Zëvendësministri i Drejtësisë Arben Isaraj ka kritikuar disa raporte në televizione dhe shtypin e shkruar rreth autorësisë së përgatitjes së Ligjit të ri të Falimentit.
Në një status në Facebook, Isaraj sqaron se fjali të tipit “Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit ka përgatitur një projektligj, i cili mbron individët që kanë kredi në banka nga sekuestrimi i shtëpisë së parë”.. të përdorura në raporte nuk qëndrojnë.
“Sot në Shqipëri, sipas Kushtetutës dhe Ligjit, Agjencia e Mbikqyrjes së Falimentit nuk mund të përgatisë projektligje.
Ato i përgatit Qeveria, deputetët si dhe “fuqia” e 20 mijë zgjedhësve.
Qeveria (Ministria e Drejtësisë) nisur nga kompleksiteti ekonomik, juridik, financiar e social i përgatitjes dhe hartimit të Ligjit të ri të Falimentit, nga maji i 2014-tës është përfshirë në një proces 3 vjecar bashkëpunimi, i nivelit të lartë, me akademikë vendas dhe të huaj, ekspertë të fushës, mbështetur nga Banka Botërore ( IFC-ja) dhe Qeveria Zvicerane.
Qeveria në procesin e vet ligjbërës, i qëndron parimit, se asnjëherë nuk duhet të krijojë “shtigje” që qytetarët mund ti përdorin për të shmangur totalisht detyrimet e tyre private, të kontraktuara vullnetarisht.
Gjithsesi, duke na dhënë mendimet e të paedukuarve, media na mban në kontakt me injorancën e një komuniteti special në administratën shtetërore, e cila duhet ndryshuar.
Duhet të pranojmë se shteti nuk shembet nga të varfërit, por nga të pa edukuarit.
Aty ku nuk ka edukatë ligjore edhe ligjet nuk kanë çfarë të bëjnë.
Por…….kur shtohet edukata ligjore, qytetarëve dhe shtetit i pakësohen shpenzimet”, shprehe Isaraj.
Duket se Isaraj më shumë se me shtypin, e ka me atë pjesë të administratës që ka cituar shtypi, të cilët me sa duket duan protagonizëm në këtë cështje.