Kandidati i PSD-së për Bashkinë Fier, Albert Çaçi, ka denoncuar dje shpenzimet marramendëse të bëra nga kundërshtarët e tij në këtë garë, të PS-së dhe PD-së, duke kërkuar hetim për milionat që hidhen për imazh dhe që tallin fukarrallikun e popullit, sipas tij. Gjatë një takimi me banorë të komunës Seman, Çaçi, tha se kërkonte hetime nga autoritetet përgjegjëse se një ish-gjyqtar si Armando Subashi shpenzon shuma kaq të mëdha parash për të nxjerrë fytyrën e tij në çdo metër rrugë në Fier, ndërkohë që ju po luftoni për mbijetësën e përditshme.
“Vetëm më pak se një kilometër rrugë në qytetin e Fierit posterat dhe billborderat e kandidatëve të partive të mëdha kushtojnë mbi 200 mijë euro sepse një billboard kushton nga 1500 deri në 3500 euro në muaj. Po ku i gjetën paratë këta kandidatë? Kujt i bëjnë karshillik këta me miliona të harxhuara për imazhin e tyre? Njerëzit po luftojnë për bukën e gojës, janë në mjerim, dhe këta shpenzojnë shuma marramendëse për tu tallur me këtë fukarallëk. Kjo tregon sa larg halleve të njerëzve janë vërtetë këta kandidatë që kërkojnë votën e popullit”, tha Çaçi.
Duke iu referuar kandidatit të majtë Armando Subashi ai tha më tej se si mundet që “një ish gjyqtar shpenzon aq shumë. Flitet se e mbështet dhe e financon Albetroli, por nuk jam une ai që verifikoj këtë, por duhet të hetohet kjo gjë, duhet të verifikohen shpenzimet se s’bën”, u shpreh Çaci.
Albert Çaçi tha se për këtë fushatë me mundësitë dhe mbështetjen e dashamirësve të tij ka shpenzuar vetëm 3500 euro për një makinë lëvizëse dhe disa postera letre.