne po bashkepunojme me FMN qe na dha kredi te buta ( interesa te vogla ) dhe qe edhe ajo eshte e interesaur qe ky borxh te kthehet se bashku me interesat.
Enver Hoxha pretendonte se kishte ndaluar me ligj marrjen e borxheve dhe e katandisi ekonomine shqiptare atje ku e kantandisi. Pervec kesaj qeveria e re ka per te paguar jo vetem borxhet qe la Sala por edhe ato qe la xhaxhi Enver qe ndertonte si budalla mbi 800mije bunkere nderkohe qe fshatari lejohej te hante VETEM buke misri.
Me falni se harrova te shtoj :
Sigurisht qe jane kursimet e qytetareve ne banka qe perdoren per te blere borxhin e qeverise, kjo eshte krejt normale ne te gjithe boten. Me lejoni tu a spjegoj perse :
Pjesa me e madhe e borxhit publik te qeverise shqiptare eshte borxh i brendeshem. Ky borxh krijohet nga shitja e bonove te thesarit qe shtyp Ministria e financave dhe qe me ndermjetesien e BAnkes se Shqierise shiten neper ankandet e bonove te thesarit.
Bonot e thesarit blihen kryesisht nga bankat e shkalles se dyte. Pra me leket ( kursimet ) qe kane ne banke qytetaret qe kane hapur kontot e tyre te kursimeve. Pra,ne fund te fundit jemi ne vete shqiptaret, qe kreditojme qeverine tone dhe kjo eshte e vertete per te gjithe boten.
Artikull i dobet, me lodhi me sofizmat e tij. Elektriku duhet paguar deri ne qindarken e fundit zoje! Pike!
amargi a-mar-gji (aty ku marr gji)! qumeshte qe merret nga gjiri eshte i domosdoshem per tu ushqyer dhe eshte borxhi qe i kemi nenes. arkeologet shqiptare nuk e kane vrare ndonjehere trurin pse monedhat e vjetra te gjetura ne shqiperi dhe perreth kane si simbol vicin qe pine qymesht ne gjirin e lopes.
Shkrim shumë i mirë!
Shqiptarët paguajnë sot gabimet e bëra nga qeveritë në menaxhimin e energjisë elektrike.
Por ka dhe një aspekt tjetër që ka të bëjë me faktin se qeveritë njëherë u thonë Shqiptarëve, harxhoni se nuk vjen njeri tju kërkojë lek, dhe njëherë paguani se do hyni në burg.
Qeveritë i detyrojnë shqiptarët të bëhen borxhlinj!
o plaku mos be sikur i di te gjitha . Pse nuk ishin FMN dhe BB qe i dhane borxh grekut dhe e fundosen. Avokatin e qeverise po ben, shko futi nje xhiro andej nga liqeni dhe lere furcen se nuk ben per ty.
Një problem i thjeshtë matematikor.
Kredit nuk zbehen me kredi të reja ! Çdo kredi e re, jo vetëm qe mbanë borxhin te paprekur, por e rrit akoma me teper per shak te normes se interesit!
Shtetet e ngarkuara me borxhe te tilla te larta (në raport me PBB-së) sic eshte edhe Shqiperia do kalojn se shpejti ne nje kolaps ekonomik, se pari, per shkak te infrastruktures se papërshtatshme, dhe se dyti, sepse i mungon një elitë ekonomike që është produktive dhe kombëtare. Oligarkia shqiptare është shtet-parazitare dhe, me mospërfillje totale për subjektin kombëtare në vend.
Shkrim shume domethenese. Tenton te analizoje Borxhin ne shume nivele dhe dimensione, duke cilesuar dhe pasojat e borxhit. Ne nivelin mikro borxhi adminsitrohet nga vete personi. Jane vendimet e personit qe merren ne baze te nevojave dhe deshirave qe duhet plotesuar (nje rritje personale) kundrejte mundesive per te shlyer detyrimin pasi vlera e tij eshte shtuar fale borxhit. Borxhi eshte nje “e keqe” e dosmosdoshme ne shoqerine tone. Per te qene produktive, duhet thjeshte te mire administrohet.
Por per sa thuhet ne shkrim, jam dakort qe mendja djallezore e njeriut sjelle keqperdorim te borxhit dhe mosbarazi ne moralin e debitori, qofte ky individi qofte ky institucioni lokal, shteti apo institucionet nderkombetare.