Ministri i Brendshëm deklaroi se procesi elektoral i “21 qershorit” është më i miri në 25 vitet e fundit, pluralizëm.
Saimir Tahiri tha se më tepër se Kryebashkiakët e rinj, fituesit e vërtetë të çdo gare elektorale, janë vetë qytetarët.
Ministri veçoi këtu faktin se nuk pati asnjë incident dhe asnjë akt dhune që mund të cënonte vullnetin e qytetarëve.
“Këto janë dëshmia më e qartë se kur vullneti i institucioneve shkon në shërbim të qytetarëve pa dallim partiak, në shërbim të demokracisë dhe shtetit ligjor e jo në shërbim të interesave të ngushta partiake, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë tërësisht të mundura”, tha Tahiri.
Ministri më tej renditui një sërë falenderimesh për aktorët dhe faktorët nga varej fati i procesit. Së pari, Tahiri ua drejtoi falenderimin kandidatëve dhe përfaqësuesve të partive politike, veçanërisht të PD dhe opozitës.
Kreu i Ministrisë së Brendshme u shpreh me vlerësime edhe për punën e policisë, që sipas tij, “u shërbyen qytetarëve dhe kontribuan bashkë me ta, për të arritur standartet më të larta zgjedhore në këto 25 vitet e fundit”.
Në ditën e zgjedhjeve, pati vetëm 2 procedime, një për kërcënim dhe tjetri në Bulqizë, për komisionerë të disa partive politike.
“Të dyja këto raste janë duke u hetuar nën drejtimin e Prokurorisë dhe përgjegjësit do të përballen me ligjin. Janë arrestuar 2 shtetas për vepra penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe 8 ndiqen në gjendje të lirë”, konfirmoi Tahiri.
Ministri pohoi nisjen e hetimeve në disa raste për blerje votash.
“Dua të konfirmoj vullnetin e Policisë së Shtetit për të çuar përpara, në bashkëpunim me Prokurorinë, çdo hetim të nisur kryesisht apo nëpërmjet kallëzimit të shtetasve, për akuza që kanë të bëjnë me blerjen e votës. Shpejt pritet të kemi rezultate për këto hetime, duke ndëshkuar çdo përpjekje për shtrembërimin e vullnetit të zgjedhësve”, theksoi Ministri.
Ai shtoi se problemet, sado të vogla, të konstatuara në këto zgjedhje, si dhe gjetjet e misionit të monitorimit të OSBE/ODIHR, do të jenë axhenda e punës për Qeverinë dhe Parlamentin.